Ëndrra dhe zhgjëndërr-Mige Flor

Mige Flor

Ënder dhe zhgjëndërr

Më zgjoi një buf.
Shikimi i tij
ma preu terrin e mendjes.

I thashë: je buf
siç fyejmë zakonisht
atë që rri vetëm
e sheh larg.

S’e dija
ai është teleskopi i natës,
rojtar mbi çatitë
ku mëkatet bëjnë namin.

Sheh
nga dritat e ndezura
errësirën që banon brenda.

Ditën hesht,
fle pak
pse e lodh
teatri i dritës.

Dielli shpesh
nuk zbulon gjë,
i bën gënjeshtrat
më të dukshme.

Ëndrra është ajo
që njeriu sheh natën.
Zhgjëndërra është ajo
që jeton zgjuar.