Dionisi…

Gëzim Llojdia
1.
Ata që e kanë njohur Dionis Qirixidhin studentin e asaj kohe dhe poetin me shpirt të lirë për një kohë të gjatë,hija e tij ka qëndruar në heshtje,por , më në fund, vëllai i tij Spiro ka thyer këtë heshtje me një vepër monumentale.Disa kohë më parë ai bototi një libër prej 500 faqesh, frymë thellësisht prekëse dhe dëshmi e kushtueshme.Ajo i kushtohet jetës dhe veprës së një studimi dhe poeti të talentuar, duke u kujdesur në dritën e një historie, që meriton të dëgjohet.Emri i Dionisit nuk u përmend në aktive dhe përsëri ishte një mallkim i heshtur.Në atë plenum famëkeq të Komitetit Qendror, diktatori nuk e shqiptoi emrin e tij, por tha ca fraza të shkëputur nga poezia e tij moderniste. Ato fjalë, gjoja të pafajshme,u bën shkaku mizor që poetët e rinj të rrugëtonin drejt internimit, të dëbuar përtej mureve të qytetit. Nuk u përmend, por të gjithë e kuptuan, e ndjenë peshën e fjalëve të pathëna. Bëhej fjalë për Nisin .
2.
Dhe ja, një rrugë e dhimbsur, që con në Topalltit, drejt thellësive të Llakatundit. Atje, në errësirën e diktaturës, Nisi u emërua në NB Llakatund, si një drejtues i kulturës.Një ironi e hidhur për një shpirt aq të lirë dhe një talent aq të madh, i detyruar të shërbejë atje ku arti dhe fjala ishin zinxhirë.Ky libër i vëlla Spiros nuk është thjesht një biografi është një zë që i jep shpresë.Dhe një dritë që shkëlqen mbi një figurë në harresë, duke treguar sakrifikën dhe shpirtin e ndjeshëm të poetit Dionis Qirixidhit.
3.
Ndërsa libri i Spiro Qirixidhit hedh dritë mbi jetën e Dionisit.Atëherë miqtë dhe shokët e tij nisin të ndajnë kujtime të gjall .Si dhe duke shpalosur shtresa pas shtrese portretin e djaloshit pasionant.Ata risjellin në mendje lagjen ku u rrit Dionisi .Një lagje me një sfond të heshtur, por e mbushur me përmirësime, që formësuan shpirtin e tij të brishtë.Shumë e kujtojnë Dionisin gjithmonë me fizarmonikën në kra .Kur drejtonte kulturën në fermën e Topalltisë, një imazh i paharruar që flet për dashurinë e tij për muzikën dhe jetën.
4.
Këto kujtime nuk janë vetëm nostalgji për një poet ,ato janë pjesë të ndryshme të mozaikut Dionis.
Aktori i njohur Timo Flloko , një figurë emblematike e kinemasë shqiptare, e lidh emocionin e tij me rrugicat e lagjes Vrenez .Dhe aty ku Dionisi la gjurmët e para. Edhe pse kishte udhëtuar enkas nga Tirana për të përshëndetur botimin e librit prania e Fllokos kishte një kuptim më të thellë.Vëllai i Dionisit, Spiro Qirixidhi, më parë kishte botuar një libër tjetër, kushtuar Dr. Fllokos , babai i aktorit.Dhe duke treguar kështu një lidhje të vjetër dhe të respektuar mes dy familjeve.Kjo dëshmi e Timo Fllokos i jep një dimension shtesë, duke kërkuar në pah ndikimin e saj që Dionisi pati jo vetëm si poet, por edhe si mik.
5.
Portreti i Nisit .Kujtimet për Dionis Qirixhidhi thellohen më tej me dëshmitë e atyre që e njohën nga afër, duke nxjerrë në pah shtresëzime të ndryshme të personalitetit dhe ndikimit të tij. Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi, i cili e ka njohur personalisht Nisin, e ka sjellë portretin e tij në kopertinën e librit.Dhe pikërisht ashtu siç e mbante mend nga vitet e rinisë.Me penelata të ngrohta,piktori ka kapur thelbin e atyre kohëve të shkuara, duke i dhënë lexuesit një parafytyrim vizual të poetit, ashtu siç shkëlqente në rini.Ndërsa arti vizual sjell figurën e tij në dritë, fjalët e miqve dhe bashkëkohësve plotësojnë tablonë.Kritiku Harallamb Fani dhe pedagogu ,Petraq Truja, sollën detaje dhe çaste të paharrueshme nga vitet e shkollimit të Dionisit. Këto dëshmi, ndonëse mund të duken të vogla, janë thelbësore për të rindërtuar rrugëtimin intelektual dhe personal të Nisit si poet.
