Ilmi Cani – Kur e bardha bëhet mit-Nga Migel Flor

Një vështrim prej lexuesje mbi magjinë e vargut.

Nga Migel Flor

Poezi që të magjepsin dhe të ftojnë të rikthehesh te misteri i tyre. E tillë ishte për mua poezia e Ilmi Canit. Një perlë e mirëfilltë poetike, me frymë mitologjike, përrallore e kristalore, e mbushur me bardhësinë e borës dhe me një dritë që duket sikur vjen nga përtej botës së zakonshme.

Për t’u siguruar se nuk po më udhëhiqte vetëm magjepsja ime personale, ia dërgova poezinë redaktorit tim, një njeri të rreptë në gjykimin e poezisë. Përgjigjja e tij ishte vetëm një fjalë: “Class.”

Por bashkë me kënaqësinë e zbulimit, më lindi edhe një pyetje: përse një poet me këtë pasuri figurative nuk merr më shumë vëmendje? Redaktori m’u përgjigj…”Sepse kanë frikë. Shumë do të donin të shkruanin si Ilmiu.” Nuk mund ta marr këtë si shpjegim të provuar, por përgjigjja më shtyu të mendoj se vlera letrare dhe dukshmëria publike nuk përputhen gjithmonë.

Në këtë poezi, e bardha nuk është thjesht ngjyrë… është një univers i gjallë ku bashkohen pastërtia, misteri, fuqia dhe ringjallja. Kali i bardhë, figura e veshur në të bardha, mjegullnaja, ujvarat dhe kreshtat krijojnë një tablo që merr përmasa mitologjike. Natyra nuk është sfond, por një forcë që lëviz, gjëmon dhe zgjon jetën.

“Ka mbledhur këngët e zogjve.

Ka gjëmuar vetëtimë në borën e bardhë,

Për begatinë e krojeve.”

ndërthurin butësinë e këngës me fuqinë e stuhisë. Bora, që zakonisht simbolizon ngrirjen dhe heshtjen, shndërrohet në hapësirën ku përgatitet zgjimi i jetës. Ndërsa krojet bëhen simbole të burimit, të vazhdimësisë dhe të begatisë.

Veçanërisht intriguese është figura e “Atkinës së bardhë” e cila, së bashku me kalin dhe kalërimin mbi kreshta, i jep poezisë një frymë legjendare.

Vargjet ku mjegullnaja zbret dhe “ndez jetët” sjellin një përmbysje të bukur poetike…e bardha nuk mbulon vetëm, por zgjon; nuk ngrin, por ruan brenda vetes premtimin e blerimit. Është natyra që rilind dhe, njëkohësisht, shpirti që kërkon të kapërcejë shtigjet….

“Psherëtij pse nuk m’u bë…”

Dhe madhështia e peizazhit prek papritur dhimbjen njerëzore. Pas gjithë dritës, lëvizjes dhe bukurisë mbetet një dëshirë e parealizuar, një ëndërr që nuk u bë realitet. Nuk e dimë çfarë ka pasur parasysh poeti, por pikërisht kjo hapësirë e papërcaktuar i lejon lexuesit të gjejë aty mallin dhe pengun e vet.

Për mua, poezia e Ilmi Canit është një tablo e bardhë që nuk qëndron e ngrirë: ajo gjëmon, zbret nga kreshtat, mbledh këngët e zogjve dhe zgjon jetën nën borë. Ajo bashkon mitin me natyrën dhe bukurinë me dhimbjen njerëzore.

E quaj perlë, sepse kështu e përjetova. Jo për shkak të famës apo mungesës së saj, por për shkak të asaj që më dha vetë vargu.

“Jo çdo gjë që shkëlqen është perlë, por as çdo perlë nuk shkëlqen në vitrinën e duhur. Disa duhen zbuluar në heshtje. Dhe, kur i zbulon, duhet të kesh guximin të flasësh për to.”

Migel Flor

******************************************

Kalëron një kalë të bardhë.

Veshur në të bardha.

Kaplon mjergullnajë e bardhë në ujvara.

Ka mbledhur këngët e zogjve.

Ka gjëmuar vetëtimë në borën e bardhë,

Për begatinë e krojeve.

Atkina e bardhë. Mbi kalin e bardhë.

Si vetëtimë kaluar ,kalëruar kreshtat.

Zbret kalëruar, si mjergullnajë e bardhë.

Që ndez jetët,borërave, fjetur.

Si vello e bardhë e bardhë

Krojesh ,blerimin për të ndezur.

Psherëtij pse nuk mu bë sonet.

Ilmi Sadin Cani