Mbresa dhe refleksione mbi botimin : ‘’Kur dashuria vjen ‘’ me autore :Judita Dedi-Natasha Limaj

Sot mbarova së lexuari botimin me tri novela të cilat përmblidheshin nën titullin, ‘’ Kur Dashuria Vjen ‘’ të mikes sime krijuese , Judita Dedi. Ndjeshmëria dhe përjetimet më emocionuan dhe u bënë shtysë për këtë shkrim modest mbi të. Kjo triologji me titujt :

1. Kur vjen dashuria

2. Dashuri pa kohë

3. Të jetosh përtej dhjetë ditëve

Edhe pse mininovelat të ndara narrativa e tyre vërtitet rreth leksemës universale ‘’ Dashuri ‘’

Këtë e thot dhe vet autorja, qysh në faqen prezantuese të kësaj triologjie, se dashuria ka shumë fytyra , por vetëm një zë, atë të shpirtit, ashtu edhe novelat e këtij botimi lodrojnë rreth dashurisë dhe vërtetësis së saj e cila është dashuri dhe motivim për jetën.

Në novelën e parë me titull ‘’ Kur dashuria vjen ‘’ autorja na rrefen ndjenja dhe impresione të njohjes së dy personazheve virtualisht. Fillimet e saj dukeshin shumë absurde dhe zor se të mbushej mendja se do të konsolidohej një lidhje dashurie e mirëfilltë . Megjithatë autorja me një narracion shumë të shpejtë arrinë të përciell ndjenja dhe emocione për ngjizjen e një dashurie të pastër shpirtërore, të pranueshme ashtu si vjen ,pa kërkesa, korniza e kufizime .

Judita na e jep shumë qart mesazhin e kësaj novele, me fjalinë përmbyllëse : ‘’ Dashuria e saj për të, nuk ishte zbehur . Ishte aty e heshtur , por e gjallë ‘’

Në novelën e dytë me titull ‘’ Dashuri pa kohë ‘’ autorja po, prap na sjell një histori dashurie të pamundur ,frymëzim nga një ngjarje reale ( sipas saj ) . Dihet që krijuesi ka një shkëndijë inkandeshente nga jeta e cila bëhet embrion për thurjen e krijesës së tijë letrare ,gjë që e shikojmë edhe tek autorja në fjalë . kjo novelë na përciell shumë bukur ngjizjen e një dashurie platonike e cila për të dy personazhet mbeti ëndërr në sirtar .

Jeta e të dy personazheve vazhdoi në drejtime të kundërt , por autorja për të na treguar se ,kur dashuron me shpirt e pastërti, është e pavdekshme, stis një gjetje surprizë. Takimin e dy të rinjve mbas shumë kohësh, ku natyrshëm derdhën ndjenjat për njëri – tjetrin pa cekur drejtimet që kishin marrë.

Novela e tretë vërtitet rreth mirësisë, përkujdesjes , respektit dhe detyrimit profesional me përpikmëri . Këtu na përcillet shumë qartë se empatia , njerëzorja , shpirti i mirë janë element që ndonjëherë ngjizin dashuri të kristalta . këtë e shohim tek kjo novelë me titull ‘’ Të jetosh përtej dhjetë ditëve ‘’ Edhe këtu Judita na përciell ndjenjat e bukura dhe të sinqerta të një infermiereje me një pacient . Si përfundim , këto novela që rrethrrotullohen mbas ndjenjës më hyjnore nuk bëjnë gjë tjetër veç na tregojnë se sa plot me dashuri është zemra e autores , Judita Dedi.

Autorja rrëfen shumë lirshëm dhe të fut në ngjarje pa e kuptuar , ajo nuk merret shumë me ‘’ ujra ‘’ përshkrimesh por vë në gojën e personazheve dialogje të menjëhershme të cilat rrëmbejnë vëmendjen e lexuesit sa herë – herë ai ndihet vet si personazhi.

E veçanta e saj në rrëfim është , se, nuk hallakatet shumë me detaje të ambjentit por depërton vetëm me disa gjetje në skutat më të thella të ndërgjegjes së personazheve duke na sjellë shumë natyrshëm botën e tyre të brendshme. Përdor një gjuhë të kuptueshme mund të themi se rrok leksikun qytetar , pa neologjizma e arkaizma . Elementet sintaksor i njeh dhe përdor shumë mirë , figurat letrare janë shumë të gjetura , metafora , sinonime apo krahasime si ky : ‘’ Filloi ta ndiqte Artën me sy, siç ndjek dielli një lule që çel çdo mëngjes ‘’

Së fundmi nuk më ngelet gjë, veç të them faleminderit dhe kënaqsi mikja ime krijuese Judita Dedi, që më ‘’ injektove ‘’ shpirtin tënd !

Të uroj me shpirt Suksese në penë mike!…

Me Respekt: Natasha Limaj.