6.
Është interesante të vihet re dualiteti i perceptimit të Dionisit në vende të ndryshme.Në Vlorë,qyteti i tij i lindjes, banorët e lagjeve të hershme e njohin dhe e kujtojnë thjesht si Nisi poeti dhe studiuesi.Dhe një emër që rezonon me trashëgiminë e tij letrare. Mirëpo, në Llakatund, në Vllahinë, historia e tij merr një nuancë tjetër. Atje, ai njihet më tepër si “masoviku”, një kujtim i kohës kur ai drejtonte aktivitetet kulturore në fermën bujqësore dhe shkruante për gazetën lokale.Ky kontrast thekson adaptueshmërinë e tij dhe ndikimin që pati në komunitete të ndryshme, duke dëshmuar për një jetë të pasur dhe komplekse, të ndarë mes letërsisë së lartë dhe angazhimit në qëndrën e punës.
7.
Jeta dhe vepra e Dionis Qirixidhi morën një kthesë tragjike në vitin 2009.Ndërsa ndodhej në studion grafike “Milosao”, i goditur nga një ishemi cerebrale njësoj si poeti i njohur Xhevahir Spahiu .Dhe ai ishte në fazën përmbyllëse të një pune kolosale. Bëhej fjalë për një studim thelbësor mbi figurën e poetit të madh Bajron dhe raporteve të tij të panjohura me Shqipërinë. Nisi po i jepte dorën e fundit një vepre komplekse, që premtonte të hidhte dritë të re mbi lidhjet mes shkrimtarit anglez dhe vendit tonë. Kjo ndërprerje e dhimbshme e gjeti atë në kulmin e përkushtimit intelektual, duke lënë një amanet të pa përfunduar.
8.
…Për vite me radhë, Dionis Qirixidhi ka punuar me pasion në bashkinë e Athinës,në sektorin e emigrantëve.Aty, ai ka ofruar një mbështetje të njohur dhe të vlerësuar ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke dëshmuar jo vetëm për erudicionin e tij, por edhe për humanizmin e thellë. Ky angazhim social flet për një zemër që rrihte jo vetëm për letërsinë.Por edhe për fatin e bashkatdhetarëve të tij,i dhënë tërësisht pas zbulimit të të panjohurave në këtë figurë poliedrike.Poeti dhe studiuesi i mirënjohur Moikom Zeqo, një zë autoritar i kulturës shqiptare, ka shkruar në të gjallë të tij në parathënien e librit për Dionisin me fjalë që prekin thellë.
“Dionis Qirixidhi ishte miku im i hershëm, një natyrë njerëzore e profilizuar si askush. Poet, prozator, studiues, përkthyes, Dionisi është padyshim një personalitet i kulturës me të gjitha atributet semantike të kësaj fjale. Kam një nderim të posaçëm për të, sepse jam i vetëdijshëm për figurën e tij. Raportet e mia me Dionisin janë një kronikë e viteve të shumta, të një shëmbëlltyre të kthjelltë e të një miqësie të vërtetë.
Ai vazhdon të përshkruajë thellësinë intelektuale të Dionisit, duke theksuar se mendja e hapur, etja për dituri e bëri atë një profil kulturologjik të dallueshëm.
Ai përmend poezinë lirike delikate dhe tejet të ndjerë të Qirixidhit, por vë në pah edhe veprat e tij të mëvonshme si “Në Hiret e Venerës,” “Bajronin dhe Ismail Qemalin.” Këto libra, sipas Zeqos, krijuan “botën e tij të çuditshme, plot pelegrinazh shpirtëror, të kohërave dhe hapësirave.””
