Dy personazhe në librin:”Misionarë të miqesisë Gjermano-Shqiptare”-Nga Shyqyri Fejzo

Nga Shyqyri Fejzo

Përpara se të flasim për djalin e sapo ardhur në jetë të çiftit Mehmet dhe Ajshe Musa, e shikojmë me vend të ndalemi sado pak në përshkrimin e zonës së komunës së Vitisë në Kosovë dhe veçanrisht fshatin  Pozharan ku është lindur Xhelili. Ky  është vendbanimi më i madh në komunën e Vitisë dhe gjendet në pjesën e Anamoravës. Aty është hapur shkolla e parë shqipe në Kosovë, ndërtuar  në vitet 1904-1911 me urdhër të Hasan Prishtinës. Po të hedhim një vështrim jetëshkrimor të figurave që ndikuan direkt në këtë ngjarje të madhe, ata kanë një gjë të përbashkët. E kanë konsideruar arsimin dhe kulturën një gur themeli për të ngritur dhe formuar bukur ngrehinën e jetës. Nuk është rastësi që ky fshat që numuron 8.000 banorë rezidentë dhe mbi 3.000 që jetojnë në mërgatë, ka nxjerrë e dhënë shoqërisë shumë kuadro e specialist të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në vend dhe jashtë.  Pikërisht, në këtë vendbanim të pasur me tradita patriotike e kulturore, erdhi në jetë dhe personazhi ynë i këtij shkrimi, Xhelil Musa, i cili u lind më 10 Korrik të vitit 1950. Ai që gëzoi zemrat e njerëzve të shtëpisë ishte një djalë, emrin e të cilit nuk e patën të vështirë për t’ia vënë. E quajtën Xhelil.

Djali i porsa lindur u nis një fëmijë i mbarë. Familja e varfër që “ngjyente  bukën me dhallë” kur i thonë një fjale, u kujdes shumë për djalin që të rritej e të  zhvillohej. Ai e filloi jetën pa asnjë lloj komoditeti. Me kalimin e kohës u rendit më i madhi i 11 fëmijëve. “Më i madhi,  hallemadhi” tirret theku i bisedës në këto raste në shqipfolësit. Atij rrallë i vinte rradha të provonte dhe përkëdhelitë e prindëve.

Kur kishte arritur mosha për në shkollë, i ati, Mehmet Musa, i cili shkollën e quante pasuri më vehte, e rregjistroi Xhelilin e vogël në klasën e parë në shkollën e fshatit. Me mësime shkonte mirë. Kishte interes të mësonte sa më shumë dhe me cilësi.

Vitet rridhnin dhe ja ku Xhelili kalon në shkollën 8 vjeçare të Gjilanit, e cila ishte rreth 16 km larg fshatit. Në ato vite varfëria ka qënë e madhe. Të jesh i varfër është një përvojë shumë e turpëshme, e cila degradon dinjitetin dhe ndjenjën e vet-vlerësimit tek tjetri. Gjendja e dobët ekonomike dhe vuajtja, është quajtur një shkollë e veçantë, e cila ndikon jo pak për një ardhmëri të suksesëshme të individit. Varfëria ishte një realitet dhe në vorbujt e saj ishte përfshirë edhe Xhelili e familja e tij.

Si fëmija i madh edhe atij i ra barra për të ndihmuar familjen. Punoi tre vjet në Vojvodinë (punë të vështira bujqësie me orar të zgjatur.) Aty u kalit me vështirësitë  me disiplinën në punë, si dhe shoqërizimin me njerzit e punës. Ai aty mësoi ç’është djersa vlera dhe aroma e saj. Ai rritej dhe “piqej”më shpejt se koha. Me një familje të varfër, me plot nevoja ekonomike, ai nuk gëzoi si gjithë të tjerët kohën e adoleshencës, me lodra, sporte, me banjo në lumë,  shetitje me shokë e shoqe. Dhe vetë çuditej si iu vodh dhe rrodhi aq shpejt adoleshenca.

Në ecurinë e mëtejshme të punëve e problemeve shumë njerëz besojnë tek fati. Por ka edhe thënie të mençura se:”fati rri krah për krah me trimin.” Fati dihet ka pjesën e tij. Por, kur ky fati shikon se çfarë pune, çfarë këmbëngulje e përpjekje bën njeriu, ashtu si bëri Xhelili, mban anën e guximtarit. Në rastin tonë, fati mbajti anën e Xhelilit. Ai tani me pasaportë në xhep me guxim dhe kurajo, nëpërmjet Entit për Inkuadrim, fitoi të drejtën që të emigrojë në Gjermani  me vizë pune njëvjeçare.

Për gjeneratën e parë të shqiptarëve ardhja e tyre në Gjermani ishte ura e parë e hedhur midis dy vendeve. Kjo ishte një urë e brishtë, me shumë të pa njohura, të cilave u bënë ballë emigrantët e parë, midis tyre dhe Xhelili. Ai në Hamburg provoi një seri punësh, duke bërë dhe kualifikime cilësore për sejcilën prej tyre. Punoi për një kohë në gjigandin gjerman „KRUP“ si tornitor (metalgëdhendës). Bëri kurset përkatëse për shofer dhe mori patentë 2 dhe 3, duke u bërë me sukses shofer autobusi. Në kohën e lirë  natën vazhdonte punën si shofer taksie. Në vitin 1983 kreu 6 semestra kurse te vizatimit teknik. Më pas iu kushtua artit të guzhinës e hotelerisë. Në kualifikimet e punën e Xhelilit vihej re përqëndrimi i lartë, kualifikimi cilësor dhe vullneti i madh për të kapur e çuar çdo punë deri në fund me sukses. Ksisoj ai ngjitëte shkallët e kualifikimit me shpejtësi dhe forconte besimin tek gjermanët për një njeri puntor, të saktë dhe me gjithë cilësitë që kërkonte puna dhe vetë Gjermania.

