
Nga Panajot Boli
Poezi
Ky kopshti im…
Kur më turfullohet shpirti dhe ankthi drithëron
Ky kopsht,kjo strehëz e ëmbël,si ilaç më qetëson
Edhe ngjyrat nazike po hedhin valle përmbi vesë
Me hap portën një puhizë e më thotë mirëmëngjes
Në të hyrë dardhë e vogël,çfarë murmurit vallë?
Ca petale të bardha seç më hedh o përmbi ballë
Ah,këto bajame elegante,seç më shkelin atë synë
Limoni po më zgjat dorën, mirëserdhe miku ynë
Mandarina bëhet xheloze,me pjeshkën aty pranë
Me një shishkë plot aromë që në duar gati mban
Portokallja ime kaq e urtë,vetem po më buzëqesh
Me kumbullën bisedon, seç i thotë diçka në vesh
Zonjë e madhe kjo shegë, me lule zjarri porsi yje
Serioze si një nënë fisnike plot me rrudha bukurie
Eksaltohen fluturat nga gazi,në të mirën mbretëri
Po shetit bukuria mes lulesh paqeje e harmoni
Bletët u zgjuan herët dhe me lulet ranë në dashuri
Më vijnë në faqe. S’më thumbojnë,mik të kemi ti
Ky kopsht im, kjo strehëz prehje, tjetër mbretëri
Seç ma lumturojnë shpirtin në këtë ishull harmoni
Këtu çdo gjë është parajsë, një e terë dritë e yllësi
Këtu ka vetem lule,ngjyra plot shkelqim e lumturi
Shpirti këtu ngazellehet, po këtu lind një mengjes
Diçka dije ti,i madhi poet,shpirtkulluar,Robert Bëns