

Shumë i nderuari zoti Llojdia,
Ka libra që presin lexuesin. Ka vargje që presin një zemër të aftë t’i dëgjojë përtej asaj që thonë. Dhe ka, në fatin e rrallë të disa veprave, një çast kur poezia gjen një poezi tjetër: poezinë e leximit.
Analiza juaj për ciklin “Kur Savra të bëhet fjalë” të jep pikërisht këtë ndjesi. Sepse ju nuk e keni parë poezinë vetëm me syrin e kritikut, por edhe me kujtesën e njeriut që e di se disa fjalë nuk janë thjesht fjalë. Pas tyre fshihen emra, mure, dosje, dhoma të ngushta, heshtje të gjata, jetë të ndërprera dhe, mbi të gjitha, dëshmi.
Në leximin tuaj, Savra nuk mbetet më një pikë në hartën e Myzeqesë. Ajo largohet nga gjeografia dhe hyn në metafizikën e kujtesës. Nga një vend ku njeriu u detyrua të jetonte, shndërrohet në një vend ku historia vazhdon të jetojë brenda njeriut. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga meritat më të bukura të analizës suaj: ju konstatoni se autori nuk shkruan vetëm për Savrën si vend, por për atë që mbetet nga njeriu pasi i kanë marrë lirinë, shtëpinë, hapësirën, emrin dhe të drejtën për të folur. Sepse mund t’i marrësh njeriut një shtëpi, por jo domosdoshmërisht kujtesën e shtëpisë. Mund t’i kufizosh hapësirën, por jo domosdoshmërisht horizontin e ëndërrimit. Mund t’i mbyllësh gojën, por assesi edhe fjalën, që banon tek mendimi i palindur.
Ju nuk e keni përdorur kritikën për ta zvogëluar poezinë në shpjegim. Përkundrazi, e keni shpjeguar atë pa ia mbyllur dyert e misterit. Dhe kjo nuk është pak. Sepse kritiku i mirë nuk është ai që i vendos poezisë një emër përfundimtar, por ai që i hap një dritare tjetër. Ju nuk jeni pika në fund të kuptimit. Jeni presja që lejon të mbushen frymë mushkëritë e kuptimit. Falenderimi im për ju është më shumë se mirënjohje për një analizë të bukur. Është mirënjohje për një akt kujtese për gjithë të përvuajturit e diktaturës. Në një kohë kur harresa shpesh ecën më shpejt se kujtesa, shkrimi juaj vjen si një kandil mbi një rrugë të errët. Ai nuk e ndryshon të shkuarën, askush nuk mund ta bëjë këtë, por na ndihmon ta shohim më qartë.
Me përshëndetjet më të mira
Ferdinand Laholli