Shyqyri Fejzo
Pak i kërrusur, me sytë nga lumi,
“Gur i Senit” mbushur me ligjerime,
Dremit e sa nuk po e merr gjumi,
Brenda shpuzë mban ato kujtime.
Kur i plotfuqishmi kopaçen mori,
Kopaçin në dy pjesë e ka ndarë,
Grabovën nga mbytja e shpëtoi,
Shpërtheu uji fuqishëm valë-valë.
Vala e lartë çdo gjë përpara vuri:
Gurë, drurë, mullinj dhe bagëti.
Grykën e bllokon një gjigand guri,
Gur i zi i stërmadh sa tri shtëpi.
Grabova përsëri po mbytej, liqen,
Kokforti gur, s’ luante në asnjë anë.
I plotfuqishmi i mençëm rrugë gjen,
I jep forcë dhe gurin ngre havandan.
Guri i inatosur shfryn duke rrotulluar,
Ka vënë përpara ura, bagëti, pemë,
Rrugë, mullinj e shtëpi shkatërruar,
Me ujin valë-valë po tundëte dhenë.
Shënepremtja dha alarmin e rrallë,
Seni, burri që rrezatonte mirësi,
Me njerëzit të keqes i del përballë,
Të shpëtojnë njerëz, vegla, bagëti.
Guri së bashku me ujin e teptisur,
Pak nga pak, tani po i binte ai inat.
Dalë-ngadalë duke u rrukullisur,
Kërkon me sy ku të gjente shtrat.
Guri para një sheshi zuri vend,
Vala e re e ujit me furi shpërtheu,
Guri me rrukullisje ku desh u gjend,
Vala e tërbuar ç’ gjeti para rrëmbeu.
Zëra dhe zhurma përzier prej fatit,
Larg dëgjohen dhe shpërndahej.
Lumi aty mbyti gjysmën e fshatit,
Seni me shokë nga jeta po ndahej.
Tri herë u përpoq i gjori Sen të dilte,
Kapur pas degësh, një fëmijë nën sqetull.
Por, sa ngrihej lart, vala prap e merrte,
Deri sa rryma e futi ku vinte qerthull.
Me keqardhje vinin zërat e fukarasë,
E hataja e madhe e pa pritur u bë.
Zëra e qarje erdhen nga Guri Kalasë,
Pastaj u zhdukën e nuk u dëgjuan më.
Pas ca ditë në fshat u vendos qetësia,
Zakonet si do tradita të gjitha u bënë.
Një ditë aty në fshat mblidhet paria,
Thanë: “Kemi lënë një emër pa vënë.”
Guri në shesh tani ka rënë rehat,
Ashtu si është sheshuar, e ka synë.
Nuk e shkulim e përzëmë dot si fshat,
Duam, nuk duam, ai është fqinji ynë.
Guri që na dëmtoi erdhi i pa ftuar,
Ti vëmë një emër sot ne, të vendit.
Duket shumë krenar, i pa trazuar,
Themi t’i mbetet emri “Guri i Senit”.
Për “Gurin e Senit” këto thotë legjenda:
Ai duket kokën kërrusur, bën me dorë,
Ka shumë sekrete që guri mban brenda,
Ngjatjeton kush kalon, turistë a dasmorë.