Ai e përmbyll përshkrimin me një metaforë të fuqishme: “Librat e tij i ngjajnë një ore e cila funksionon me mijëra ingranazhe dhe metafora, fakte dhe dashuri të pamat. Kjo orë nuk ndalet dhe nuk mund të ndalet.” Këto fjalë të Moikom Zeqos shërbejnë si një testament i fuqishëm për trashëgiminë e pasur intelektuale dhe shpirtërore të Dionis Qirixidhi.
9.
Jeta dhe vepra e Dionis Qirixidhit vazhdojnë të zbulohen.Dhe miqtë e tij tregojnë duke nxjerrë në dritë jo vetëm talentin e tij, por edhe vështirësitë e një kohe të errët.
10.
Nga vëzhgimet e mia .
a- Një nga dëshmitë më domethënëse është ekzistenca e një kopjeje të veprës së tij në Fondin e Mbyllur të Bibliotekës së Universitetit të Arteve. Aty gjendet botimi me titull “Buronjat Qirixidhi, Dionis”, i publikuar në vitin 1971 nga shtëpia botuese Naim Frashëri, me përmasa 16.5 cm.Ky libër, i mbajtur i mbyllur flet shumë për fatin e një shkrimtari nën diktaturë, ku edhe vetë emri i tij ishte bërë tabu.
b-Duke hulumtuar më tej, në gazetën letrare të kohës, “Drita”, gjejmë gjurmë të tjera të hershme të talentit të tij. Në korrik të vitit 1967, gazeta kishte botuar dy poezi të Dionis Qirixidhit. Njëra titullohej “Mbi bigë” dhe i ishte kushtuar Adem Rekës. Poezia tjetër, “Je më e fortë vajzë”, ishte më lirike dhe i dedikohej një vashe. Kjo vashë,një montatore në një nga fabrikat, ndoshta ajo e Sodës në Vlorë, shërbente si frymëzim për lirizmin dhe ndjeshmërinë e poetit.Në të dyja këto krijime, ndihet fuqishëm lirizmi dhe thellësia e vërtetë poetike e Dionisit. Fatkeqësisht,këto krijime, si shumë të tjera,ndoshta janë humbur me kalimin e kohës, duke e bërë edhe më të rëndësishëm çdo zbulim ,që hedh dritë mbi veprën e tij të fshehur.
11.
Dhe në fund po paraqesim rrëfimin e Dionis Qirixidhi si e ka njohur Dritëro Agollin,Xhevahir Spahiun,Jorgo Bllacin dhe të tjerë .
…“Tek lokali Guva shkruan Dionisi, lexoja poezitë e Jorgo Bllacit nën sfondin e këngës korçare, që Pano Taçin e mallëngjenin dhe e bënin 60 vjeç më të ri. Porsa ishim ndarë me njeriun që studionte “gjuhën e pëllumbave” për të interpretuar vargun e Homerit “ Pëllumbi i ndrojtur po sjell ambroz ” dhe mesazhet e Orakullit të Dodonës që i dërgonte Zeusi. Poezia është si një harpë që pret të tërhiqet korda e sajë, ndaj dhe Xhevos, “gjuha e pëllumbave”, këngët korçare e sollën tek ndjellja magjike e poezisë. Hodhi disa vargje në një copë letër ku kishte skicën e portretit të tij të bërë nga Skënder Kamberi, 30 vjet më parë. Eva, e bija e Jorgos na solli shishen e verës, tek po lexoja vlerësimin e Dritëro Agollit në parathënien tek përmbledhja me lirika e balada “Kuja e violinës”: “Në qiellin me yje të shndritshëm edhe Jorgo Bllaci është një yll që do të zërë vend në yjet e poezisë”. I them Xhevos se dhe unë “jam” tani në vitet ‘80, në ato ditë kur i pata dërguar një letër Dritëroit, dhe nesër shkoj të marrë përgjigjen. Do që të shkojmë bashkë me Nestorin?
-Sa mirë bëre që ma the, Nisi, se dhe unë s’e kam parë, që kur është operuar nga sytë.
