Dilemat shpirtërore… dhe realiteti shqiptar-Llazar Syziu

Llazar Syziu

Ka disa pyetje historike që duken të thjeshta vetëm sepse njerëzit duan përgjigje të thjeshta. “Kur jetohej më mirë në Shqipëri?” është njëra prej tyre. Pyetja zakonisht prodhon tri përgjigje, sipas nostalgjisë së kujt pyetet: njëri kujton Zogun, tjetri Enverin, i treti supermarketin. E vërteta, siç ndodh shpesh në histori, është më pak komode. Sepse shqiptari nuk ka jetuar në një Shqipëri të vetme. Ka jetuar në disa Shqipëri. Njëra ishte Shqipëria e varfër dhe kryesisht fshatare e Zogut. Tjetra ishte Shqipëria e disiplinës, industrializimit dhe mungesës së lirive e Enver Hoxhës. E treta është Shqipëria e tregut, emigracionit, celularit, kredive, pronës private dhe diferencave të mëdha sociale. Dhe kur flasim për “jetë më të mirë”, duhet të vendosim më parë se çfarë duam të masim: bukën apo lirinë, sigurinë apo pasurinë, barazinë apo mundësinë për t’u bërë i pasur? Sepse shqiptari, si çdo njeri tjetër, do të donte të kishte të gjitha. Historia, për fat të keq, nuk ia ka ofruar kurrë këtë luks.

 Le të fillojmë me Zogun. Shqipëria e viteve të Zogut kishte një meritë që sot mund të duket krejt normale dhe atëherë ishte privilegj: ekzistonte prona private, ekzistonte iniciativa private, ekzistonte një shtresë tregtarësh dhe profesionistësh dhe ekzistonte një përpjekje për të ndërtuar një shtet modern… Por këtu mbaron romantizmi dhe fillon statistika. Një vend ku rreth 86 për qind e popullsisë merrej me bujqësi dhe ku analfabetizmi mbetej mbi 80 për qind nuk mund të quhej shoqëri moderne vetëm sepse kishte një mbret në Tiranë. Shqipëria kishte më shumë fshatarë sesa qytetarë, më shumë njerëz që dinin të punonin tokën sesa të lexonin një gazetë dhe më shumë varfëri sesa institucione. Nëse do ta pyetnim një fshatar shqiptar të vitit 1938 se sa i lirë ishte, ai ndoshta do të na jepte një përgjigje shumë më praktike se politologët e sotëm: “Jam i lirë të jem i varfër.”. Kjo nuk është ironi. Është tragjedia e varfërisë. Sepse liria juridike dhe mundësia reale nuk janë e njëjta gjë. Një njeri mund të ketë të drejtën të hapë një biznes, por nëse nuk ka kapital, arsim, kredi, infrastrukturë dhe treg, kjo e drejtë mbetet një luks teorik. Për elitën urbane dhe për një shtresë të vogël tregtare, Shqipëria e Zogut mund të kishte hapësira interesante. Për shumicën e fshatarësisë, ajo ishte një betejë me tokën, varfërinë, sëmundjet dhe analfabetizmin. Ishte një Shqipëri ku liria ekzistonte më shumë si parim sesa si mundësi.

 Pastaj erdhi viti 1945. Dhe me të erdhi një Shqipëri që vendosi të zgjidhte problemin e varfërisë në mënyrën më radikale të mundshme: duke e kthyer shtetin në zot të pothuajse çdo gjëje. Nëse Zogu kishte pasur shumë pak shtet për shumicën e të varfërve, Enveri ndërtoi shumë shtet. Shteti ishte në fabrikë, në fermë, në shkollë, në spital, në lagje, në vendin e punës dhe, kur duhej, edhe në mendjen e qytetarit. Këtu ndodh paradoksi i madh i eksperiencës shqiptare. Regjimi komunist ishte një regjim diktatorial dhe represiv. Kjo nuk mund të zbutet me nostalgji. Por ishte gjithashtu regjimi që e mori një popullsi kryesisht analfabete dhe e shndërroi në një shoqëri me arsim masiv; që ndërtoi industri, elektrifikim dhe një rrjet shëndetësor kombëtar; që e futi gruan në masë në jetën profesionale; dhe që i dha pjesës më të madhe të popullsisë një vend pune. Historia ka këtë ves të keq: refuzon të jetë morale sipas dëshirës sonë. Mund të jesh diktator dhe njëkohësisht të ndërtosh shkolla. Mund të ndërtosh spitale dhe njëkohësisht të burgosësh njerëz. Mund të krijosh industri dhe njëkohësisht të shkatërrosh lirinë politike. Një fakt nuk e anulon automatikisht tjetrin.