         Mbasi erdhi në Hamburg, mbas 4 muajsh u njojt me një vajzë gjermane, Silvia Magor, me të cilën bashkëjetuan 5 vjet dhe në vitin 1976 u martuan. Ai flet me super relative për bashkëshorten e tij e cila duke parë energjitë e zgjuarsinë e Xhelilit, si dhe synimet për të ecur përpara, e mbështeti fuqishëm në të gjitha hapat, si në mësimin e gjuhës gjermane, kualifikimin e tij në mësimin e marrjen e patentave 2 e 3 për makine e deri autobus në vitin 1973, në mësimin e vizatimit teknik në 6 semestra në vitin 1982. etj. Më pas do e nxitëte e ndihmonte si bashkëshorte e bashkëvepruese në ngritjen dhe konsolidimin e bizneseve.

       Krahas punës intensive, konsolidohej e rritej dhe familja e re. Tashmë ajo u shtua dhe me dy djem, me Ardiantin dhe Samiun. Ardianti sot është bisnesmen, ndërsa Samiu deputet në Bundeshtagun e Hamburgut me rol aktiv ne politikë.

          Në vitin 1983 hapën lokalin Restorant „Adria Grill“ me të cilin vepruan me sukses deri në vitin 1988. Më pas u shtuan lokalet deri  sa  në vitin 1994 u gjendën me 10 restorante. Kështu, Xhelil Musa ngjitëte një nga një shkallët e jetës së suksesëshme, i sigurtë dhe i vendosur. Ai dhe e shoqja si partnere në bisnese, kanë zbatuar në kushtet konkrete kërkesat e psikologjisë së suksesit të kohës. Në njërin nga takimet e herë-pas-herëshme që bënin gazetari i DV i bëri një pyetje pak ngacmuese Silvës dhe mori përgjigjen e mëposhtëme.

 “Kur e kam takuar burrin tim para 45 vitesh, që në shikimin e parë më ka pasqyruar. Nuk mund të them çka, por ka një fuqi që më ka tërhequr. Ne ishim të rinj. Kur e pyeta:”prej nga vjen?”më tha nga Kosova. Kurrë nuk e kisha dëgjuar këtë vend. Të gjitha këto vite me anën e tij  dhe krahët e tij kam mësuar shumë jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë, po përgjithësisht për humanizmin, për emigracionin, për mikpritjen. Nuk mund të shprehem dot me fjalë. Kam qënë në anën e tij. Kjo më bën krenare. E ndjej veten gruaja më e lumtur në botë, në se mund të shprehem kështu. E kam një burrë në anën time që s’mund të mendoj të ketë më të mirë.

Sot këtu dëgjuat shumë rrëfime për arritjet. Më ka falur dy djem të mirë. Ne kemi pasur një jetë të vështirë, sepse e kemi filluar nga zero. Këto që i kemi i kemi arritur së bashku dhe kjo s’ka qënë e lehtë. Ne me njëri tjetrin jemi shkrirë dhe jemi bërë një, si në punë dhe në jetën private. Për mua jeta s’ka kuptim pa Xhelilin. Ai e ka falenderuar Gjermaninë e cila i  dha mundësinë të vijë të punojë dhe të jetojë këtu. Por ju nuk e dini sa e falenderoj unë Gjermaninë që para 45 viteve e mori nga Kosova. Për  ndryshe nuk do e takoja  këtë burrë të mrekullueshëm.”

        Këto objekte bisnesi që rezultuan të suksesëshme, kishin qartësinë e mendimit të Xhelilit e  të  bashkëshortes tij, e cila ka qënë jo vetëm ndihmsja  kryesore por edhe nxitsja e frymëzuesja e këtyre arritjeve,

Të rrallë janë njerzit si Xhelil Musa, i cili për gati 50  vjet veprimtari, punoi dhe veproi për të ngritur e mbajtur familjen e tij:-punoi dhe veproi për kauzën kombëtare;-punoi dhe veproi për të ngritur ura bashkëpunimi dhe miqësie midis dy popujve tanë, popullit shqiptar dhe atij gjerman. Këto janë tri shtylla të forta që Xhelil Musa ngriti për 50 vjet me rradhë, shtylla  të forta këto mbi të cilat qëndron madhërishëm portreti dhe vepra i këtij atdhetari dhe humanisti shqiptar.

