Fjalor me klithma shurdhuese!Vullnet Mato

Vullnet Mato
 
FJALOR ME KLITHMA SHURDHUESE!

Kriminel! Hajdut! I korruptuar botërisht!…


Në ekranin e televizorit, buçiti klithma,
nga bankat e parlamentit ushtoi lemeria…
Nipi i vogël kërceu përpjetë, me drithma:
O gjysh, hajdutin ka kapur ashtu policia?…
 


Hajdut! I korruptuar botërisht! Kriminel!…


Gruaja e zhytur e tëra, në gjumin e parë,
e lodhur nga punët e shumta, deri në darkë,
kërceu nga krevati, me tmerr e llahtarë,
Or, burrë, cilin vrau ai kriminel që u kap?…


Kriminel! Hajdut! I korruptuar botërisht!…


Ushtojnë britmash të fora, me zëra të çjerrë,
në kolltukët e parlamentit shpërtheu zjarr e flakë,
digjen ndenjëset, tymi shkon tavanit përpjetë,
Plaku pyet, ku paska rënë zjarr këtë natë?…


Kriminel! Hajdut! I korruptuar botërisht!…


Mua zemra m’u drodh, veshi m’u shurdhua prapë,
alkoohol borik, në daullen e veshit hodha me ngut…
Thashë me vete, hej dreq, televizorin s’ke ku e hap,
në çdo kanal, të shurdhon klithma e deputetëve harbut…


Kriminel! Hajdut! I korruptuar botërisht!…
Si do i bëhet hallit me këta gojëshqyer, pa edukatë,
që na plagosin veshët me klithma, plot tmerr e frikë ?
Është parlament aty, apo çmendinë me psikopatë!...
që duhen çuar me urgjencë, në spitalin psikiatrik!...