 Shqiptari i viteve 1970 ose 1980 kishte diçka që shqiptari i viteve 1930 nuk e kishte: një rrjet sigurie shoqërore. Nëse lindje në një familje të varfër, fëmija yt mund të shkonte në shkollë. Nëse kishe aftësi, mund të bëheshe teknik, mësues, inxhinier, mjek. Nëse ishe punëtor, kishte shumë më tepër gjasa të kishe një vend pune sesa në tregun e sotëm. Shëndetësia ishte publike. Banesa nuk funksiononte sipas logjikës së sotme të tregut. Për një familje që nuk kishte kapital, kjo kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Shteti i thoshte qytetarit: “Mos u shqetëso për bukën e nesërme.”. Por pastaj i shtonte, si me një shënim të vogël në fund të kontratës: “Dhe mos pyet shumë.”. Ky ishte pazari. Siguria në këmbim të bindjes. Punësimi në këmbim të kontrollit. Arsimi në këmbim të ideologjisë. Barazia materiale në këmbim të një ekonomie ku pasuria private ishte shumë e kufizuar. Kjo është arsyeja pse është e gabuar të thuhet se në komunizëm njerëzit “jetonin mirë” pa përcaktuar se çfarë nënkupton “mirë”. Ata jetonin më të sigurt, por jo më të lirë. Dhe shpesh jetonin më të barabartë, por jo më të pasur.

 Sepse socializmi shqiptar kishte një problem shumë të vogël në teori dhe shumë të madh në jetën e përditshme: gjërat që mungonin. Një ekonomi mund të prodhojë statistika, tonazhe çeliku dhe hidrocentrale, por njeriu i zakonshëm nuk ha tonazhe çeliku. Ai ha mish. Dhe këtu fillonte prova e vërtetë e sistemit. Në dyqane kishte mallra, por jo bollëk. Në shumë raste duhej pritur. Banesat ishin të subvencionuara, por të pamjaftueshme. Makina ishte më shumë simbol statusi sesa mjet i zakonshëm familjar. Mallrat e konsumit ishin të pakta dhe zgjedhja ishte minimale. Një qytetar mund të kishte punë dhe njëkohësisht të mos gjente atë që kërkonte. Mund të kishte para dhe të mos gjente mallin. Ky është një nga paradokset më ironike të ekonomisë së planifikuar: mund të zhdukte papunësinë duke mos prodhuar mjaftueshëm për atë që kishte punë. Dhe ndërsa shteti fliste për bollëkun që do të vinte, qytetari mësonte artin e të jetuarit me mungesën.

 Pastaj u hap dera. Jo ngadalë. Pothuajse u shkul nga menteshat. Pas vitit 1990, shqiptari zbuloi se bota ishte shumë më e madhe nga sa i kishin thënë. Zbuloi Italinë, Greqinë, Gjermaninë, televizionin satelitor, Mercedesin, supermarketin dhe emigracionin. Zbuloi gjithashtu papunësinë. Kjo ishte pjesa më pak romantike e lirisë. Fabrika u mbyll. Ndërmarrja u privatizua. Puna e garantuar u zhduk. Dhe shqiptari, i cili për dekada ishte mësuar të pyeste shtetin “ku do të punoj?”, papritur duhej të pyeste veten: “Çfarë di të bëj?”. Tregu kishte ardhur dhe, siç ka zakon tregu, nuk kishte as dhembshuri dhe as kujtesë. Në vitet e para të tranzicionit, për shumë familje shqiptare ndodhi ajo që në statistika quhet “ristrukturim ekonomik” dhe në tryezën e familjes quhej thjesht: “Ku do ta gjejmë bukën?”. Ishte çmimi i parë i lirisë ekonomike.

 Por tregu kishte edhe një dhuratë që sistemi i vjetër nuk mund ta jepte: mundësinë. Në socializëm, nëse ishe i aftë, shteti mund të të jepte një profesion të mirë. Në kapitalizëm, mund të bëheshe pronar. Mund të hapje dyqan. Mund të krijoje kompani. Mund të bleje një shtëpi dhe ta shisje. Mund të emigroje. Mund të punoje për një kompani të huaj. Mund të krijoje pasuri që u kalonte fëmijëve.Mund të humbisje gjithçka… Por mund edhe të fitoje gjithçka… Kjo është diferenca thelbësore. Sistemi socialist përpiqej të kufizonte humbjen. Sistemi kapitalist zgjeron edhe humbjen, edhe fitimin. Ai nuk premton barazi të rezultatit. Premton konkurrencë. Dhe konkurrenca është shumë më mizore se administrata, por ndonjëherë shumë më pjellore.

