
Poezi nga Andi Meçaj
Mërmërijnë pemët anës rrugëve,
fytyrat e përgjumura sjellin
ëndrra të patreguara,
djaloshi me pantallona të shkurtra
shet fiq dhe buzëqeshje,
pluhuri i rrugës
është një vello e madhe e ndritshme,
plaku mbi gomar ndihet mbret,
duarlart na përshëndet,
fusha veshur kostume të gjelbërta
parakalojnë në sfilatë,
shtëpi të porsalindura
tundin flamuj të çngjyrosur.
Veturat zhurmojnë drejt qytetit,
duke fluturuar
mbi një këngë melankolie.