Duke aderuar si antar i Partisë PSD gjermane  që nga viti 1980 Xhelili ishte njeriu kryesor që sqaroi para politikës gjermane pozicionin, përpjekjet e luftën e shqiptarëve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e tyre deri në shkëputje e mëvetësi.Në vitin1991 Xhelili organizoi takimin e politikanëve shqiptarë të Kosovës me deputetin gjerman Hans Kloz për sqarimin e disa problemeve që nxirte koha. Xhelili në çdo takim e veprimtari do të shtronte çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë e ditës së Flamurit aiorganizoi një mbrëmje solemne me  pjesmarrjen e  shumë shqiptarëve nga treva të ndryshme si dhe 70 politikanë e autoritete gjermane, midis të cilëve 6 deputetë të Bundeshtagut, si dhe zoti Folker Ruhe ish ministër i Mbrojtjes të Gjermanisë në kohën e luftës në Kosovë.Të gjithë pjesmarrësit në atë mbrëmje solemne kushtuar një Jubileu të lavdishëm kujtojnë fjalën e z. Folker Ruhe:”…Njëqind vjet pavarësi e popullit shqiptar. Popull i vjetër dhe i ndershëm…Askush nuk dyshon se Shqipëria i takon Evropës…Shqiptarët janë një elitë e re dhe një pasuri e jashtëzakonëshme. Unë njoh shumë kosovarë dhe shqiptarë.Janë të zellshëm dhe të pa përtueshëm. Këta janë një pasuri e madhe për shoqërinë gjermane dhe urë lidhëse midis familjeve të tyre.”

Ndërsa Brigitta Schultz  MHB  do të deklaronte:”I vlerësoj lart sukseset e tyre. Ai erdhi këtu i ri, pa e njohur gjuhën gjermane,u ingranua në punë dhe me ndihmën e gruas kanë arritur rezultate dhe konsolidim të familjes. Përulem përpara sukseseve të tij dhe familjes tij. Ju uroj shëndet dhe fat.”

Xhelil Musa bën pjesë në “kreshtat” e njerëzisë të kombit shqiptar i cili ka dhënë shumë për Dardaninë Shqipërinë dhe më tej. Njerzit si Xhelili janë njerëz si gjithë të tjerët, por dallohen sepse ata bëjnë gjënë e duhur në kohën  e duhur. Ndalim një moment në këtë drejtim. Kulmi i veprimtarive dhe i shpenzimit të aftësive e intelektit të Xhelilit ka qënë dhe është atëhere kur e donte momenti shoqëror, politik dhe ekonomik. Kur çështja e rëndësishme kombëtare,  mëvetësia e Kosovës, përgatitje e opinionit ndërkombëtar për këtë akt të madh politik e atdhetar, Xhelilin e gjeti në kulmin e veprimtarive. Nuk është rastësi që në ato vite të lavdishme Xhelili ka intensifikuar punën dhe luftën për kauzën kombëtare. Duke qënë antar i Partisë Socialdemokrate Gjermane nga viti 1980, atij iu krijuan mundësi dhe ato i përdori në kohë në favor të kauzës së vendlindjes. Ai, në takimet me politikanë e personalite të rangut të lartë gjerman nuk pushoi së ngritur probleme që sillte koha. Të tilla janë takimet me ministrin e mbrojtjes të Gjermanisë në kohën e luftës në Kosovë, Falker Ruhe, me ministra, deputete, deri me kancelarin Gerhard Schroder e dhjetra të tjerë. Duke e njohur me themel traditën e zakonet gjermane, ai problemet i ngrinte konkretisht, shkurt e qartë, dhe si i besueshëm, ato gjenin zgjidhje.

Humanizmi dhe bujaria janë tipare themelore të  identitetit të zotit  Xhelil Musa. Nëpërmjet   bisnesit  ai ka siguruar gjithëçka që i nevoitet   për jetesë normale, por mendon dhe vepron edhe për ata që kanë nevoja të ngutëshme, duke u bërë  një filantrop klasi për kohën. Thënia latine për këtë problem nxjerr në pah mendimin se: “Bëhu bamirës në se do të  bëhesh  i dashur.” Por Xhelil Musa e ndjente, ja donte zemra dhe shpirti të bëhej bamirës.  Kuptohet, si ata që e njohin nga origjina dhe shkrimi që po përcjellim për ju, ka hedhur dritë plotësisht mbi kohën që familja e tij dhe ai vetë kishte  provuar konkretisht varfërinë. Në çdo fjalë  (megjithëse fjalën e ka të kursyer) në çdo veprim ai duket sikur luan një simfoni ku tasiera e tij e preferuar në të është humanizmi.

          Ai i kuptonte dhe i ndjente nevojat dhe problemet që kishin njerzit, subjektet, vet fshati i tij  Pozharani apo më tej. Bie në sy një fakt kuptimplotë. Me të shoqen, Silvën, siç janë në unison në familje, bashkëpuntorë në bisnese, janë të një mendimi dhe nxitin njëri-tjetrin për bujari dhe mirësi më të mëdha.

Është fakt, si shkruan media gjermane, se ai bën dhe politikën nëpërmjet ndihmave, politikë kjo në mbështetje të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Kështu, në ndihmë të fëmijve distrofë në vitin 2017, ai dhuroi shuma modeste për ndihmë. Nga aktiviteti futbollistik të ardhurat jo njëherë i kanë kaluar po ashtu, fëmijve distrofë. Kur shkollat shqiptare në Hamburg u shkëputën nga Jugosllavia, ato gjetën mbështetje financiare nga Xhelil Musa.