Dritëroin i gjetëm mes pikturave, relikteve, diplomave, çmimeve, me Sadien pranë. Poeti ashtu i qeshur, na përqafoi dhe bëri humor kur na pa me qeskat e frutave nëpër duar. Në këtë mjedis miqsh u thashë se kam ardhur me peshqeshe nga Athina:
-Së pari sjell fjalën e Dritëroit në Selanik, në maj të vitit 2000, me temë:“ Fjala, Arti dhe Paqja”. Fjala e Dritëro Agolli bëri për vete auditorin, por dhe drejtuesen e takimit, profesoreshën me origjinë greke Eleni Glikatzi Arveler, ish-rektore e Universiteteve të Parisit, sepse poeti e ndriçoi dhe e qortoi shpirtin e trazuar të ballkanasve. Pas Dritëroit, Eleni G. Arveler radhiti “telegramin e katërt, të pestë…”.
Dhori Q. Qirjazi, që e pasqyroi këtë takim në ET3, shkruan: “…Do të doja ta ndiesh shpirtin të lehtësuar e të çliruar, dhe ti lexues, sepse e tillë ishte magjia e brumit që u gatua në magjen e magjistarit Dritëro…”.
Thashë, meqenëse, Poeti mundet që ta ketë humbur diskutimin e rikopjova dhe e solla si urim për suksesin e ndërhyrjes kirurgjikale që u bë në sytë e tij.
-Dhuratë tjetër që po të sjell, Dritëro, është dhe një letër nga Nase Jani, që ndodhet në Athinë, ku mes të tjerave shkruan: “ …po shkruaj një Libër të tërë “Takim me Dritëronë” (titulli fillestar). Libri do jetë interesant se ka brenda takimet, telefonatat, letrat, shkrimet-skica, deri tek ëndrrat (me dhe për Dritëronë). E kam gati, por do gjej një kohë të përshtatshme dhe të vi aty të bëjmë një “miratim”, siç bëmë për romanin Çmendina, që më the: “Çmendina vërja emrin, Nase, se Shqipëria jonë është e bukur, por ka njerëz të çmendur…” dhe unë vura në krye dy vargjet e Tu: “Në vendin tim e në vendin tënd,/ një kokë e çmendur një vend e çmend!…
Me Dionisin po të dërgoj një “pagurkë rakie” me një dopio raki ballë kazani, dy vjeçare. Nuk i harroj ato fjalët e Tua: “Çfarë dreq poeti është ai që nuk i sjellin raki”. Prandaj po të dërgoj “kombin e fundit” nga rakia që më erdhi nga Përmeti… Sadijes shumë të fala! Këtej të kujtojmë të gjithë, me të veçantin, mikun tonë të mirë, Dr. Evriviadhi Goron!”.
– Kjo është e para. Ndërsa në takimin e shkrimtarëve ballkanikë, Dritëroi tha (dhe nisa, miqve t’ua lexoj):
“…Shpirti ballkanas ka tre shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Dhe vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tre shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen djaj të vegjël. Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtje nacionale, nëse vepron vetëm shpirti evropian humb indetitetin dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet…”
Dritëroi- Atje ishte një auditor i gjerë. Fjalën e mbajta frëngjisht, dhe ma përktheu Dhori Q. Qiriazi. Në takim ishte dhe një regjisor i famshëm serb; ndërkohë në Jugosllavi ishte gjurulldia e luftës. Eleni Glikatzi Arveler kishte shqetësimin e madh se mos grindesha me regjisorin serb, që ishte ftuar në takim. Përkthyesja e rusishtes, një vajzë greke, që më kishin caktuar, i tha se ata të dy i shoh që pinë kafe dhe debatojnë të qetë. Por Eleni nuk bindej, se kishte merakun se mos i prishnim konferencën. Biles i thashë Elenës se regjisori është kundër Milosheviçit. Ajo u kënaq, sa i thashë unë, por me humor shtova: “unë kam për t’u çuar në konferencë, në se më prek pak, dhe atëherë do të bëjë kërdi”. Qeshëm te tre bashkë. Regjisori i famshëm serb na tha diçka të mençme, që më mbeti në kujtesë: “ Ne luftën e kemi bërë stinë, dhe nuk kemi katër stina, por kemi: Pranverën, verën, vjeshtën, dimrin dhe stinën e luftës. Lufta është stina e pestë”. Pasi u larguam për në atdhe e mora në telefon, që ta pyesja se si ishte. “Kohë lufte”- më tha!
