Intervistoi: Irma Kurti


Arti është gjuha universale që bashkon njerëzimin
Poetja, piktorja dhe skulptorja ndërkombëtare Ivonne Sánchez-Barea (SHBA/Spanjë/Kolumbi), e lindur në Nju Jork në vitin 1955 dhe banuese në Spanjë, ka ndërtuar një karrierë artistike dhe letrare thellësisht të fortë, me studimet e kryera në Shtetet e Bashkuara, Kolumbi, Paris dhe Madrid.
Vepra e saj i kapërcen kufijtë: ajo është Zëvendëspresidente e Çmimit Ndërkombëtar Gabriel Galloni për Art dhe Poezi (Spanja 2026) dhe Zëvendëspresidente për Evropën e FUNEMA International që nga viti 2017. Themeluese e organizatave kulturore dhe anëtare aktive e akademive dhe komiteteve shkencore në Evropë dhe Amerikë, ajo ka qenë e ftuar në universitete, forume dhe festivale ndërkombëtare të poezisë në Amerikë, Kanada, Evropë dhe Afrikën e Veriut.
Me më shumë se 80 libra të botuar, vepra e saj është përkthyer në dhjetë gjuhë dhe është përfshirë në antologji të shumta ndërkombëtare. Ajo ka marrë çmime prestigjioze midis viteve 2021 dhe 2026, duke përfshirë vlerësime të tilla si Libra për Paqe, POETAE INSIGNIS, Çmimi Kombëtar i Letërsisë Macondo për Inovacion Letrar dhe çmime të shumta ndërkombëtare në Itali dhe Spanjë.
A e shihni veten kryesisht si poete, piktore apo skulptore, apo të gjitha bashkohen në një identitet?
Identiteti im nuk bazohet vetëm në disiplinat artistike dhe letrare, por edhe në përvojën pasuruese të të jetuarit në vende të ndryshme. Kam patur dy prindër me origjinë nga vende të ndryshme dhe unë kam lindur në një vend të tretë. Gjithashtu, kësaj i shtohet edhe përvoja ime e punës në misionet diplomatike arabe për dhjetë vjet. Të gjitha këto rrethana kanë krijuar një bazë të pasur nga e cila kam mësuar të transformoj edhe shprehjet e mia letrare dhe artistike.
Ndjej se kam një identitet universal; si poezia ashtu edhe piktura, në planet e tyre dy-dimensionale, ashtu edhe skulptura, në tre planet hapësinore, më kanë siguruar hapësira mendore në të cilat mund të udhëtoj lirisht.
Cili nga këto pasione lindi i pari?
Kur lind një fëmijë, shqisat zgjohen. Së pari dëgjojmë, shohim dhe së fundmi mësojmë të flasim dhe pastaj të shkruajmë.
Qysh fëmijë, u mësova me një aktivitet mendor dinamik dhe inteligjent, duke u drejtuar pyetje vazhdimisht së pari prindërve të mi, pastaj vetes. (Babai im është doktor psikoanalist dhe nëna poete). Pata fatin të merrja arsim dygjuhësh anglisht/spanjisht në Kolumbi. Në 1975, u transferova në Spanjë me idenë e studimit të artit dhe i mbarova studimet në vitet 1980, duke u specializuar në skulpturë. Kisha një mësues të shkëlqyer skulpture i cili më hapi sytë dhe mendjen ndaj fushave të tjera, jo vetëm fizike dhe mendore, por edhe në kombinimin e disiplinave, materialeve dhe eksplorimit të vazhdueshëm dhe pa paragjykime të fushave krijuese. E vërteta do të jetonte gjithmonë brenda meje në hapësirat e mia krijuese.
Jam e apasionuar pas krijimit dhe jetës. Nuk e kuptoj dot jetën pa krijimtarinë.
Çfarë e lidh letërsinë dhe artin?
Në art, imazhet, dy ose tredimensionale, krijohen në hapësira fizike. Në letërsi, ato marrin jetë, formë dhe shprehje përmes fjalëve, dhe me to, krijohen hapësira të tjera individuale që bëhen kolektive, përmes poezisë, tregimeve, letërsisë, etj.
Cila është për ju mënyra më e natyrshme për të shprehur veten?
Krijimet e mia të para ishin artistike, me argjilë, me bojë, me përkthimin e botëve të mia imagjinare në letër dhe në baltë. (Unë ende ruaj disa vepra origjinale që bëra kur isha 5 vjeç, dhe mbaj mend shumë mirë se çfarë më motivoi t’i bëja ato vizatime dhe piktura.) Më vonë, pothuajse adoleshente, poezia lindi krejt natyrshëm. Nëna ime është një poete ortodokse, me një zë të rafinuar dhe metrik. Ndihem e lirë kur shpreh veten në mënyrë autentike. Qysh nga fëmijëria, isha vëzhguese e vëmendshme; më vonë, me punën time krijuese, u përpoqa të mos kopjoja kurrë, por më tepër të pikturoja dhe të krijoja nga imagjinata ime, duke eksploruar paradigma të tjera që do të më çonin në atë bashkim, rezultati i të cilit jam unë: shkencë dhe art.