Kuptimplote është ndodhia e datës 22 shtator 1993, kur ai pret për tri ditë dhe i mban falas në hotelin e tij dy autobusë me 33  nxënës nga të gjitha komunat e Kosovës. Nxënësit e Kosovës shoqëruar nga mësuesit Shaban Berbatovci dhe Besim Kurteshi janë shetitur dy javë nëpër Gjermani, etj.

          Si fill i kuq gjithë përfshirëse paraqitet roli dhe vendi i Xhelil Musës përsa i përket humanizmit dhe bujarisë. Në këtë proçes edhe organet shtetërore e legjislative të Kosovës Shqipërisë etj. e vlerësojnë lart këtë veprimtari. Kështu, Kuvendi i Shqipërisë bëri një xhest kuptimplotë duke i akorduar z. Xhelil Musa dekoratën e lartë “Nënë Tereza”. Kjo dekoratë, siç u theksua dhe në ceremoninë e dorëzimit të saj, mendojnë se është më e bukura, më  e gjetura për këtë personalitet. Gjithë sekush e ka të qartë se njeriun nuk e nderojnë dekoratat dhe titujt. Përkundrazi, në këtë rast njeriu nderon dekoratën e lartë e plotësisht të merituar.

Moment në Kuvendin e Shqipërisë kur dorëzohet dekorata e lartë “Nënë Tereza”.

Komuna e Vitisë, nga ana e saj, e ka nderuar qytetarin Xhelil Musa me vlerësimin “Qytetar Nderi.”me rastin e 70 vjetorit të lindjes tij. Ai, nga institucioni përkatës ka marrë titullin e nderuar “Ambasador për Paqen”,

Ai punoi me mish e me shpirt për ardhmërinë e Kosovës. Si atdhetar i dallueshëm roli i tij është i gjithëanëshëm në pjesmarrjen në tubime, në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, si dhe përdorimin e mediave të ndryshme, simboleve si flamurët, pankarta shtypi  etj që ndihmonin për sensibilizimin. Nuk ka ngjarje, aksione, mobilizim forcash e mjete financiare ku të mos jetë dhe roli e kontributi i Xhelil Musa. Pastaj, dihet që periudha nga vitet nëndëdhjetë deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës ka qënë e gjatë, plot peripeci, por edhe arritje. Xhelili punoi intensivisht në veçanti për të bërë të njohur objektivat përse luftonte UÇK dhe populli shqiptar i Kosovës , në autoritetet e larta politike gjermane, me synim të merrte përkrahjen e mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Dhe atë përkrahje e mbështetje me shumë punë e peripeci, e arriti së miri.

 Një takim interesant i z.Xhelil Musa ka qënë dhe ai që është bërë në vitin 1997 kur skuadra kombëtare e futbollit të Shqipërisë do të luante me Gjermaninë në Hanover.

Dashamirës i zhvillimeve sportive dhe mbështetës i talenteve të reja, Xhelili ka prezantuar, nxitur e ndihmuar talente të sportit të Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë pozicion ai është edhe i zgjedhur i FIFA duke dhënë rolin e tij.

Në thelb identiteti i zotit Xhelil Musa është i pa ndarë nga humanizmi dhe bujaria. Këto veti ai i ka shpalosur në vazhdimësi, të cilat me theks kanë dalë në momentet më të vështira për vendin dhe njerzit. Ndihmoi dhe ndihmon me gjithë forcën problemet e vendit, si gjatë luftës e me vendosjen e demokracisë, të shqiptarëve cilatdo qofshin ato, të sportit e talenteve etj.

Familja e Xhelil Musa dhe djali i tij Samiu, në qytetin e Hamburgut janë të njohur si persona të cilët rrezatojnë mirësi e kujdesen shumë për bashkëkombasit. Në bisnesin e tyre punojnë kyesisht shqiptarë. Rekomandojnë e propozojnë në firma e bisnesmenë gjermanë njerzit që kanë nevojë për punë si dhe ndjekin ecurinë e tyre. Ata ndjekin brenda dhe jashtë vendit hallet, si gëzimet e hidhërimet e njerëzve pa i kthyer shpinën vendlindjes. Personaliteti Xhelil Musa është nderuar dhe mban një sërë tituj e dekorata, si Dekoratën e Lartë të Kuvendit të Shqipërisë „Nënë

Tereza“, të komunës së Vitisë në Republikën e Kosovës, „Qytetar Nderi i Komunës së Vitisë“, të FIFA si i zgjedhur tepër aktiv, të Lidhjes së Shkrimtarëve të Mërgatës, „Ambasador për Paqen“.

Në datën 3 Tetor të  vitit 2025, në  Berlin  u organizua një panair i madh  i kulinarisë me pjesmarrës drejtues e specialistë të kulinarisë udhëheqës nga shtetet shqipfolëse, në kujtim të gastronomit legjendar shqiptar Anthony Athanas, me emrin e të cilit është ngritur dhe çmimi „Athanas Aëard“. Ky çmim synon të njohë arritjet e jashtëzakonshme të sipërmarrësve shqiptarë në botë, të cilat mund të tregojnë sukses biznesi në fushën e gastronomisë.

Tre shqiptarët që u nominuan fituesin të çmimit ‘”ANTHONY AËARD” në panairin ndërkombëtar të kulinarisë Berlin.

Ambasadori i Kosovës në Berlin Faruk Ajeti duke dorëzuar çmimin “Athanas Aëard” Xhelil Musës.

