E bardha – një meditim mbi shpirtin njerëzor-Nga Timo Mërkuri

Nga Timo Mërkuri

“E Bardha” e Migel Flor nuk duhet lexuar si poezi mbi një ngjyrë, sepse e bardha këtu nuk është ajo që sheh syri, por ajo që përjeton shpirti. Ajo është një gjendje e brendshme e njeriut, një dritë që përpiqet të mbijetojë mes kohës, kujtesës, dhimbjes dhe vetmisë. Poetja nuk vendos përballë të bardhën dhe të zezën si dy kundërshtarë; ajo na çon më thellë, atje ku njeriu përballet me hijen që lind brenda vetë dritës së tij.
Qysh në vargun e parë, poezia na vendos përballë një të vërtete të madhe:
“Edhe e bardha krijon njollën e vet.”
Kjo njollë nuk vjen nga jashtë, ajo është shenja e udhëtimit. Sepse çdo gjë që jeton merr gjurmë nga koha, nga dashuria, nga humbjet dhe nga përplasjet me jetën. Edhe e bardha, sado e pastër të duket, nuk mbetet e paprekur. Pikërisht kjo e bën njerëzore.

  1. E bardha në poezinë e Flor është dëshira e njeriut për të ruajtur një bërthamë të pastër brenda vetes. Por poetja nuk e paraqet këtë pastërti si diçka të ngrirë dhe të paarritshme. Ajo është një pastërti që ka kaluar nëpër jetë dhe ka marrë shenjat e saj.
    Vargu “si frymë që ngrin përmbi çdo xham” sjell një pamje të brishtë e të dhimbshme. Fryma është shenja e jetës, por kur ajo ngrin mbi xham, mbetet pezull mes botës së brendshme dhe asaj që është jashtë. Është si një kujtim që nuk largohet plotësisht, si një ndjenjë që mbetet në kufirin mes së shkuarës dhe së tashmes.
    Këtu e bardha nuk është mungesa e plagëve. Është aftësia për të mos e humbur dritën edhe pasi jeta ka lënë shenjat e saj.
  2. Në shumë poezi drita është shpëtim, ndërsa në këtë poezi ajo është edhe përballje. Ajo nuk vjen vetëm për të ndriçuar rrugën, por për të zbuluar atë që njeriu shpesh përpiqet ta fshehë nga vetja.
    Prandaj vargu “Drita më shkel në zë e në trup” ka një forcë të veçantë. Drita këtu nuk përkëdhel; ajo rëndon. Është drita e ndërgjegjes, ajo që të vendos përballë vetes dhe nuk të lejon të largohesh nga e vërteta jote.
    Në të njëjtën frymë vjen edhe vargu:
    “Unë jam kujtesa e një nate që s’vdes.”
    Ka përjetime që nuk plaken me kohën. Ka net që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh edhe kur agimi ka ardhur prej kohësh. Prandaj poeti thotë:
    “kur ora ka humbur akrepat e saj.”
    Koha e shpirtit nuk matet me orë. Ajo matet me gjurmët që lë në ndërgjegje.
    Dhe kur poetja shkruan:
    “më lan në kryq të vetmisë së qetë”, ai nuk flet për një vetmi boshe. Është ajo vetmi ku njeriu mbetet vetëm me zërin e tij të brendshëm, aty ku fillon dialogu më i vështirë: ai me veten.
  3. Në fund të poezisë, e bardha bëhet më shumë se pastërti dhe dritë. Ajo bëhet ideali njerëzor, ai drejtim i brendshëm që i jep kuptim jetës.
    Por poetja sjell një të vërtetë të dhimbshme: edhe idealet mund të lodhen kur njeriu humbet kahun.
    “E bardha nginjet kur kahun humb
    e bëhet hiri i të zezës së vet.”
    Këtu qëndron drama e shpirtit njerëzor. Njeriu nuk humbet gjithmonë nga goditje të mëdha. Ndonjëherë humbet ngadalë, kur largohet nga vetja, kur drita e brendshme fillon të dobësohet.
    Por hiri nuk është vetëm fund. Ai është edhe dëshmi. Hiri tregon se dikur aty ka qenë zjarr. Edhe shpirti i plagosur ruan kujtimin e dritës që ka pasur.
    Prandaj e zeza në këtë poezi nuk është armiku i së bardhës. Ajo është hija e saj, pjesa që lind nga lodhja, nga kujtesa dhe nga rruga e vështirë e jetës.

Migel Flor nuk shkruan për ngjyrat, ajo shkruan për njeriun. Për atë luftë të heshtur që secili mbart brenda vetes: të mos humbasë dritën edhe kur jeta i ka lënë hije.

Dhe ndoshta kjo është e vërteta më e bukur që na lë kjo poezi: njeriu nuk është i madh sepse mbetet gjithmonë i bardhë, por sepse, edhe pasi njeh errësirën, vazhdon të kërkojë dritën.
Sepse, në fund, e bardha nuk është thjesht një ngjyrë.
Ajo është mënyra se si shpirti përpiqet të mbetet njeri.

Timo Mërkuri

BARDHA


Edhe e bardha krijon njollën e vet
si frymë që ngrin përmbi çdo xham.
Unë jam kujtesa e një nate që s’vdes
kur ora ka humbur akrepat e saj.


Drita më shkel në zë e në trup,
më lan në kryq të vetmisë së qetë
E bardha nginjet kur kahun humb
e bëhet hiri i të zezës së vet…

Migel Flor