Robert Martiko
Rreth poezisë “Jehonë e vonë”, me autor Viktor Pojani
Poezia “Jehonë e vonë” është një rrëfim i shkurtër, por me një domethënie të bukur mbi pjekurinë shpirtërore, poezinë dhe dashurinë. Që në titull, autori krijon një paradoks: jehona zakonisht vjen menjëherë pas zërit, ndërsa këtu ajo është “e vonë”. Pikërisht kjo vonesë bëhet metaforë e një ndjenje ose e një zëri krijues që ka jetuar gjatë brenda njeriut, derisa ka ardhur çasti për t’u shprehur.
Pyetjet e fillimit poeti ia drejton vetvetes. Ai kërkon të kuptojë përse fjala poetike ka pritur kaq gjatë për të dalë në dritë. Përgjigjja gjendet te figura e bukur e “erozionit të viteve”. Ashtu si koha gërryen shkëmbin dhe i jep atij forma të reja, edhe vitet kanë punuar mbi shpirtin, duke e ndryshuar, pjekur dhe përgatitur për shprehjen poetike.
Më tej poezia sugjeron një shpirt që ka kundërshtuar, ka vuajtur, është përplasur me jetën, por nuk e ka humbur ndjeshmërinë. Përvoja është shndërruar në lëndë poetike. Kështu, poezia paraqitet jo thjesht si frymëzim i çastit, por si fryt i një kohe të gjatë të jetuar.
Por vargjet në vetvete, duket se nuk mjaftojnë. Duhet të vijë dashuria që ky univers i brendshëm të plotësohet. Dashuria bëhet forca që e çliron fjalën nga heshtja dhe e shtyn poetin drejt komunikimit me të tjerët.
Kuptimi më i thellë gjendet në fund: “Tani dil… / Mos rri më fshehur tek unë..” Këtu poezia pushon së qeni pronë private e autorit. Përvoja personale, pasi është kthyer në art, u përket edhe të tjerëve. Ky është një mendim i rëndësishëm për vetë natyrën e krijimit: poeti e lind vargun nga jeta e tij, por në çastin kur e ndan me lexuesin, ai fiton një jetë tjetër.
“Jehonë e vonë” është, kështu, edhe një poezi për lindjen e vetë poetit. Thotë se krijimi nuk ka një moshë të përcaktuar: disa fjalë duhet të kalojnë përmes viteve, përvojës dhe dashurisë përpara se të jenë gati të dalin nga shpirti. Dhe kur më në fund dalin, nuk i përkasin më vetëm atij që i shkroi – bëhen jehonë edhe në shpirtin e atij që i lexon.
JEHONË E VONË
Pse prej meje kjo jehonë
lind kaq befas,
del kaq vonë?
Ndoshta shpirtit rebel, të thyer,
erozioni i viteve i duhej
për ta zgjuar, për ta kthyer.
Apo ndoshta shpirti romantik
ushqehej veç me vargun poetik,
duke pritur heshtur, i trazuar,
çastin e vet për t’u çliruar.
Derisa një ditë të bekuar,
prej dashurisë
u plotësua, u lumturua.
Dhe ajo i tha:
“Tani dil…
Mos rri më fshehur tek unë,
se kjo jehonë që lindi nga shpirti,
s’më përket vetëm mua!”