Pas gotës së parë të rakisë, që na serviri Sadija, Dritëroi hapi pagurin që dërgoi Nasia, për të shijuar rakinë e Përmetit, dhe biseda u bë një mozaik enciklopedik, ku përfshinte poezinë e Homerit e Pindarit, Hafizit, Rumiut dhe Naimit, të Ali Asllanit, Seferisit e Elitisit, pikturën impresioniste, dhe atë abstrakten, shkrimtarët e brezit të humbur, dhe këngën popullore…Se biseda me Dritëroin ka të pleksura bashkë seriozitetin, humorin, sarkazmin, marrëzinë dhe befasinë e mënçurisë.
– Bëjmë dhe marrëzira- njerëz jemi.- tha Xhevua.
Dritëroi, befas gjeti rastin të flasë për maninë e etimologjisë të fjalëve me shqipen, siç është rasti i prejardhjes të emrit të qytetit të Leçes. Herë me seriozitet e herë me humor ai bënte shaka me Xhevon, që e tepronte kur thoshte se Leçe vjen nga fjala shqipe Lis, ndërsa ajo vjen nga fjala Late- qumështi! Ta shohim, i tha Xhevua, do të bind për të të kundërtën. Ç’punë ka qumështi me Leçen!? Leçja ka si emblemë lisin. E kam parë me sytë e mi.Tek flisnin për prejardhjen e fjalëve, e prirjen për t’i shpjeguar me shqipen, mu kujtua Eqrem Çabej, kur thoshte: “… etimologjia ngjan me një lëndinë shumëngjyrëshe, ku gjen gjithfarë insektesh, prej të cilëve shumë pak janë bletë mjaltëse. E nëse dikush dëshiron të bëhet e të mbetet “bletë mjaltëse”, i duhet të mbajë parasysh se “krahasimi i një fjale tjetër me një fjalë të së njëjtës gjuhë mund të quhet një etimologji, vetëm atëherë kur ai krahasim të jetë arsyetuar mirë, të jetë bazuar mbi ligjet fonetike dhe të jetë shpjeguar mirë edhe nga ana morfologjike e kuptimore.”
-Avdurahman Meçaj nuk të heq nga goja Dritëro!- i thotë Nestori, duke i treguar dhe vlerësimin e tij për krijimtarinë.
-Po, djalë i mirë, i shkëlqyer, Avdurrahmani shkruante shumë mirë, e kam njohur kur ishte i përndjekur, dhe miqësinë e kemi ruajtur edhe sot. U mundova ta ndihmoja, por…
-Dhe tani shkruan prozë cilësore- e plotësoj unë mendimin e Nestorit, që ma miraton dhe Xhevua.
-Ishte nëntor i vitit 1962, Dritëroi kishte ardhur në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë. E prita kur po merrte gazetën tek libraria afër Sheshit, me një fletore me vjersha në dorë. Jam nxënës,- i thashë, dhe i tregova vjershat. E shoqërova një copë udhë. Ma mori fletoren, dhe ma humbi.- thotë duke qeshur Xhevua. Po mirë bëri.
– E harrova në hotel, veçse poezitë i lexova!
-Kjo ishte njohja e parë me Dritëroin.- vazhdon të tregojë, duke u ngritur tashmë në këmbë, e duke qëlluar ballin me pëllëmbë-Çudi si mu kujtua ky çast: Porsa kishim lexuar poemën e Dritëroit ku thoshte dhe emrin e një klubi ku rrinte me shokë. Vajtëm ta takonim, bashkë me Spiro Deden. Shkrova, para se sa të vinte në klub disa vargje, kur e shohim se me të vërtetë erdhi së bashku me Vito Koçin dhe Miço Kallamatën. Shihnim me kërshëri si do reagonte me këtë poezi që ja dërgova me kamerierin:
Një krikë me birrë/ në klub sot na solli/ po ty nuk të gjetëm askund/ E njihni lirikun e madh nga Devolli?/ Garsonit ju lutëm më në fund./ E si mos e njoh komikun e hollë/ Paçka që s’na lë asnjë grosh,/ Më thanë letrarët kur u mblodhë/ krejt famën ia hodhën përposh”…
-Qenka poezi e bukur!- tha Dritëroi, pas 46 vjetësh.
