Llambë -Ruzhdi Gole

LLAMBË 


Si të verbërit … ndonjëherë
me gishta dhe me frymë
gjej çelësin e shtëpisë
ngadalë hap derën, 


si të verbërit me dritën 
shpesh jetoj vet i dytë, 
ndez llambat 
prej ëndrre
kthjelloj
terrën.


Gjithçka dritohet, 
ndoshta terra
përtej vetes 
don ende
pak cak,


po u vonua, po u vonua ajo 
t’ik’ prej mërzisë sime 
të acartë e të ndjerë 
mund t’verbohem 
shpejt në gjak …


Me gishta fryme gjej 
hardhinë e të lumtit
fik dritën, çel sytë, …


tek trupi yt ajror
përndritës
hija jeton 
humthi


i lumnuemi
më jep syrin
shoh prek
gjithçka
dritore
vetëm


vet i dytë.


Përhera 
pakëz dritë 
na japin të verbërit,


drithërohemi për dritën
thellë dritojmë njeri-tjetrin.