Kryeputhja e kësaj jete-Vullnet Mato

Vullnet Mato

 
Qëkur kam lindur e deri viteve në ngjitje,
kam shijuar me shtjekat e mia të buzëve,
të gjitha ëmbëlsitë e puthjeve magjike
dhe di kush qëndron në krye të puthjeve.
 
Kur puthja e më puthte, nëna e shtrenjtë,
më dukej, s’gjendej askund lumturi tjetër,
bëhesha zog, fluturoja nga shpërgenjtë,
dhe mbi male e dete, rrihja krahët e vegjël.

 

Kur putha vashën, që lidhi buzët me mua,
m’u duk, sikur shijova tërë llojet e mjaltit.
Për atë ëmbëlsi, kisha uri të pambaruar
dhe s’doja të më prekej as thërrimja e fatit.

 

Njerëzit e dashur u shtuan, si zogjtë në tel,
më kënaqej shpirti me disa shije puthjesh,
nga përzierja familjare, puthja nuk m’u vel,
me buzë motrash, vëllezërish e nusesh…

 

Kur putha nipa e mbesa, me krahë engjëllor,
ndjeva eliksirin shërues tek buzët dhe sytë.
Kur ata më puthin e faqet, m’i lëmojnë me dorë,
yjet vezullues, më mbushin qiellin me dritë.
 
Por kryeputhja, për të cilën kurdoherë më merr malli,
se ka atë ëmbëlsi, që ia kalon çdo lloj mjalti blete,
ah, puthja e nënës, krahasohet me atë ngrohtësi zjarri,
që puth dielli tokën e i jep dashuri, tërë kësaj jete…