-Ndoshta e ke në arkivin tënd, se ajo ka dhe vargje të tjera…Se pas poezisë së parë të dërgova dhe të dytën dhe shikonim me kërshëri reagimin se na thanë se Dritëroi bën dhe humor të hidhur, si i thonë. Katër vargjet e asaj vjershe nuk i kam harruar, pasi porsa ishte botuar cikli me poezi ku kish vjershën për nënë Hatixhenë, që e “modernizova”, gjasme:
Mamaka ime, biondinia, Hatixhe,/ më simpatikja nga të gjithë qytetaret,/ më prodhoi një ditë spontanisht mbi xhade,/ porsa doli nga Opera “Peshkatarët”…
-Po ju pata student në Universitet…- kujton Drotëroi, i thashë Todi Lubonjës t’u merrte në “Zëri…”, ty Spiron, Ludën, Gaqon. Heshti pak dhe pastaj na tregoi vëllimin me poezi “Nga vjen kjo muzikë”.
-Poezia në çdo gjuhë që të shkruhet, dallohet nga muzikaliteti…- tha Nestori, kur lexoi një poezi të Dritëroit në italisht.
– Poezia mund të mos ketë rimë, por muzika është e domosdoshme, pa muzikalitet s’ka poezi- tha Dritëroi, me dy vëllimet e tia poetike të përkthyer në italisht e rusisht, nëpër duar.
-Eno Grasi deshte të dëgjonte poezinë në shqip, ritmin e rimën, për ta përkthyer atë saktë. – kujton Sadija.
-Po, kërkonte muzikalitetin që duhej të përçonte, ta ndiente edhe nëpërmjet recitimit në shqip. Ilia Fonjakov, shkruan në parathënie rusisht, se çudia e poezisë shqipe është se ajo del befas atje ku ti nuk e pret. Befasinë e ka dhe poezia popullore: U çmenda po lidhmëni/ tek mikja ju shpimëni,/ se ajo di e bën magji/ me mollët që ka në gji . Një njeri i çmendur i dehur nga dashuria, sikur flet me vete Dritëroi.
Xhevos, duke dëgjuar Dritëron, i erdhi befas t’ia marri këngës, që të mund të komentonte me patos vargjet për të mirën që populli e përfytyron si të mirën e brendshme, mirësi e prekshme e përjetshme, që përgjithësohet në të mirën abstrakte, estetike: O shkoftë e mira na dëgjoftë…
-Ja kështu- tha poeti,- këndonin në fshatin tim në Malind, kur isha i vogël. Ç’ishte kjo e mira? Folë, Agoll!
-Gjoleka dërgoi njerinë – këndon populli,- e plotësoi mendimin Dritëroi- Njeriun, pra, si kallauz…
I tregova Dritëroit dhe Sadies, historinë e letrave të dashurisë të Seferisit dërguar nga Korça, së shoqes, Maros. Xhevua me emocion shpjegoi vizitën e tij në shtëpinë muze të Seferisit dhe bisedën me Anën, të bijën para jaseminit të mbjellë nga dora e poetit. Siç e ka Xhevua, nisi të na recitojë poezinë e Seferisit përkthyer prej tij vite më parë:
Le të bjerë nata/ le të shkrepë agimi/ i bardhë mbetet/ jasemini.
