Betty Plepci

Me kujdes mbaja në dorë gotën e ëndrrës,
ku në të shpesh pija ujin e bekuar të dashurisë.
Ishte aq i ëmbël, sa herë e gëlltisja,
zemrës i jepte shpresën e rinisë.
Dhe gota në duar çdo ditë më shumë peshonte;
ishte e mbushur plot me dashuri.
Sa herë e shikoja, dukej se më thoshte:
“Bashkë do të ecim, përkrah, ne të dy.”
E dehur nga gëzimi, çdo mëngjes zgjohesha.
Ajo gotë e vogël, mbushur deri në grykë,
te komodina e shtratit krenare qëndronte,
sikur asnjëherë nuk do të kishte mbarim.
Por një ditë, pa pritur, diçka kishte ndodhur.
Gota në vend nuk ishte si gjithmonë.
Pa dashje, dikush e kishte spostuar,
dhe zemrën, në çast, dhimbja e përshkoi.
E mora në duart që dridheshin nga trishtimi.
Kujtimet një drithërimë ia përshkuan trupit të gjorë.
Gota në duar u thye nga mërzia,
duart e gjakosura mbetën përgjithmonë.