“Humori pas kuintave”-Ilirian Ali

Ilirian Ali

“Humori pas kuintave”

Në skenë!

Heroi i dramës, atentatori që luhej nga Kastrioti, kishte përballë spiunin që interpretohej nga Fabit Beqiri (R.I.P.). Spiuni ishte planifikuar të vritej skenikisht nga Kastrioti, por në atë kohë krismat — efekti skenik — bëheshin nga prapa kuintave. Puntori i skenës, që e ndiqte shfaqjen me vëmendje, godiste me çekiç kapsollën mbi çimento në momentin e duhur.

Aksion!

Kastrioti i drejtohet Fabitit me pistoletë: — “Në emër të popullit je dënuar me vdekje!”

Shkrep këmbëzën një herë, dy, tre… por pikërisht në çastin kur duhej të dëgjoheshin krismat, ato nuk plasën.

Atëherë Fabiti, me zgjuarsinë e aktorit të lindur, tha menjëherë: — “Nuk di gjë unë, regjisori më ka thënë të vdes!”

…dhe u shtri në skenë pa shkrepur pistoleta. Në momentin që ai u rrëzua, plasën kapsollat.

Publiku shpërtheu në të qeshura, por edhe ne që ishim pjesë e spektaklit nuk mbetëm pas.

-Shfaqja kishte filluar në fillim të shtatorit dhe mbaroi në prag të dimrit, një punë e gjatë e lodhshme për arsye objektive. Ngjarje të tilla ndryshonin ritmin e provave, skenarin dhe vetë atmosferën brenda trupës. Por humori nuk mungonte kurrë. Ai vinte lirshëm mes nesh edhe pas provave të gjata e rraskapitëse.

Roni, djali i mikut tonë Pipilos — kështu i thërrisnim Fabitit — ishte djalë i zgjuar dhe me humor therës. Ai ishte rritur mes nesh dhe teatrit. Kur kishte role për moshën e tyre, regjisori i aktivizonte fëmijët .

Një herë Roni ishte caktuar që, nga ura mbi skenë, të hidhte fletushka propagandistike, sikur po shpërndaheshin nga avionët italianë mbi fshatrat e jugut gjatë vitit 1943. Efekti shoqërohej me zhurma avionësh luftarakë dhe krijonte atmosferën e Luftës Nacionalçlirimtare.

Fletushkat binin nga lart si të vinin nga qielli, ndërsa “fshatarët” në skenë talleshin me Duçen dhe ushtarët italianë, duke dredhur cigare me ato letra.

Roni e mbaroi detyrën dhe po zbriste shkallët anësore. Ndërkohë Berti — që në atë kohë sapo kishte blerë televizor me ngjyra — po ngjitej për në dhomën e grimit.

U kryqëzuan në shkallë.

— “Mirë… mirë mbrëma xha… xhaxhi Berti,” — i tha Roni.

— “Mirëmbrëma, xhan. Kush je ti?”

Roni ia ktheu menjëherë: — “Po që kur ke marrë televizor me ngjyra ti, xhaxhi Berti, nuk shikon më bardhë e zi! Po Roni jam, more!”

Berti shpërtheu në gaz: — “Po nuk të njoha, o shejtan! Të marrtë djalli,tē marrtë ! Edhe ti, i biri i babait je!”

Humori vazhdonte edhe në dhomën e aktorëve, ku nuk mungonin historitë e ditës.

-Kur mblidheshim te Fabiti për ndonjë gotë raki, i thoshim Ronit: — “Ik një vrap te Sevua e na merr 20 lekë sallam, se s’pihet thatë kjo e flamosur!”

Ai nuk bënte naze, por ironinë e kishte gjithmonë gati: — “Po, po… keni të drejtë, xhaxhi Lilo… se Pipilua ka harruar t’ju fusë në forcë sot!”

Dhe ikte me vrap.

Pas pesë minutash kthehej: — “Sevua e kishte mbyllur dyqanin.”

Një ditë, dy ditë, tre ditë… e njëjta histori.

Derisa një ditë xhoxhi vendosi ta ndiqte pas: — “Ky po na gënjen i thot Bujarit ! S’ka mundësi!”

Dhe vërtet… sapo doli nga porta, Roni u ul te shtylla e tensionit jashtë oborrit dhe priste të kalonin minutat për t’u kthyer e për të thënë përsëri: — “Sevua e kishte mbyllur…”

Xhoxhi iu afrua: — “Ore mashtrues! Ç’bën këtu? Kështu shkohet te dyqani i Sevos ?”

Roni, pa e humbur toruan: — “Po budalla jam unë t’ju merrja dhe sallam, që të mos shkuleshit nga shtëpia deri në darkë?!”

Qeshëm me lot.

Rakinë ama e pimë edhe pa meze… se ishte raki e mirë.

Ky është Roni i Fabitit. Sot vazhdon të jetë miku ynë, edhe pse Fabiti është larguar nga jeta. Sa herë vjen nga jashtë, takohemi dhe rikthejmë kujtimet tona.

Dhe ne… kthehemi shpesh te ato vite, ku lodhja dhe humori jetonin bashkë pas kuintave të teatrit.