A ka ndikuar studimi ose jetesa jashtë vendit në krijimtarinë tuaj?
Do të thoja krejt të kundërtën, duke patur parasysh përvojat e mia të udhëtimit që nga fëmijëria, së pari nga Shtetet e Bashkuara në Kolumbi, pastaj nga Kolumbia në Spanjë dhe Francë (1967/68), ku maji i vitit 1968 më bëri ta shihja botën ndryshe duke shënuar fundin e fëmijërisë sime. U ktheva në Kolumbi, ku studiova dhe jetova deri në vitin 1975, kur erdha të jetoja në Spanjë. Qysh atëherë, jeta ime ka qenë një udhëtim i vazhdueshëm nëpër kultura të tjera, duke mësuar dhe përfituar prej tyre.
Disa nga sfidat me të cilat jeni përballur në rrugëtimin letrar?
Sfida më e madhe në karrierën time letrare, deri në shekullin e 21-të, ishte të botoja. Kjo është arsyeja pse mësova të redaktoja dhe të dizenjoja librat e mi. Liria që fitova nga pavarësia për të krijuar vepra që janë në përputhje me vizionin tim është e dukshme në shumë nga librat e mi, të cilët përmbajnë piktura dhe vizatime. Ka ndërveprime vizuale midis poezisë dhe artit, mendimit dhe fjalës, ngjyrës dhe zërit që ka qenë me mua që nga fëmijëria. Një dialog midis disiplinave, një bisedë. I kam strukturuar përmbledhjet e mia të poezisë sipas temave, duke u përqendruar në barazinë gjinore, pavarësinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të grave. Këto tema përfshijnë drejtësinë, hapësirën/kohën, kujtesën dhe përvojën, dhe e gjithë kjo e rrënjosur në respektin për natyrën. Jam mbështetur në letërsinë klasike, por edhe në letërsinë bashkëkohore, në poetë, vargjet e të cilëve më kanë frymëzuar qysh nga fëmijëria, si Federico García Lorca, Neruda, Gabriela Mitral, ose në konceptet kozmogonike të fiseve indigjene të Amerikës së Jugut, ose në çelësat shkencorë, të cilët shpesh i kam poetizuar për të krijuar hapësira të tjera nga hapësirat krijuese.
A mendoni se të shkruarit ka forcën të ndryshojë jetën tonë?
Sigurisht. Çdo disiplinë krijuese, çdo shprehje që buron nga e vërteta e qenies njerëzore dhe transformimi i brendshëm nga jashtë, lë një gjurmë në planin personal dhe ndoshta, në shoqërinë, historinë dhe qytetërimet universale.
Keni më shumë se 80 libra të botuar dhe vepra juaj është përkthyer në dhjetë gjuhë. Si e përcaktoni suksesin?
Suksesi, në vetvete, nuk përcakton plotësinë e transformimit të brendshëm që sjell kreativiteti tek qeniet njerëzore. Unë kurrë nuk e kam kërkuar suksesin. Ajo vepër artistike, letrare që e prek lexuesin, shikuesin dhe e bën atë të vërë në pikëpyetje gjërat, është suksesi më i madh, sepse vetëm ai akt i prekjes së shpirtit, emocionit, mendimeve të një qenieje tjetër, më bën të ndiej arsyen e vërtetë të ekzistencës sime. Ndoshta e tejkalon jetën time, ndoshta jo… por e rëndësishme është se kam arritur të prek njerëzit përmes fjalëve, vizatimit, poezisë, pikturës dhe skulpturës.
Arti është një gjuhë universale që bashkon njerëzimin. Ky është Suksesi.
Me çfarë projektesh po punoni tani?
Disa ditë më parë, botova një libër për të cilin m’u deshën 23 vjet për ta përfunduar. Ai u ndërtua ditë pas dite dhe vit pas viti, përkrah progresit teknologjik. Libri, Parimi Dhe Teoria E Artit “Q” (Kuant) bazohet në teori dhe kreativitet shkencor, duke mbështetur punën që kam prodhuar gjatë një periudhe të titulluar ART “Q”, ku drita, si një përbërës i fotoneve, merr jetë në pikturë, shprehje dhe fjalë.
Kam planifikuar tre ekspozita arti për vitin 2026 dhe fillimin e vitit 2027: dy në Spanjë dhe një tjetër në një platformë ndërkombëtare.
Do të doja të kisha ende kohë për të kataloguar veprat e mia të plota të artit dhe për të përfunduar librat me ese nga koleksioni “Caleidoscopio” mbi poetikën e poetëve bashkëkohorë që shkruajnë në spanjisht. Do ta bëj derisa të jem në gjendje të vazhdoj të shkruaj. Vuaj nga një sëmundje degjenerative që po m’i zvogëlon gradualisht aftësitë motorike të duarve dhe këmbëve.