Ka mungesa që nuk bëjnë zhurmë…janë si një zbrazëti brenda teje-Ambra Agaj

Ambra Agaj

Ka mungesa që nuk bëjnë zhurmë…janë si një zbrazëti brenda teje.

Ti je ajo mungesë.

Jo si një kujtim i largët,

por si një hije që endet në çdo cep të jetës sime,

pa formë, pa zë… por gjithmonë aty.

Mami u bë strehë dhe stuhi njëkohësisht,

u bë dy duar më shumë,

dy zemra më shumë,

që unë të mos e ndjeja boshllëkun që le pas.

Por boshllëku nuk mbushet me përpjekje,

ai rritet në heshtje,

si një det i errët që s’ka fund

Unë u rrita duke imagjinuar një version të jetës

ku ti nuk ishe një mungesë,

por një prani.

Një tryezë ku karriget nuk ishin kurrë bosh,

një shtëpi ku ishim si familje te gjithë

Por realiteti ishte tjetër—

ne cdo copë te thyer te zemrës sime,

 reflektonte nje dhimbje ndryshe

Dhe ajo që më dhemb më shumë…

nuk është vetëm mungesa jote,

por mënyra si e theve atë që qëndroi.

Sytë e saj, që mbusheshin me lot në heshtje,

zemra e saj, që thyhej pa bërë zë,

si një qelq që nuk dëgjohet kur thyhet

Unë nuk e mësova urrejtjen nga vetja,

ajo më lindi duke parë dhimbjen e saj.

U rrit brenda meje si një zjarr i fshehtë,

që nuk djeg botën,

por më djeg mua çdo ditë.

Sot, në ditëlindjen tënde,

nuk munda të të qaj si një vajzë që ka humbur babanë,

sepse brenda meje nuk jeton vetëm malli—

jeton edhe një furtunë e egër,

një përplasje ndjenjash që nuk gjejnë paqe kurrë

Lotët më ranë si shi i rëndë,

por nuk ishin vetëm për ty.

Ishin për mua,

për të,

për gjithçka që mund të kishte qenë…

dhe nuk ishte kurrë.

Mund të të fal për plagët që më le,

sepse koha i mëson duart të mbajnë edhe dhimbjen.

Por kurrë nuk do të mund të fal

lotët e saj.

Sepse çdo pikë e tyre

është një det që unë e mbaj ende brenda vetes.