Kaprolle, bukur kaprolle,
ëndrrat e mia trazove,
si princesha në përrallë
erdhe dhe më përqafove.
Shtati yt porsi selvija,
faqe e kuqe porsi shega,
gërshetat hedhur mbi supe,
sytë e tu lëshojnë shigjeta.
Në ëndrra vjen e më zgjon,
luan me mua, gjëç belanë,
pastaj ikën, moj kaprolle,
në fole, frymën ç’ma mban.
Do ngjitem malit përpjetë,
do të të gjej, ta kam bërë benë,
të sheshoj shkarpa e guva,
do ta gjej, se s’bën folenë.
Do pres natën sa të bjerë,
ti lutem hënës me yje,
të më ndriçojë natën e zezë,
prit, të kam zënë në korije.
Ti do dalësh, s’ke nga vete,
moj kaprolle qafëgjatë,
gjithë natën do rri në pritë,
derisa të më vish në lak.
Më në fund, kaprollja doli,
se kish etje, buzët thatë,
më erdhi vetë si manare,
ja vlejti pritja e gjatë.
Hajde, moj kaprollja ime,
më lodhe, moj gjëç belanë,
se të dy kemi shumë etje,
le të thajmë burime radhë.
Hëna iku lumturuar,
dielli me rreze verbon,
bilbilat këngën filluan,
simfoni dashurisë sonë.
Kaprollen e ëndrrës time
e kam në krahët e mi,
e rrëmbeva si fajkua,
e mora nuse për shpi.
