Kosovë!Nga Marigona Zekaj

Kosovë!

Nga Marigona Zekaj

Unë jam një nga ata fëmijë që luftën e mbaj mend vetëm pak . Ishte koha kur isha rreth shtatë vjeçe dhe shumë gjëra i kuptoja pa i kuptuar plotësisht. Megjithatë, edhe sot, sa herë që ajo periudhë më rikthehet në mendje, më dridhet zemra nga frika dhe nga dhimbja që nuk është shuar kurrë plotësisht.

Shpesh pyes veten: për kë u prenë, u masakruan dhe u flijuan vëllezërit tanë? Për çfarë arsye u copëtuan trupat e tyre, të veshur me uniformën e UÇK-së? Ata nuk dhanë jetën për një Kosovë pa dinjitet, por për një vend ku drejtësia, nderi dhe përgjegjësia do të ishin themel i shoqërisë.

Sot, shumë prej dëshmitarëve të asaj kohe jetojnë mes nesh, disa pa gjymtyrë, duke mbajtur mbi trup dhe në shpirt plagët e luftës. Ku janë ata? Ku janë veteranët, zëri i të cilëve duket se është heshtur? Nëse zëri i tyre do të dëgjohej më shumë, ndoshta realiteti ynë do të ishte ndryshe dhe nuk do të udhëhiqeshim nga njerëz të pandërgjegjshëm.

Në këtë realitet lind një pyetje e dhimbshme: a mjafton një karrige dhe një pagë për të pasur dinjitet? Përgjigjja është e qartë – jo. Dinjiteti nuk blihet dhe nuk fitohet me poste. Ai fillon nga edukata, nga ndërgjegjja dhe nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.

Qytetarët ua kanë dhënë besimin e tyre atyre

dhe sot po trajtohemi si të paditur apo të pavlerë. Dhe kjo është një plagë tjetër, që nuk shihet, por që rëndon mbi shpirtin tim.

Kosova meriton më shumë. Meritën e saj e kanë shkruar me gjak ata që u flijuan. Prandaj, është detyrë e secilit që të mos harrojë, të kërkojë përgjegjësi dhe të mbrojë dinjitetin për të cilin u sakrifikua aq shumë.

A vdiqën ata për ta vjedhur Kosovën, për ta degjeneruar atë, për ta bërë teatër e skenë, e pikë humoristike?

Kosovë, kam nisur t’i fal ata që të lanë…

më fal nëse një ditë të lë edhe unë.

@highlight

E shkruar me emocion✍️