Kur loti është vetëm gjurma e dukshme e një plageqë syri nuk mund ta shohë-Robert Martiko



Rreth poezisë “Loti”, me autore Ana Bisholla

Poezia “Loti” është një krijim i shkurtër, por emocionalisht i ngjeshur, mbi dallimin midis dhimbjes që shihet dhe asaj që mbetet e fshehur në shpirt. Ana Bisholla e merr lotin, një nga simbolet më të hershme të trishtimit njerëzor, dhe e paraqet jo si vetë dhimbjen, por vetëm si shenjën e jashtme të saj.
Që në strofën e parë krijohet ky kontrast: loti mund të shihet, madje mund të provohet të ndalet, por “plagën e shpirtit s’do mundesh kurrë ta shikosh”. Këtu qëndron edhe ideja themelore e poezisë: vuajtjet më të thella nuk kanë gjithmonë një pamje të dukshme. Njeriu mund ta fshehë trishtimin pas fytyrës, heshtjes apo një sjelljeje të zakonshme, ndërsa brenda tij zhvillohet një dramë që të tjerët nuk e njohin.
Në strofën e dytë, dhimbja thellohet. Shprehja “brenda shpirtit gropën e ka bërë liqen” krijon imazhin e një plage që nuk është kalimtare, por që ka depërtuar thellë. Edhe “tik-taku i zemrës” shndërrohet në “fushë beteje”: vetë ritmi i jetës bëhet dëshmitar i përplasjes së brendshme. Zemra vazhdon të rrahë, por brenda saj zhvillohet një luftë e heshtur. Kjo pikërisht është ajo që në filozofi quhet kohë shpirtërore, në ndryshim nga koha natyrore që matin akrepat e orës.
Vargu përmbyllës, “I humbur në faqe trishtimin e fundit rrëmben”, e rikthen vëmendjen te loti. Ai përshkon faqen dhe largohet, por nuk merr dot me vete burimin e dhimbjes. Kjo i jep poezisë një përfundim të trishtë: loti mund ta lehtësojë për një çast shpirtin, por jo domosdoshmërisht ta shërojë atë.
Krijimi të sjell ndër mend Antoine de Saint-Exupéry dhe idenë e tij se gjërat thelbësore nuk shihen me sy. Edhe në poezinë e Ana Bishollës, ajo që duket – loti – është vetëm sipërfaqja; e vërteta e dhimbjes qëndron shumë më thellë.
“Loti” është, në thelb, një poezi për vuajtjen e padukshme. Ajo kujton se pas një loti mund të fshihet një histori e tërë dhe se njeriu nuk duhet gjykuar vetëm nga ajo që tregon fytyra. Syri sheh lotin, por vetëm ndjeshmëria mund të përpiqet të kuptojë plagën që e lindi.

LOTI

Kur mbi faqe shikon një lot që rrëshqet,
Më kot vrapin kërkon t’ia ndalosh,
Brenda shpirtit që s’duket la shenjën e vet,
Por plagën e shpirtit s’do mundesh kurrë ta shikosh.

Në sy është roli i fundit që luan,
Brenda shpirtit gropën e ka bërë liqen,
Fushë beteje tik-takun e zemrës,
I humbur në faqe trishtimin e fundit rrëmben.