Kafeja pa sheqer-Ariel Bella

Kafeja pa sheqer
Mbaroma një kafe…
se shpirti im sonte nuk po gjen qetësi.
Ma bëj të hidhur, pa sheqer,
që ta ndiej fort në çdo gllënjkë kur ta pi.
.
Ma sill në filxhanin e bardhë,
aty ku dikur mbaja ngrohtësinë e dashurisë.
E dua të pastër si kujtimi yt,
edhe pse sot më dhemb ta mbaj.
.
Ma lër pranë një heshtje të gjatë,
dhe një gotë me copëza kujtimesh…
se sot më the pa mëshirë:
“Thjesht nuk të dua më.”
.
Mbaroma këtë kafe,
le të më djegë hidhësia e saj,
që të më kujtojë ngadalë
se jo çdo gjë e ëmbël
ka pasur sheqer brenda.
.
Dhe me çdo gllënjkë të fundit,
do ta mbledh zemrën time ngadalë…
sepse disa dhimbje nuk shërohen duke harruar,
por duke mësuar të jetosh me to.
Ariel Bella