Migel Flor

Poezia “Dea e Butrintit” e Migel Florit ndërtohet si një monolog mitik, ku zëri lirik merr përmasat e një figure arketipore Dea si simbol i kujtesës, i tokës dhe i vazhdimësisë shpirtërore të kulturës.
Kjo poezi nuk synon rrëfimin historik, por riaktivizimin e mitit si përvojë e gjallë poetike.
Figura e Deas nuk paraqitet si hyjni klasike e largët, por si trup i ndërthurur me tokën, me ujin, me gurin dhe me heshtjen. Butrinti, si hapësirë mitike dhe kulturore, shndërrohet në një trup të shenjtë ku memoria kolektive rrjedh përtej kohës lineare. Uji “që është lutje” dhe gjarpërinjtë “rojtarë të heshtur” funksionojnë si simbole arkaike të rinovimit, mençurisë dhe mbrojtjes së së fshehtës.
Një nga shtresat më të fuqishme të poezisë është kundërvënia mes harresës njerëzore dhe kujtesës së gurit. Gurët, pllakat antike dhe shkëmbinjtë mbajnë emrin e Deas më fort se vetë njerëzit. Këtu poezia fiton një dimension filozofik: kultura mbijeton jo në diskursin e përditshëm, por në substancën e tokës dhe në mitin që rimerret nga arti.
Erotika e përmbajtur dhe simbolike , “jo për trupin, por për zjarrin që mbaja në sy” ,zhvendos poezinë nga sensualiteti i zakonshëm drejt një bukurie shpirtërore dhe intelektuale, duke e vendosur Deën si figurë të dëshirës për kuptim dhe jo thjesht për zotërim.
Nga pikëpamja stilistike, poezia karakterizohet nga një gjuhë e pastër, imazhe të dendura simbolike dhe një ritëm i qetë, që i ngjan një rituali leximi. Kjo e bën tekstin të hapur për lexime të shumta: mitologjike, kulturore, identitare dhe estetike.
Në përfundim, “Dea e Butrintit” është një poezi e kujtesës së thellë, ku miti nuk është relike e së kaluarës, por një mënyrë për të folur për identitetin, përkatësinë dhe qëndrueshmërinë shpirtërore të njeriut në kohë. Ajo vendos poezinë e Migel Florit në një dialog të denjë me traditën dhe modernitetin letrar shqiptar.
Agim Desku
DEA E BUTRINTIT
Unë jam Dea,
me flokët derdhur në onde
me shputat zbathur,
rregjur nga gjembat e frangofiqêve
Shkela në pellgjet e Butrintit,
ku uji është currilë antike
dhe gjarpërinjtë lahen në ëmbëlsi,
rojtarë të mistereve mitike
Belbëzova këngën
me gjuhë të përdredhur nga shekujt,
një melodi që s’e mban dot letra,
as e mbyll "gojëshqepura"
Unë jam Dea e bukur,
ajo që flirtuan princërit e kohëve të lashta,
S'jam Afërditë
jam grua me zjarrin në sy
Mbi pllaka antike shkela e pavdekshme,
dhe gurët më njohën peshën
para se njerëzit ta harronin.
Në shkëmbinj do të më gjeni
të gdhendur pa daltë
fytyrë burrërore me mjekër guri,
dëshmitare të dashurisë të pamposhtur
që u bë legjendë.
Unë jam Dea,
e një kohe që nuk vdes
e gruas që nuk zhvendoset
e meduzës që flet.
Migel Flor