Ne, vijoi poeti, duhet të gjejmë e të fuqizojmë ato që na bashkojnë. Janë intelektualët ata që arkitektojnë frymë bashkëpunimi, fqinjësie të mirë…
Xhevua i ngritur tanimë në këmbë, në sfond të peizazheve, që zbukuronin muret e dhomës së poetit, me impulse poetike fliste për peizazhet e Eduard Lirit e peizazhin me Tomorin e kaltër, të lënë në mes me shënime të shumta përbri. Mandej bisedën e solli te romani “Jeta në varr” të Strati Mirvilisit, pasi Xhevua pat takuar në Athinë mbesën e djalit të shkrimtarit. Kjo i dha mundësi Dritëroit të flasë për përfaqësuesit e brezit të shkrimtarëve të brezit të humbur që ishin kundër Luftës së Parë Botërore, Hemiguejn, Remarkun, Ungaretin, Strati Meirivilin, që vunë themelet e asaj që u quajt letërsi e shkrimtarëve të brezit të humbur…
-Kini kujtesë mahnitëse Dritëro! Dhe kur nisa të t’ kujtoja një aventurën me peshkatarët e sardeleve, dhe Nikolla Zoraqi, natën në mes të detit, kur kishte mbaruar pija, dhe tentuat të merrnit alkoolin e busullës, nuk kishe harruar jo vetëm emrin e drejtorit të ndërmarrjes, Llazarit, por dhe të inxhinierit, Agathakliut, e detaje që mua më ishin fshirë nga kujtesa…
-Kujtime të bukura kini dhe nga shoqëria me piktorët vlonjatë…
-Në pikturën tonë nuk kemi shkollë veç Shkollës së Vlorës, tha Dritëroi. Kjo ishte një rrymë, kur ato, në ato kohëra, nuk lejoheshin. Tani që është koha e shkollave, piktorët e ngopur me shkolla, dhe duke bërë një jetë individualiste, megjithëse fizikisht jo të bashkuar, ndjen, tek disa se i bashkon përsëri ajo shkollë, të cilët brenda saj kërkojnë pasurimin e zhvillimin. Shoh se disa kanë ndërruar krejtësisht identitetin, qenien tyre, janë hedhur në “modernet”. Tek të tjerë shoh se kanë humbur natyrshmërinë. Ndodh ashtu si në natyrë që brenda dashit kërkohet që ai të përpunohet, të bëhet më i madh, dhe jo dashi të bëhet cjap. Ashtu si poezia e Xhevahirit, do të ishte jashtë natyrës së sajë, në se do humbiste identitetin e do të kthehej, përshëmbull në abstrakte, duke mos ruajtur as llogjikën e fjalëformimit e normat gramatikore, vetëm e vetëm që të duket moderne!
“Po të bënte berberi një album me kokët e qethura…”, më erdhi ndër vargu i poetit dhe i thashë:
-Më kujtohet Dritëro se i the Nestorit se hedhja e të jeshiles në tablo është tepër e vështirë…
Duke debatuar për një peizazh të Zihni Veshit, Dritëroi tha:
– Krijimi i një peizazhi ka dhe të papritura. Më i vështiri është pikturimi i ullirit, i cili është i hidhur, por dhe i ëmbël. Sadik Kaceli e pikturonte çuditërisht, mirë. Sepse ullirin po të mos të dish ta pikturosh, del si kaçube. Aq me gunga dhe i shëmtuar që është, por dhe aq dhe i bukur, hyjnor, jo më kot dega e ullirit e marrin si simbol paqeje.
Mandej Dritëroi më përgëzoi për librin që dua ta ribotoj, dhe më tha se boshllëku që ka ekzistuar në kulturë duhet të mbushet, ashtu si në natyrë, që nuk ka boshllëk. Ajo plotësohet, ashtu si boshllëku i termometrit. Atë që kemi humbur, tani në kohë moderne mundohemi ta plotësojmë, disa eksperimentojnë ato që bota i ka provuar prej kohësh. Disa gjëra me të vërtetë nuk ishin bërë të njohura, por krijuesit bënin ç’shtë e mundur ta kërkonin të renë.
Dritëroi, ashtu i menduar, sjellë në kujtesë romanin Doktor Shivago, që ishte i ndaluar në Shqipëri. E gjeta frëngjisht në Kongo.Ismaili më pyeti “Ta marr?”
Merre i thashë, por mos ta mësojnë…Unë jam prej kohësh pelegrin.
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer…Nuk di pse mu kujtuan këto dy vargje…Ndoshta se bisedën e konsideruam të hapur. Atë kemi për ta vazhduar tanimë dhe me Skënder Kamberin, që t’i shtojmë mozaikut të magjisë enciklopedike të dialogut me Dritëroin, jo vetëm befasinë e fjalës së Xhevos, maturinë e Nestorit, por edhe bukurinë e rebelizmit të mendimit të veçantë të Skënder Kamberit.
Fotografia…publikuar nga Viron Kona bardhe e zi me ngjyra G.Llojdia.
Dionis Qirixidhi, Hiqmet Meçaj, Koço Kosta, Viron Kona, Fatos Arapi, Ferhat Çakëri, Xhevair Spahiu, Harallamb Fandi, Reshat Osmani. Tiranë 1984.