Në këto vlerësime njeriu ndihet krenar për arritjet jo vetëm  të zotit Xhelil por gjithë shqipfolësat kudo që ndodhen. Jo rrallë, ka edhe mendime të ndryshme nga njohja e përciptë e problemeve, që shprehen: “si u arritën këto rezultate?” “Nga i erdhi ky sukses” etj. Por vetë veprimtaria e zotit Xhelil duke vepruar si familje, në unitet, me qartësi të plotë mendimi e këmbangulje stoike, me punën në qendër të vemendjes,e cila është “babai i të gjithave” në një kohë relativisht të gjatë, u arritën këto rezultate. Në bisnesim e tyre, në shërbim të klientit i cili është zot, familjarisht në punë ata nuk njihnin orar. Dihet se fytyrës së qeshur i hapet çdo portë. Fytyrën e qeshur, fjalën e mirë dhe respektin për klientin e kanë pasur në bisnesin e tyre treguesin magjik të ecurisë. Këto, dhe faktorë të tjerë të vlerësuar maksimalisht, si pjesë e psikologjisë së suksesit, kanë çuar në këto arritje dhe vlerësime. Theksojmë se shembulli i zotit Xhelil Musa është modeli më konkret për shqipfolësit, në vendet e tyre  dhe në mërgatë.

Xhelil Musa – mjeshtri që solli aromën e Kosovës e Shqipërisë në kryeqytetin e Europës

Në mbrëmjen plot drita të 3 tetorit 2025, kur Berlini gumëzhinte nga atmosfera e një ceremonie të madhe europiane, një emër shqiptar u lartua si një aromë e ngrohtë gatimi që të tërheq vëmendjen edhe përmes turmave. Xhelil Musa, mjeshtri i kuzhinës nga Hamburgu, doli në skenë me një qetësi prej njeriu që i njeh mirë shijet, mundimet dhe përulësinë e zanatit.

Ai nuk ishte thjesht fitues i Çmimit të Madh të Kulinarisë — ai ishte rrëfyesi i një historie të tërë që niste diku mes gjelbërimit të maleve të Kosovës e shqiptare dhe përfundonte në tryezat moderne të Gjermanisë. Çdo pjatë e tij dukej sikur mbante brenda një copëz vendlindje: kripën e detit të Jonit, aromën e rigonit të Përmetit, e Sharrit, zjarrin e kuzhinës së nënave kosovare të Porozhanit,  të cilat pa receta të shkruara krijonin mrekulli me zemër.

Në Berlin, Xhelili nuk konkurroi thjesht me shije – ai konkurroi me kujtime. Me historinë e tij si emigrant që e mori profesionin si një mision për të treguar se kultura ushqimore është edhe kartë identiteti, edhe letër dashurie. Në çdo pjatë ai ndërthurte finesën gjermane me shpirtin ballkanik, duke i dhënë kuzhinës europiane një tingull të ri, të njohur e të panjohur njëkohësisht.

Kur juria shpalli emrin e tij, në sallë u përhap një duartrokitje që nuk ishte vetëm miratim profesional, por edhe një respekt i heshtur për historinë e tij të punës, ngulmimit dhe dashurisë për zanatin. Ai u ngrit me modesti, me atë buzëqeshjen e njerëzve që e dinë mirë se suksesi është kryesisht vepër e durimit.

Me trofeun në dorë, të cilën i a  dorëzoi ambasadori i Kosovës, Faruk  Ajeti, Xhelil Musa u bë jo vetëm fitues i një çmimi prestigjioz, por ambasador i shijeve shqiptare në Europë. Hamburgut i dha nder, Berlinit i dhuroi surprizë dhe shqiptarëve krenari. E, mbi të gjitha, tregoi se ushqimi është një art që i tejkalon kufijtë – dhe një formë e heshtur diplomacie që i afron njerëzit si në tavolina, ashtu edhe në zemër.

Xhelil Musa ka qënë dhe mbetet një misionar i rëndësishëm aktiv duke punuar në vazhdimësi për të ngritur rolin e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe vendeve të tyre  dhe  integrimin drejt Europës. Ai realisht edhe pse sot është në pension, ka qënë dhe mbetet një nyje lidhëse e rëndësishme midis popullit e shteteve përkatëse me atë gjerman. Me punën e veprën e tij, është një model për popullin e Dardanisë dhe gjithë shqipfolësat në shtetet e tjera.

(Njerëz që afrojnë urat e bashkëpunimit midis popujve)

Mos kujtoni se kjo thënie është “prona” ime. Jo. Ajo ka dalë nga goja dhe pena e poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu. Për të gjetur çelësin e këtij  lloj rebusi të komplikuar, nuk dua të mundoj shumë lexuesin. Bëhet fjalë  Waltraud Tuger Bejko, shkurt e njohur Vala, ish studenten gjermane në Moskë e cila u dashurua dhe u martua me djaloshin sykaltër shqiptar, skraparliun Ilmi Bejko.

