
Nga Petrit Ruka.
Baba, ne ikëm.
Shtëpinë e braktisëm…
Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota,
Dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
Si dryn një palë lot vendosëm tek porta
Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
Në metropole që mblidhen si punë e iriqve,
(E ke parasysh kur e vjelin një pemë
Dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!
U ngjeshëm këtej nëpër halle të reja,
E humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
Gjithçka e gatshme në dyqane luksoze,..
Dyqan psikologu, që të kallais dhe zemrën…
Ne ikëm dhe varrin ta kyçëm në një video,
Të dielën të takojmë në xhamin vizual,
Me mend i vemë lulet, dy lotë, një cigare,
Jetojmë me simbole,…në një botë me manual.
Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
Tani ne gjithçka e mbajmë në një kuti,
Kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
Në xhamin e tij takon çdo njeri.
Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasëm,
Puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent,
Dhe nënën e qan nga mijra kilometra
Kur e fusin në varr, me video koferencë.
Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
Këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
S’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
Qëllova i dobët dhe mbytem në lot.
Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
Nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
Një kohë arixhinjsh jeton sot gjithë bota,
Ik edhe thur kanistra pikëllimi.
Ja dhe komenti im për këtë poezi të të madhit Petrit Ruka, të botuar në Almanakun e Beratit.
Një poezi brilante, në të cilën vargjet e shkruara aq bukur e me nivel artistik të emocionojnë, të drithërojnë dhe që, shumë njerëzisht, jetën reale tregojnë.
Ju jeni zhytur në jehonën e kohës dhe keni thithur aktualitetin për të na servirur këtë poezi kaq reale, objektive, me një thellësi mendimi të një plage të rëndë, atë të largimit me dhimbje në dhe të huaj.
Në këtë poezi gjendet shpirti juaj i ndjeshëm, i bukur, i cili gjendet në çdo fjalë të vargjeve, në lotët, në folenë e dhimbjes tuaj. Në fjalët me dritë, me vlerë, me aromë, me peshë, të thella, të bukura, në fjalë që lënë gjurmë. Keni derdhur ngjyrat më të bukura dhe me shije të një piktori të talentuar.
Sa bukur e jepni, me vargjet tuaja mjeshtërore, lëvizjen e njerëzve në gjithë botën, duke e krahasuar me atë të arixhinjve, por me një ndryshim. Ata thurnin kanistra me xana, ndërsa këta kanistra pikëllimi.
Me një mjeshtëri artistike ndërthurni vargjet si një ujëvarë fjalësh, të cilat shpërthejnë me dhimbje për ata njerëz që kyçin shtëpitë me lotët që lënë tek dryni dhe shkojnë pa ditur se ku do përfundojnë, ku do përplasen në atë vend të huaj, si të huaj.
Por ata dinë vetëm një gjë: se u dhemb shpirti për vendlindjen që e lanë dhe e lënduan, duke marrë me vete në atë kuti që quhet kompjuter kujtimet e tyre të mbledhura në vite, të cilat do të mbajnë lidhjen me vendin më të bukur në botë që lanë pas dhe njerëzit e tyre.
Do të kujtojnë ato që humbën, siç shkruani ju: barin, gjumin, këngën; do të prekin xhamin me dorën e zgjatur, ku nëna, motra, vëllai do të mbeten të zhgënjyer, me dëshpërim në zemër.
Jetojmë në një botë me simbole, në një botë me manuale. Mërgimtari e ndan zemrën në dysh. Në atdhe trishtohet, në shtegtim loton. Malli për ta është si një fllad i lehtë mbi plagë.
Përdorni figura plot gjallëri, freski dhe shumë origjinale, si metaforën, krahasimin, simbolin etj., të cilat i japin shije artistike poezisë, për t’u lexuar me kënaqësi. Idetë tuaja dalin shumë të qarta. Pena juaj mendon para se të shkruajë.
Respekte për ju, poet me shumë vlera, dhe penës suaj të artë!

Një kujtim i bukur i dorëshkrimit të tij në vlerësimin e kësaj poezie nga ana ime, që nuk mund të anashkalohej pa u komentuar për vlerat e larta që ka.
Faleminderit, e dashur Olimbi, për botimin dhe komentin e mençur e të ndjerë në Almanakun e nderuar të Beratit, kësaj kryeqendre diturore në historinë e artë të Shqipërisë.
Petrit Ruka