

“Dashuri në Qiejt Parizien” nga suksesi me lexuesit drejt një kapitulli të ri ndërkombëtar
Pas shitjes së tirazhit të parë dhe ribotimit, romani i Lulzime Malajt po vijon rrugëtimin drejt hapësirave të reja kulturore, me projekte dhe ftesa të reja në Greqi dhe Çeki.
Romani “Dashuri në Qiejt Parizien” i autores Lulzime Malaj, botuar në maj të vitit 2026, po vijon rrugëtimin e tij drejt një audience gjithnjë e më të gjerë. Tirazhi i parë u shit i plotë brenda dy muajsh, ndërsa në korrik romani u ribotua, duke shënuar një nisje të mbarë për veprën.
Në vijim të këtij rrugëtimi, Lulzime Malaj ka zhvilluar takime në kuadër të veprimtarive kulturore të përfaqësive diplomatike shqiptare në rajon.
Në gusht, autorja ishte e ftuar në një
bashkëbisedim kushtuar romanit në Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, ku u takua me Ministren Këshilltare, znj. Eliverta Radomi. Takimi shërbeu gjithashtu si pikënisje për një projekt të përbashkët kulturor, i cili pritet të zhvillohet së afërmi.
Në shtator, Lulzime Malaj u prit në Pragë, gjithashtu si e ftuar, në Ambasadën e Shqipërisë në Çeki, ku zhvilloi një takim me Ambasadorin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij z. Ilir Tepelena, dhe Ministren Këshilltare, znj. Blerta Derhemi.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, biseda u përqendrua te romani “Dashuri në Qiejt Parizien”, rrugëtimi i tij, suksesi dhe jehona që ka marrë te lexuesit, si dhe te roli i letërsisë në përcjelljen e kulturës, vlerave dhe identitetit shqiptar në hapësirat ndërkombëtare.
Gjatë takimit, autorja dhuroi dy kopje të romanit për bibliotekën e Ambasadës së Shqipërisë në Çeki.
Një zhvillim i rëndësishëm i vizitës në Pragë ishte edhe ftesa zyrtare për autoren që të rikthehet më 8 mars 2027, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, si e ftuar nderi, në kuadër të një bashkëbisedimi kushtuar letërsisë shqipe, krijimtarisë dhe kontributit të gruas në kulturën shqiptare. Ftesa u bë publike nga Ambasadori i Shqipërisë në Çeki.
Në këtë rrugëtim drejt hapësirave të reja, romani pritet të marrë së afërmi një tjetër dimension, përmes përkthimit në frëngjisht dhe anglisht, për t’iu ofruar lexuesit francez dhe atij ndërkombëtar.