 Sot shqiptari jeton më gjatë, udhëton më shumë, konsumon më shumë, komunikon me botën dhe ka një zgjedhje mallrash që brezi i viteve 1980 nuk do ta besonte. Një familje e zakonshme ka akses në internet, telefon inteligjent, makina, banka, kredi, produkte ushqimore nga e gjithë bota dhe një larmi shërbimesh që dikur ishin të paimagjinueshme… Por ka edhe qira. Ka kredi. Ka emigracion. Ka papunësi. Ka diferenca të mëdha pasurie. Ka profesionistë me arsim të lartë që largohen sepse tregu nuk i paguan sa presin. Ka familje që zotërojnë shumë dhe të tjera që mezi përballojnë muajin… Kështu, shqiptari modern është shumë më i pasur se shqiptari i gjysmës së parë të shekullit XX, por nuk është domosdoshmërisht më i qetë. Dhe këtu nostalgjiku i komunizmit ka një argument që nuk duhet përqeshur: siguria kishte vlerë. Por edhe nostalgjiku i kapitalizmit ka një argument po aq të fortë: liria ka vlerë. Problemi është se të dy harrojnë gjënë më të rëndësishme. Njeriu ka nevojë për të dyja.

 Në fund të fundit, cila periudhë ishte më e mirë për shtresën e mesme dhe të ulët? Për shqiptarin shumë të varfër të viteve 1930, përgjigjja është relativisht e qartë: ai jetonte në një shoqëri ku varfëria, analfabetizmi dhe mungesa e shërbimeve publike kufizonin fort mundësitë e tij. Për shqiptarin e viteve 1960–1980, situata ishte ndryshe. Ai kishte një siguri materiale dhe sociale që paraardhësi i tij nuk e kishte: punë, arsim, shëndetësi publike dhe një shtet që merrte përsipër një pjesë të madhe të jetës ekonomike. Por paguante një çmim: nuk mund të zgjidhte lirshëm shumë nga gjërat më themelore të jetës së tij. Për shqiptarin e sotëm, mundësitë janë më të mëdha. Por edhe përgjegjësia është më e madhe. Shteti nuk i premton më: “Do të të gjej unë punë.” I thotë: “Gjeje vetë.”. Në vend të rrogës së garantuar ka konkurrencë. Në vend të dyqanit të vetëm ka qindra dyqane. Në vend të një rruge të caktuar profesionale ka mijëra rrugë. Në vend të një bote të mbyllur ka një botë të hapur. Dhe, natyrisht, në vend të një gabimi të bërë nga shteti mund të bësh vetë një gabim shumë më të shtrenjtë.

 Këtu qëndron edhe përfundimi. Të thuash se “në kohën e Enverit jetohej më mirë” është po aq e paplotë sa të thuash se “sot jetohet më mirë” pa specifikuar për kë dhe për çfarë. Nëse matim sigurinë e shtresave të ulëta, sistemi socialist kishte një avantazh të dukshëm. Nëse matim lirinë ekonomike dhe mundësinë për të krijuar pasuri, sistemi postkomunist është pa krahasim më i hapur. Nëse matim arsimin dhe shëndetësinë si akses masiv, revolucioni social pas vitit 1945 ishte transformues. Nëse matim zgjedhjen dhe standardin e konsumit, Shqipëria e sotme fiton me një diferencë që nuk ka nevojë për propagandë. Ndërsa Shqipëria e Zogut mbetet në një pozitë shumë më të dobët kur kriteri është mirëqenia e shumicës së popullsisë, sepse vendi ishte thjesht shumë i varfër dhe shumë pak i zhvilluar. Prandaj historia shqiptare mund të përmblidhet me një paradoks: Zogu i dha shqiptarit më shumë hapësirë për të pasur pronë, por shumë pak shqiptarë kishin pasuri. Enveri i dha shqiptarit më shumë siguri sociale, por ia kufizoi rëndë lirinë. Demokracia dhe tregu i dhanë shqiptarit më shumë liri dhe mundësi, por i thanë se sigurinë duhet ta blejë, ta fitojë ose ta ndërtojë vetë. Ndoshta ky është mësimi më i madh. Shqiptari nuk ka kërkuar kurrë shumë. Ka kërkuar atë që kërkon çdo njeri: të punojë, të hajë, të shërohet kur sëmuret, t’u japë fëmijëve një të ardhme dhe të mos ketë frikë nga dita e nesërme. Historia shqiptare e shekullit të fundit është historia e tri mënyrave të ndryshme për t’ia premtuar këto gjëra. Zogu i premtoi në emër të shtetit dhe pronës. Enveri i premtoi në emër të shtetit dhe barazisë. Postkomunizmi i premtoi në emër të individit dhe tregut. Deri tani, asnjëri nuk ka arritur të ndërtojë Shqipërinë perfekte. Dhe ndoshta arsyeja është fare e thjeshtë: shteti pa liri bëhet burg, liria pa siguri bëhet ankth, ndërsa siguria pa mundësi bëhet stagnim. Historia, me cinizmin e saj të zakonshëm, na kujton se shqiptarët kanë provuar të tria. Dhe ende janë duke kërkuar të katërtën: një Shqipëri ku të mund të jesh i lirë pa qenë i pasigurt dhe i sigurt pa qenë i robëruar.