Valbona Hoti

Ku flitet keq
Mos u ndal aty ku fjalët peshojnë më shumë se e vërteta,
ku buzëqeshja është maskë dhe goja thikë e mprehtë.
Aty ku emrat përtypen pa mëshirë,
dhe dinjiteti shkelet si pluhur nën këmbë.
Mos u gënje nga heshtja jote,
se ata që flasin sot për dikë tjetër,
nesër do të gjejnë emrin tënd.
Sepse vendi ku rritet ligësia,
nuk bën përjashtime.
Fjalët e këqija nuk zhduken,
ato rrinë në ajër, presin radhën.
Kthehen si hije pas shpine,
si gjykim që vjen pa paralajmërim.
Prandaj largoju atij vendi,
ruaje shpirtin nga helmimi,
ruaje zemrën nga fjalët që vrasin.
Sepse paqja nuk banon aty ku flitet keq.
Ata që flasin keq për të tjerët,
një ditë do flasin edhe për ty.