Tridhjetë e shtatë vjet jetuan e punuan në Shqipëri Vala dhe Ilmi Bejko. Jeta e tyre familjare, aktiviteti i tyre cilësor në punët që kryenin, qëndrimi e mardhëniet në shoqëri nga njëra anë, përbëjnë një model të përsosur dhe nga ana tjetër sejcili nga ai çift tregoi klasin e vet kulturor dhe profesional. Kudo që ata jetuan dhe punuan, rrezatonin mirësi. Por në rastin e çiftit Bejko ka disa veçori, të cilat herë pas here rrezatojnë dukuri si një ylber pranvere, duke i ngjitur të dy bashkëshortët në majat e “kreshtave” të vargut të mrekullueshëm të perlave të Skraparit dhe të vendit.

       Tashmë  dihen mardhëniet e Tiranës në vitet gjashtëdhjetë e më tej me vendet e ish kampit socialist. U larguan ambasadat e vendeve të tyre, përfshi  dhe atë gjermane. Para Valës në këto kushte tani  kishte dy alternativa.

Të kthehej andej nga kishte ardhur( ashtu siç bënë disa bashkëshorte të ardhura nga Rusia, Bullgaria etj) martuar me burra shqiptarë, ose të merrte nënshtetësinë shqiptare dhe të mos kishte asnjë mardhënie me Gjermaninë. “Po unë e kisha ndarë mendjen. Unë  me Ilmiun do të jetoja në paqe me familjen time, në Atdheun tim të ri, në Shqipëri. Unë nuk isha martuar as me Ulbrithin, as me Hrushovin, as me Enver Hoxhën, por me Ilmiun të cilit dua ti qëndroj besnike.” “…Unë e përballova vorbullin e jetës  ashtu si më erdhi, megjithëse nuk e kisha menduar se martesa jonë do të më sillte të tilla vuajtje e persekutime. Por i thosha vetes se nuk mund të bëhej ndryshe, i u përshtata  kushteve dhe i u përkushtova tërësisht punës, familjes dhe rrethit miqësor e shoqëror të Ilmiut, të cilët na kanë qëndruar pranë e rrethuar me dashuri e përzemërsi.

Midis njerëzve të thjeshtë, të varfër dhe me dinjitet, siç shprehet Vala, në Fier ata kaluan 12 vjet. Aty u lindën dhe kaluan fëmijërinë fëmijët e familjes Bejko, Aneta dhe Iliri. Viti 1972 ata i gjeti familjarisht në Tiranë. Ilmiu pedagog në fakultetin e Ekonomisë-Agrare dhe Vala përkthyese në radio Tirana. Por kjo nuk qe e thënë të vazhdonte gjatë, mbasi në shtator të vitit 1975 ata u transferuan familjarisht në qytetin e Kuksit. Aty familja Bejko qëndroi plot 9 vjet. U ndodhën të mirëpritur e gati ti ndihmonin për çfarëdo që kishin nevojë. Aty gjeti konkretizim shprehja proverbiale për mikpritjen shqiptare; “Bujrum tek ne e keni derën hapur”. Në këto vite Vala do të shprehej se “ishte dy herë e izoluar, nga Atdheu dhe prindët e saj në Gjermani, por edhe nga vëllezërit e të afërmit e Ilmiut, të cilët jetonin në Tiranë. Ilmiu në bankën Agrare dhe Vala si mësuese punuan me përkushtim dhe me gjithë shpirt për përmirësimin e jetës të banorëve të këtij rrethi. “Gjithëandej mund të mësosh dhe të zgjerosh përvojën e jetës dhe tani unë mendoj se ai njeri që nuk e njeh këtë zonë, nuk mund të ketë një gjykim real për Shqipërinë” do të shprehej Vala.

Në vitin 1982 kam qëndruar gjatë në Kukës në përbërje të një ekipi për financat dhe doganën e Morinës. Ilmiun e njihja që nga koha kur punonte pedagog. Me të më kishin prezantuar shokët e miqtë e mi Kadri Kadi e Kristaq Pata, kolegë të Ilmiut. U nisa tek Banka Bujqësore në ambientet e sa cilës u takuam. Pas fjalëve të përshëndetjes kaluam në diskutimet që lidheshin me profesionin. Ishte shumë entuziast për një studim të thelluar që kishte kryer me specialistë të tjerë për problemet e zhvillimit të mëteshëm të prodhimit bujqësor e blegtoral të rrethit të Kuksit. Për gjuetinë, ku të dyve na “piqnin pipzat në të njëjtën melodi”, nuk e hapëm kapakun e bisedës.

Meqë ishte mjaft i zënë për momentin, më ftoi që të nesërmen që ishte ditë e djelë, të pimë një kafe së bashku. Fiks në orën 10.00, ai me gjithë Valën erdhën në lokalin ku kishim lënë takimin. Aty më njohu me të shoqen, të cilën nuk e kisha njohur më parë. Biseda u bë interesante dhe gazmore, duke “kapur” e “lëshuar” sfera të ndryshme të veprimtarisë të sejcilit dhe të jetës. Po të flisje ndonjë fjalë për gjuetinë, aq donte Ilmiu. Vala e kuptoi reagimin nxitës kur gjuetari gjen kolegun e midis tyre zakonisht shperthejnë ngjarjet e treguara me pasion dhe dëgjimi i vemendëshëm i  neri-tjetrit. Vala, si duket që ne të dy me Ilmiun, mos fillonim tregimet e gjuetisë mu drejtua.

-Kishe qënë më përpara në Kukës dhe cilat janë përshtypjet tuaja?-pyeti ajo.

