Migel Flor

Ju që po kërkoni arsyet përse po çohen studentët, unë po ju them shkakun e parë…”në vendin tim, talenti dhe aftësia i shërbejnë injorancës së pasur.”
Përfytyroni një student që ka studiuar me vite, ka marrë nota të larta dhe ka fituar me meritë një diplomë. Pas universitetit, ai përfundon duke shërbyer kafe, ndërsa ata që kanë blerë DIPLOMEN me paratë dhe lidhjet e familjes ngjiten në poste drejtuese.
Ai vendos filxhanin mbi tavolinë. Klienti i pasur i lë një bakshish dhe mendon…«Hë, mirë je edhe këtu! Nxjerr një rrogë, merr ndonjë bakshish. Çfarë të duhet më shumë?»
Ja tragjedia shqiptare…i afti shërben, ndërsa i privilegjuari urdhëron.
Nuk është turp të shërbesh kafe. Turp është një sistem që ia mbyll dyert të aftit dhe ia hap ato atij që ka para, lidhje e mbiemër, por jo domosdoshmërisht meritë.
Studenti kërkon mundësinë të konkurrojë, të punojë dhe të ndërtojë të ardhmen mbi atë që di, jo mbi atë që trashëgon nga paratë e babait.
.
Kjo është një nga arsyet e para pse çohen studentët: nuk pranojnë që privilegji të zërë vendin e meritës.
Por kur ngrihen për ta kërkuar këtë të drejtë, përballë tyre del uniforma e policisë.
Një polic që dikur ishte student. Një djalë shqiptar i formuar në shkollat e shtetit, i stërvitur fizikisht për t’u përballur me krimin. Por a e kanë stërvitur edhe mendjen? A i kanë mësuar se forca pa gjykim është rrezik, se uniforma nuk të jep të drejtën të poshtërosh dhe se njeriu përballë teje nuk pushon së qeni qytetar pse proteston?
Edhe në një protestë të tensionuar, dinjiteti i njeriut mbetet i paprekshëm. Polici duhet të mbrojë ligjin, jo ta zëvendësojë atë me shkopin e gomës. Duhet të dallojë kërcënimin nga protesta, shkeljen nga kundërshtimi dhe detyrën nga bindja…
Por pyetja ime është edhe më e rëndë:
Ku është kjo forcë kur krimi godet qytetarin e pambrojtur?
Ku është kur një vajzë përdhunohet, kur një grua keqtrajtohet, kur një biznes i vogël grabitet? Ku është kur një i ri shkatërrohet nga droga, ndërsa ata që e furnizojnë vazhdojnë të fitojnë? Ku është kur një vëlla vret vëllanë për një copë tokë apo një pemë fiku? Kur një hajdut rrëzon një të moshuar përtokë për t’i marrë një varëse me vlerë kujtimi? Kur qytetarët mashtrohen, kërcënohen, shantazhohen dhe frikësohen të denoncojnë?
Nuk them se policia nuk punon apo se çdo oficer është indiferent. Ka njerëz që e kryejnë detyrën me ndershmëri. Por qytetari ka të drejtë të kërkojë llogari për çdo dështim dhe mbrojtje për çdo viktimë.
Një shtet nuk tregon forcë me shpejtësinë me të cilën rrethon protestuesit, por me sigurinë që u jep qytetarëve. Nuk vlerësohet me numrin e uniformave në rrugë, por me aftësinë për të parandaluar krimin, hetuar autorët dhe mbrojtur të pambrojturit.
Nëse shteti tregohet i shpejtë ndaj studentit që kërkon të drejtën, por qytetari ndihet i braktisur përballë krimit, atëherë duhet të pyesim…kë po mbron forca publike dhe kujt po i shërben?
Këtu lidhen dy plagët tona… një arsim që nuk garanton mundësi të barabarta dhe institucione që rrezikojnë të harrojnë se ekzistojnë për qytetarin.
Nga njëra anë, studenti i aftë mbetet pas banakut. Nga ana tjetër, polici i ri vihet përballë tij. Dy të rinj shqiptarë, të dy me të ardhme për të ndërtuar, përplasen në rrugë, ndërsa përgjegjësitë e vërteta mbeten larg arenës.
“Gladiatorët përleshen, turma brohoret dhe mbreti i ahengut kënaqet.
Por gjaku u përket gladiatorëve.
Atyre që i shohin nga tribunat u intereson vetëm shkelja e mendimit që kërkon ti rrëzojë.
Policë të shkolluar si gladiatorë dhe studentë të detyruar të luftojnë për të ardhmen e tyre…. Universitete që prodhojnë mendje kritike, jo vetëm diploma a kemi???
Institucione ku aftësia të jetë kriteri i punësimit dhe drejtësia të mos varet nga pasuria a kemi?
Test punësimi ku çdo i aftë të ketë mundësinë të konkurrojë pa u mposhtur paraprakisht nga privilegji….a kemi?
Mos kërkoni arsyet e protestës vetëm te zhurma e rrugëve. Kërkojini te dyert e mbyllura për meritorët, te postet e fituara pa garë të ndershme, te krimi që lë qytetarin në frikë dhe te uniforma që, në vend të mbrojë të drejtën, rrezikon të përdoret kundër saj.
Studentët çohen sepse nuk duan ta kalojnë jetën duke u shërbyer atyre që duhet t’u shërbejnë me dijen e tyre…. kërkojnë një vend ku puna të shpërblehet, ligji të jetë i barabartë dhe ku e ardhmja të mos blihet.
Dhe unë po e them edhe një herë, sepse këtu nis gjithçka:
“Në vendin tim, talenti dhe aftësia i shërbejnë kafesë së injorancës.”
Ky është universiteti shqiptar kur diploma nuk mjafton për të hapur dyer. Ky është shteti kur privilegji rrezikon të mposhtë meritën. Kjo është tragjedia e një vendi që i përgatit të rinjtë, por nuk u krijon hapësirë të zhvillojnë aftësitë e tyre.
Pastaj çuditemi përse protestojnë.
“Sepse një shoqëri që e detyron talentin të shërbejë dhe i lejon injorancës të urdhërojë, nuk humbet vetëm të rinjtë e saj. Humbet të ardhmen.
Turp për padrejtësinë që e përmbys këtë rend vlerash. Përgjegjësi për institucionet që e lejojnë. Dhe detyrë për ne që të mos e pranojmë si normalitet.
Një vend përparon kur secili ka mundësinë të japë më të mirën e vet.