E dua këtë paqe nën ullinj-Spiro Kote

Spiro Kote

 
 
E dua këtë paqe nën ullinj,
kur qielli zbret në sytë e mi,
si ujë i kaltër që kujton.
 
Shtrihem.
Toka më merr pa zhurmë
në kujtesën e saj prej balte.

 

Mbi brinjë më kalon hija e gjetheve,
e lehtë si fryma e një qenieje të lashtë.
Midis tokës dhe qiellit mbetem pezull—
jo emër,
jo trup,
veç një frymë
që hyn e del nga vetja.
Gjethet fëshfërijnë,
jo nga era :
Diçka mendon nëpër to.
Më flasin në një gjuhë të gjelbër,
dhe unë i kuptoj,
sikur dikur kam qenë një pemë e vjetër.

 

Mbi buzë më pikon dritë:
e hidhur, e ëmbël,
si qumësht bimor i një ëndrre
që rritet nën dhe.

 

Duart i mbaj nën kokë,
a ndoshta janë rrënjët që më mbajnë.
Nga thellësia
diçka ngjitet nëpër venat e mia.
Gjaku im harron ritmin njerëzor,
merr erë dheu,
merr ngjyrë gjethesh.
Brenda kraharorit ,
më mbin një heshtje e gjelbër.
Nuk e di më: nëse jam shtrirë mbi tokën,
apo toka po merr trajtën time.

 

Zëra pa gojë,
ngrihen të lashtë
sa fryma ime e ardhshme.

 

Nga nëntoka ,
ullinjtë heshtin.
Mbi lëvoren e tyre fle koha.

 

Më merr, o paqe,
si toka merr farën,
jo për ta humbur,
por për ta kthyer në gjelbërim !
E dua këtë paqe nën ullinj !
 
30 Prill ,2026