Marisa Ashiku

Kemi të njëjtin qiell, the?
Jo, jo.
Ti ke një tjetër qiell…
Çdo mbrëmje bie një yll
në perden e dhomës
e s’më njeh.
Hëna varet
në degët e pemës
dhe zhvishet nga shkëlqimi.
Brinjët e tua,
a janë shteg për tek unë?
Kemi të njëjtin qiell, the?
A jetojnë aty
engjëjt e dëbuar?
Këtu, te unë,
në katin e parë,
një grua kreh flokët e gjatë
dhe një burrë
mbledh flokët e saj
nga këmisha e natës
dhe i nuhat.
Në katin e shtatë ,
një burrë numëron kalimtaret
dhe shkund hirin
mbi kokat e tyre.
Në rrugë një i dehur
mbledh bishtat e cigareve,
i thith si lumturinë
dhe orvatet të hipë
në metronë e fundit,
që mbledh njerëzit
si monedha të humbura
të rëna nga xhepat
mbi hekurudhë…
Ato reflektojnë
si dy gjysma pasqyre
fytyrën e një plaku
që mban në duar një lule,
mbështjellë me letër kalk
nga ku gjurmoj
brinjët e tij
si udhë
për tek dashuria…
Ky është qielli
ku jetoj.