-Qytet krejt i ri. Ende pa një shtëpi private. Admiroj shumë qilimat e bukur që u prodhuakan këtu. Më pëlqen shumë kjo kafeja që po pimë, byrekët, petullat dhe boza e melit shoqëruar me akullore. Duket qartë se prodhohen me dashuri dhe më e rëndësishmja, nga mjeshtra të vërtetë…” Vura re se fytyrën e Valës e përshkoi një si dritë e gezueshme, ku gjithëçka i qeshte. U kthye nga Ilmiu  dhe tha:”Paskemi mik të vemendëshëm dhe romantik, Ilmi.” Ai buzëqeshi, më hodhi një vështrim të çastit dhe vazhdoi:”Unë dhe Shyqi kemi të njëjtin profesion, të njëjtin pasion, gjuetinë, por këtij i shtojmë dhe atë të shkrimtarit. Me sa di unë, ka botuar tre libra  me tregime humoristike, është bankier…”vazhdoi Ilmiu. Atëhere mendova se ishte momenti dhe nxora nga çanta dy librat e mia që mu ndodhën me vete; “Verejtje me shënim në …portofol” dhe “ Kur merr shtatë dhe shpenzon tetë s’ke nevojë për kuletë”, të cilat ia dhurova çiftit Bejko. Të dy patën entuziasëm të përzier me habi.

-E shikon Ilmi, sa besnik i ka mbetur kolegu jot finnanacave e bankës? Çfarë tituj “të kripur”.Po ku i gjete..!

-Me këta djall tituj desh jam djegur Vala. I bëra tërë kujdesin një vëllimi. E çova për botim dhe dolli me titullin “Ja, ku e ka syrin pleshti!” por nuk e lanë të qarkullonte dhe e kthyen letër. –  Qeshën dhe pikasa se po vazhdonin veç lavdërime për mua. Ndaj në një moment pause ndërhyra që ti vinim kapak kësaj teme me kaq. Unë doja të futeshim në biseda për gjuetinë, për të cilën me Ilmiun “na piqnin pipzat” në të njëjtën melodi. Këtu e hapi vet shtegun Vala.

             -Shyq, na thuaj ndonjë gjë si e gjuan ti lepurin dhe si e gatuan gruaja jote- Mbasi u mendova një cast e mora fjalën:”Kur jam pa gruan Vala, unë flas më lirshëm për gjuetinë.  Se, në fund të fundit, ajo i gatuan dhe kur mburremi sesa kemi vrarë, ajo na heq lëveren e gënjeshtrës.- Qeshëm të tre.-Po si ke dalë me gjuetinë e lepurit? Nuk na tregove se si e gatuan gruaja.-

          -Shkurt do të përgjigjem. Për të vrarë lepuj, pak kam vrarë, ama për të trembur i kam kaq shumë me të shtëna cifteje  sa ata e dinë. Se kollanin e fishekëve bosh e ktheja në shtëpi edhe kur canta e gjuetisë nuk kishte gjë brenda. Kurse për të gatuar kam mësuar nga miku e kolegu ynë i përbashkët, Iliaz Kapxhiu (Laze Lajthia). Të dy bënë cudi dhe po prisnin  cfarë do ju tregoj.

          -Një ditë- më tregoi Iliazi, dola për gjah aty afër Corovodës dhe vrava një goxha lepur kopështi. I hoqa të brendëshmet dhe e mora në dorë duke u krekosur mes për mes qytetit. U kujtova se duhet të bleja një shishe vaj e uthull molle. Kthehem në dyqanin ushqimor dhe bëra kërkesën. Shitsja kur pa lepurin tha:”A e gatuan gruaja?-Perpiqet- I them.-Prit se po të shkruaj një recetë interesante, që ta gatuajë kështu dhe ke për të lëpirë thonjtë”-më tha shitsja dhe shkroi recetën. E mora kartonin ku e shkroi dhe si e faleminderova e futa në xhep. Duke ikur për në shtëpi, papritur në një rrugicë më del një qen shumë i madh si anash dhe pa lehur fare më rrëmben lepurin dhe ja dha vrapit.  

Mbeta i tromaksur. Pastaj m’u kujtua dhe i thirra: -Ti se gatuan dot se unë recetën e gatimit e kam në xhep.” Qeshëm të tre me shpirt duke kujtuar dhe Iliazin.

-Vec lepurit, cafrë gjuan tjetër? –pyeti përsëri Vala.

-Ah moj e nderuara Vala si është kjo puna jonë! Një ditë kishte rënë borë e madhe dhe unë u ngrita pa hapur mirë dita dhe dola për gjah. Menjëherë, pa bërë as 600 metro rrugë në dëborën e pashkelur, dallova gjurmat e një dhelpre. Fillova ta ndjek pas gjurmës. Asaj si duket nuk i kishte ecur për të kapur ndonjë pulë dhe kishte marrë kodrën drejt malit. Ndoqa gjurmët rreth dy orë. Nuk kisha marrë as bukë me vete. Gjurmët të conin vetëm në lartësi. Pastaj kishte marrë poshtë, në drejtim të fshatit. “Hë! Tani të kam” thashë me vehte dhe zemra më rrahu fort. E pashë se rrinte shtrirë në faqe një kodre ku  nuk  zinte era.

          -Po a e vrave?-pyeti Vala.

