FLI, O POPULL I PAFAT!
Fli, o popull i pafat,
se vendi është bërë lugat,
dhe po s’pate bukën thatë,
fli e mos mbaj inat.
Fli, o i mjeri popull,
mirë ta kanë gjetur kokën,
të kanë ndarë në parti,
të trajtojnë si bagëti.
Ata hanë e s’kanë të ngopur,
ti nga mbrapa sokëllin,
sa marrin në dorë fronin,
pastaj bëjnë kakërdhi.
Fli, o popull i përgjumur,
se në djep të kanë tundur,
si ikën, shkuan pesëdhjetë vjet,
po ikin edhe tridhjetë.
Fli, o popull i përçarë,
si i vdekuri pa varr,
fli se je i përgjumur,
ndaj ke dalë gjithmonë i humbur.
Fati zi, o popull, fli,
fli se nuk të dalin zot,
nga e pret një ditë të mirë,
me një trastë hedhur në shkop.
Fli, o popull i pa zemër,
me sy hapur shikon ëndërr,
e mban mendjen nga Europa,
që na ka ndarë në copa.
Fli, o popull i përçarë,
shumë herë të kanë vrarë,
fli, po dritë s’ke për të parë,
s’do kesh lotë as për të qarë.
