Kripë dhe lot…(Kastriot Fetahu)-Analizë – nga Migel Flor

KRIPË DHE LOT’…..

Në bikinin e vajzës me flokë të shkurtra,
jo vetëm ngjyrat e zebrës,
por shpresa dhe ëndrra,
psherëtima dhe trishtimi, përralla dhe legjenda,
shkruar në gjurmët e këmbëve të saj
në rërën e lagësht.

Krenare si kështjella që ndërton në breg,
e bukur si një guackë argjendi në bruz,
e shpejtë si pulëbardhë
që sulmon prenë në sipërfaqen e ujit,
indiferente ndaj meje,
si të jem një vendroje plazhi e rrënuar në cepin e tij.

Spërkatjet nga stërkalat kur del nga deti
më turbulluan shikimin,
ndërsa buzëqeshjen nuk ia njoha,
rrezet e diellit i pushonin në sytë e gjelbër.

Aroma e kripës në kofshët e saj
nuk është më e njelmët
se dëshira ime e vrarë nga silueta e dashurisë,
arratisur në brigjet e Mesdheut blu.

K.F.

BOSTON, 08/04/2026.


(Kastriot Fetahu)

ANALIZË – nga Migel Flor

“Kripë e lot” një poezi, që lind si areuolë karshi të bukurës, e cila feks, por s’arrin ta prekësh. “Arena” është sipërfaqja detare ku “erërat” mezi presin, për t’i bërë shkumë; dhe një vajzë-valë si nimfë bregut. Tutje thellësive, përlesheje midis bukurive të gjalla e shpirt’plagosurve…

Titulli është vetë “POLENI” i kësaj poezie…

Kripa është “joshje”, sensualiteti i detit, por edhe “melhemi” që djeg e shëron plagët. Ndërsa lotët e tij janë dhimbje e brendshme, duke u bërë “kristal”, ku lëndimi shpirtëror mbetet “shenjë”, që s’e lan dot as lumi.

“Aroma…
e kripës në kofshët e saj
nuk është më e njelmët
se dëshira ime… e vrarë.”

Kjo strofë “lemzon” dhe është një nga pikat më “fine” të poezisë. Dëshirimi s’është thjesht një flirt erotik; ai është një “duf” që ka ekzistuar, por tashmë mbart dyluftimin brenda vetvetes…

Në leximin e parë vizual-ndjesor, një vajzë shndërrohet në bukuri të paimagjinueshme.

Ajo është:

“krenare si kështjella,
e bukur, guackë argjendi,
e shpejtë si pulëbardhë”… edhe indiferente.

Ky indiferentizëm është çuditbërës, sepse dilema s’ndodh mes dy njerëzve që duan njëri-tjetrin, por ajo “vlon” brenda njërit prej tyre…

Ai sheh,
ajo s’di se po shihet.
Ai përjeton histori,
ajo thjesht del nga deti…

Lind vetmia dhe “vendroja e plazhit të rrënuar”.

Këtu ndoshta është thellësia e detit të poezisë:

Vëzhguesi, kureshtari parafytyron vetveten si një ndërtesë që dikur vigjëlonte në vendroje për të kapur largësitë (pra, shikim poeti?), i cili sheh, buzëqesh, por nuk mund të ndërhyjë…

Ndërsa “e rrënuar” tregon një shpirt që ka humbur funksionin e tij emocional. Ai aty është, ende sheh e dëshiron, por s’është më në gjendje të hyjë “galerisë”.

Një metaforë më se e bukur e njeriut që ka mbetur brigjeve, ndërsa dashuria ikur valëve…

Ku deti është “oqeani” shpirtëror i ndjesive, i cili në këtë poezi nuk është thjesht peizazh, por një hapësirë e pafund dëshirimi dhe shprese…

Vajza del si nimfë nga deti, e lagur, por nga brenda e tharë, sepse shpirti saj është bërë kripë deti…
e “arratisur në brigjet e Mesdheut blu.”

Këtu dashuria kthehet në qenie më vete. Nuk është më vajza ajo që largohet, por është silueta e dashurisë që arratiset ças zërit të “sirenave”.

Kjo shkëndijon kontrastin e poezisë, nga një “ndezje erotike” në një mërmërimë-humbje…

Dhe e bukura ndjek të bukurën:

“Spërkatjet nga stërkalat
kur del nga deti, më turbulluan shikimin…”

Në planin fizik, uji i turbulloi sytë; në aspektin shpirtëror, emocioni ia turbulloi shikimin…

“Ai” nuk arrin dot të dallojë buzëqeshjen e saj. Pra, dëshira është aq e fortë sa i vishet syri dhe fillon të humbasë qartësia (ndodh edhe kështu), në “turbullenca” të forta!?…

Dhe më poshtë të “verbon” shkëlqimi i vargut:

“rrezet e diellit i pushonin në sytë e gjelbër.”

Këtu vajza shndërrohet në figurë mitologjike.

Dielli nuk ndriçon vetëm sytë e saj, por pushon qerpikët te ky “oaz” magjik. Ajo duket si një “zanë” e natyrës: det, diell, guackë, kripë; ndërsa poeti i përgjëruar është “rojtari” i kujtesës, dëshirës, trishtimit, rrënojës, por njëherësh dhe i ringjitjes… sepse ai këndon e buzëqesh…!

Pra, përballë dy botë në lëvizje “misteri”:

Ajo, dritë-hije, trup’njomë, shpirt’djegur;
Ai, “albatros”, kujtesë, humbje e ringritje…

Dhe vajza tashmë bëhet ekran-projektimi, ku poeti nxjerr në dritë vizionin, ratifikon vargjet, “lëmon” rimën, ritmin, e buzëqesh imazhit… ku jetës­ohen ëndrrat, kujtimet, mitet e legjendat dhe “Ajo” kthehet në “ikonë”, që malakset me ujë deti në gjithë stinët…

Ai, i magjepsur pas atij syri (ku zihet me diellin), e çon në “ekstazë” erotizmi kur tret shikimin mbi kofshë të “bronz­uara”, ledhatuar nga valët e kripura…

Poezia nuk mbetet thjesht një “etje” erotike, por vetë sensualiteti bëhet portë e një mungese shpirtërore, që lëshon lot “deti”.

Në fakt, sa më shumë afrohet ekrani syrit të poetit mbi staturën e “shtojzovalles”, aq më shumë largohet shpirti i poetit, lëndohet dhe i largohet asaj.

Ky është mallkimi më i bukur!

…Kur vjen një fund, mbi dëshpërime mbijnë të tjera sytha, të tjera lëndime, të tjera shpresa…..

Migel Flor