          -Po, po. E qëllova dhe po përpëlitej.

          -Të lumtë pushka, thonë këndej nga vendi ynë-vazhdoi ajo.

          -Ah! More miq. Dhelpra mbetet dhelpër tërë jetën. Më gënjeu dhe më mashtroi. Më doli qen.-I futëm një të qeshur me lot.

          -Ja ku qënka burimi i humorit të mikut tonë. Ndaj bleron e lulëzon në letërsinë e humorit. Apo jo Ilmi?-E pashë që do merrja “rrugën e Belulit” dhe ndërhyra.

“Puna ime me letërsinë, Vala, është si ai që kishte vetëm 5 dhi dhe ju varte 6 zile”.Qeshën me shpirt, po Vala hapi bllokun të shënonte çfarë shpreha.

“Kështu e bën shpesh kur dëgjon ndonjë shprehje frazeologjike që i bën përshtypje. E ka përvetësuar shumë mirë gjuhën shqipe.” foli Ilmiu.

-Nuk të pyeta, po ju, si e gatuani lepurin? Se po të marr sot ndonjë recetë nga ju, nuk ka rrezik të më ndodhë si Iliaz gjahtarit.-Shikoi pak gjatë nga Ilmiu dhe tha:-Nuk do lëshoj receta e të bëjmë teori për gatimin. Ka ardhur  koha për praktikë…

            Aty për aty nuk e kuptova ku e kishte fjalën.  Ata nuk m’u ndanë. Më muarën të hamë drekën së bashku. Aty e pashë konkretisht si gatuhej lepuri në comblekun që shtroi në tavolinë, me raki skrapari. Vala qëndroi “vigjilente” gjatë dollisë që ngriti Ilmiu dhe unë që duhet të “mbyllnim bilancin” me një dolli si të Gramshit, e cila ngjante si dy pika ujë me atë të Skraparit. Edhe Ilmiu edhe unë, gotën e fundit e pinim për Flamurin Shqipëtar. Valës i bëri përshtypje kur e pyeta cfarë njerëz ke në Gjermani dhe ngrita shëndete për ta.

        ”Vërtet dollia është institucion i bukur, por e kalon pak pragun duke u futur në intimitete deri tek familja.”verejti duke e kthyer një gotë raki me fund. “Vetëm kënga na mbeti pa bërë po ishim mangut për iso.” Verejti Vala duke na sevirur kafenë.

        -Nëpërmjet përkthimeve dhe letërsisë, unë kam gjetur mjetin e kapërximit të izolimit. Ti je njeriu i letrave dhe na kupton drejt. Të parin autor që kam bërë të flasë gjermanisht është Dritero Agolli me “Komisari Memo”.Pastaj vargu i shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë më në zë është i gjatë. Ata, një nga një dhe së toku flisnin gjermanisht.  Kështu ndodhi me I.Kadare, S.Godo, A. Abdihoxha, Dh.Xhuvani, A.Kondo,  O.Grillo, N.Lera, I. Ushtelenca, A.Puto, Sh.Demiraj, N.Ceka, S.Pulaha, M.Korkuti etj. “Përkthimet-ka shkruar Vala diku- më dukeshin si një dialog dhe në sajë të kësaj pune mund të hidhja një urë midis dy popujve.”  

Por edhe këtu ka mjaft element nënvleftësimi për mos thënë hipokrizie. Në disa biblioteka në Hamburg kam gjetur libra të autorëve shqiptarë përkthyer nga Vala, por emri i saj nuk figuronte asgjëkundi si përkthyese.

Për publikun Vala u bë e njohur e respektuar dhe e adhuruar nga librat e saj. Ato, nga kritika dhe lexuesit janë vlerësuar dhe quajtur enciklopedi për të vërtetën e jetës shqiptare në regjimin komunist. Vala, me shumë dashuri dhe sinqeritet, përshkruan gjithë mozaikun e jetës shqiptare, si zakonet, traditat, besimet e ritet fetare, festimet këngët, e vajet dhe të gjitha aspektet e jetës, që nga lindja, fejesa, martesa dhe vdekja. Një nga librat madhore të Valës është pa dyshim romani “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, të cilin ajo e ka shkruar dhe gjermanisht. Është e kuptueshme, midis të tjerave, nëpëmjet rrjeshtave të këtij libri, ngrihen lart virtytet dhe vlerat shpirtërore të kombit Shqiptar. Ai është dhe një lloj mesazhi për Europën për një ndihmë më të madhe dhe efektive ndaj këtij vendi e populli të vuajtur.Në fund të librit, ajo me sinqeritetin që e karakterizonte theksonte:

Duke shkruar kujtimet, kam patur vazhdimisht parasysh të

dy popujt, atë shqiptar dhe atë gjerman për të ndërtuar një ure midis tyre. Unë dëshiroj që populli gjerman të njihet më mirë me të kaluarën e popullit shqiptar, duke krijuar kështu mundësinë për një ndihmë më efektive për këtë popull të vogël e hallemadh, që edhe ai të gjejë një vend të nderuar në mes të popujve evropianë.

Për familjen, të afërmit, rrethin miqësor, shokët e shoqet e punës kudo që punoi, nxënësit që mësonte e gjithë ambientet ku ka jetuar, Vala ka qënë  gjithnjë një symbol i gruas me përmbajtje të lartë njerzore.