I dashur,mendoj se lulet duhen ujitur…Dori Camaj

Dori Camaj

I dashur,
mendoj se lulet duhen ujitur…
E di,
e di çdo më thuash,
madje edhe se si po e tund kokën në këto çaste
tek përpin gërmat e zeza mbi letrën borë
e di…
por ja që s’më doli nga mendja
të t’a kujtoja.
Do t’më thuash se muret janë bërë
si harta të qyteteve pa kufinj,
e që çatia klith nyjeve të drunjta
si thonj macesh mbi xham,
apo se mbi tryezë
është vetëm një mollë e mykur!
I kam parë edhe perdet
si fustane ciganesh
që mbledhin shkarpa buz’ lumi…
Fotografitë i hoqa nga gozhdët
që shponin mes trupave tanë,
madje tek njëra
koka kish dalë n’anë të supit tim
si kokë shtrige…
Kanati i raftit
u këput vitin e shkuar,
e vendisa pranë oxhakur
dhe pa dashur u dogj…
S’më vjen dorësh asgjë,
s’munda ta ndreqja,
ç’të ndreqja më parë!…
Ti mos u trishto,
tashmë dera është e hapur
e frymo,
si të mundesh,
si të dish,
ose në mundsh…
E di çfarë!
Po bie shi,
një shi i marrë stambolli..
lëri fare lulet,
në mos i zëntë bryma,
do i zërë shtëpia
brenda meje…
Dori Camaj