Fragment nga libri “Pushtimi i fundit”-Gezim Baruti

Gezim Baruti

Fragment nga libri im “Pushtimi i fundit”,Botime Vllamasi 2020

Ky, ishte viti kur aktiviteti i falangave komuniste kishte arritur kulmin e vet në rrethin e Kolonjës; natyrisht, në fshatrat e largëta, jo në fshatrat përqark qytetit të Ersekës!.. Dhe kjo, jo ngaqë nuk pranonte “krimineli” Isuf Baruti,- kështu e quanin- të lejonte prishjen e rendit të qytetit por nga një arsye shumë më e fortë, që nuk kish të bënte fare me atë nofkën e tyre bajate e të shpikur. Ai, duke qënë komandant xhandarmërie në Ersekë, kryente detyrën e tij për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike duke i qëndruar besnik shtetit shqiptar, para flamurit (pa yllin e kuq të Leninit) të të cilit ishte betuar për besnikëri, drejtësi e burrëri, tre virtyte këto, që nuk njiheshin fare nga ata që kishin hedhur kërrabën e dhënve e më vonë vendosën nga një spaletë mbi supe. Pra ata, siç e thashë, nuk i afroheshin dot Ersekës. Mirëpo, shpeshherë, pasi ju mbaroheshin nozullimet nëpër fshatrat ku rrinin dhe zhvatnin fshatarët e mjerë, dërgonin kasnecë nëpër pasanikët e fshatrave afër Ersekës për ushqime e gjë të gjallë, “se po na vdesin njerëzit për të ngrënë” – siç thoshin ata vetë, për të qënë të besueshëm nga pasanikët, që kishin derdhur djersë e mund për pasurinë e gjënë e tyre…

Qysh nga mesi i vitit 1943 në Starje kishin filluar të vinin të dërguar nga të dy palët kundërshtare. Synimi i tyre ishte dera e Koçí Haxhos. Në sofrën e shtruar me gjithë të mirat kasneci i shfaqte zotit të shtëpisë kërkesën dhe përmbushja e kësaj kërkese kundrohej si zbatimi i një ligji në të mirë të atij që ka zgjatur dorën i detyruar nga halli. Koçiu urdhëronte djemtë e një tufë prej pesëdhjetë kokë shterpash priste te luadhet qysh pa zbardhur dita, të nesërmen. Kjo, ndodhte shpesh dhe për të dy palët. Koçi Starja, kurrë nuk ktheu njeri me duar bosh! Më 1943 ai numëronte katër tufa dhënsh me nga shtatëqint kokë secila.

Nga fundi i 1943, – tregon dajë Muharremi – na erdhi në shtëpi Josif Pashko i shoqëruar nga dy partizanë. Ishte nisur nga Korça për të ardhur drejt e në Starje. Kishin zbritur nga makina në Premec. Ishte errur kur morën izën për tu futur në kështjellë. Isufi atë natë kish qëndruar në Korçë e Josifi kishte marrë informata të sakta në lidhje me këtë; ndaj ata hynë në shtëpi pa frikë. Qysh në fillimin e muhabetit kërkuan që të mos përgatitej gjë për darkë se ata do të iknin. U nxorrën pak raki me mezet e zakonshme të traditës. Pas gjysëm ore muhabet Josifi iu drejtua Koçiut:

– Koçi bej – foli ai duke u menduar; jemi në një hall të madh! Na kanë mbetur, pothuaj zbathur shokët nëpër male; janë njëqind e pesëdhjetë partizanë që iu janë bërë këpucët fërtele; në qoftë se të vjen për mbarë bëj ç`ke në dorë që të mos vdesin ata shqiptarë e bij nënash!..

Koçiu na urdhëroi mua e Selimin të numëronim 150 shterpa e t`i nxirrnim te shelgjet. Një orë më vonë, pasi falënderuan Koçinë, dolën dhe erdhën prapë; morën dhëntë e po i kalonin nëpër lumë. Ne i përcollëm gjer te Kroi i Nikos dhe u kthyem në shtëpi. Para se të dilte nga shtëpia, miku nga Vodica kish falënderuar, edhe njëherë, zotin e shtëpisë me përulje të thellë duke i thurur lavde teqesë së Baba Xhaferrit dhe shën Mërisë – përfundoi së treguari dajë Muharremi.

Këto ishin të fundit fjalë dalë nga goja e mikut të ardhur, birit të arqimandritit të kishës së Vodicës Pais Vodica, kisha e të cilit, disa vite më vonë, do të bëhej gërmadhë nga rinia komuniste e frymëzuar nga i biri Josif Pashko e shokët e tij të kovaçhanes komuniste. Pas 1944-s ky njeri u emërua prokuror i përgjithshëm duke lënë në Kolonjë, si mëkëmbës të tij, kushërinë e tij Çome Vodica që bëri kërdinë në rradhët e Nacionalizmës shqiptare të Kolonjës e Korçës duke vrarë e burgosur bijtë më të mirë e më trima të këtyre trevave. Në çdo proces gjyqësor ndaj kundërshtarëve të tyre nacionalistë, përveç vrasjes ose burgosjes, merrej edhe vendimi për shpronësim dhe sekuestrim të të gjithë pasurisë. Ishte fryma bolshevike e Leninit për të ruajtur e përforcuar pushtetin, që po përhapej në një vend që nuk kishte as bukë për të ngrënë.

Kishin filluar tatimet e jashtëzakonshme dhe detyrimet karshi shtetit, siç i quanin ata. Kërkohej si detyrim mish, lesh, gjalpë, vaj, vezë, djathë, ullinj, grurë, misër, elb, tërshërë, hajvanë samari e gjithçka tjetër që i nevojitej asaj makinerie të përbindshme për të qëndruar në këmbë.

Cilido studiues, vendas apo i huaj, që kërkon të thellojë njohuritë e tij mbi komunizmin, mbi praktikën komuniste më tepër, nuk i duhet të shkojë e të hulumtojë në Rusinë Sovjetike apo në Lion e qytete të tjera të Francës së revolucionit të viteve 1789 – 1793! Jo! Ai duhet të studiojë dhe njohë vetëm praktikën komuniste shqiptare prej vitit 1942 dhe deri më 1990!.. Pas këtij studimi të imtësishëm atij do t`i duhet të kurohet në ndonjë klinikë psikiatrike për ta marrë pak veten nga një tronditje e rëndë që sjellin përfundimet e llahtarshme prej përftimit të atij studimi…