
Fati i jetimes…
(për të ndjerën mamanë time)
Në trupin e brishtë
sprovuar jetës,
fshehur një forcë burrnore,
në atë zemër
lodhur vuajtjesh,
fjetur një ndjenjë madhore.
Në zërin tënd,
gatuar dhimbjesh,
piskamë padrejtësie,
në sytë e tu,
lotësh mjegulluar,
pasqyrë mirësie.
E fati yt,
fati i jetimes,
i vajzës së padëshiruar,
tërhequr zvarrë,
fat i terstë,
i gruas së lënduar.