Më ftuan një pasdite në Vjenë…Ervina Toptani

Ervina Toptani

Më ftuan një pasdite në Vjenë për të pirë një çaj me të gjitha takëmet që i takojnë këtij momenti çlodhës të pasdites. Unë qesha lehtas dhe thashë:
— Do t’ju duket e çuditshme ndoshta, por unë nuk e pi çajin. Jam betuar që në moshën katërvjeçare se çajin nuk do ta pija më kurrë dhe atë premtim e kam mbajtur deri sot, që jam 44 vjeçe. Ndaj, ju lutem, a mund të pi kafenë time të zakonshme?
Zonja u bë mjaft kureshtare të dinte se çfarë e kishte shtyrë një fëmijë aq të vogël, katërvjeçar, të bënte një premtim kaq serioz, të cilin e kishte mbajtur për 40 vite me radhë pa e shkelur as edhe një herë të vetme. Këmbënguli që t’ia tregoja historinë.
E vetëdijshme se jo të gjithë e kuptojnë vuajtjen, urinë apo dhimbjen e tjetrit pa e pasur provuar mbi lëkurën e tyre, i thashë zonjës se ndoshta nuk do ta kuptonte përmbajtjen e këtij rrëfimi. Megjithatë, vendosa t’ia tregoj.
Përpara se ta nisja rrëfimin, i tregova zonjës se, pavarësisht se në diktaturë komunistët Zotin e kishin shpallur armik, shumë besimtarë të feve të ndryshme luteshin, agjëronin, mbanin kreshmë dhe ndiznin qirinj edhe fshehurazi. Kështu jam rritur edhe unë, me besimin e palëkundur tek Zoti dhe me respektin për sakrificën në emër të Tij. Kjo është e rëndësishme të kuptohet përpara se të filloj rrëfimin.
Kur unë isha e vogël, jetonim si mijëra shqiptarë të tjerë në një varfëri pothuajse ekstreme. Në rastin e familjes sime, që përbëhej prej katër anëtarësh, ku unë isha më e vogla, sakrifica ishte ndryshe nga ajo e shumë familjeve të tjera.
Mamaja ime ishte fëmija i parë i një familjeje të madhe me dhjetë fëmijë. Babai i saj, pra gjyshi im, të cilin nuk e njoha kurrë, kishte ndërruar jetë shumë herët, duke i lënë fëmijët në moshë fare të mitur. Mami im dhe daja im, dy fëmijët e parë, u bënë krahu i djathtë i nënës së tyre, për të rritur tetë fëmijët e tjerë të mitur.
Në moshën 22-vjeçare, daja im burgoset nga regjimi komunist për agjitacion dhe propagandë, me 20 vite burg, nën akuzën se donte të hidhte në erë komitetin e partisë, i vetëm fillikat! Kështu, mjerimi dhe dhimbja nuk iu ndanë gjyshes sime, nënës sime, tezeve të mia e deri tek unë, që prej ditës kur linda. E vetmja ndihmë që kishte gjyshja ime ishte mami im, qē punonte 14 orë në ditë, jepte gjak çdo muaj dhe ushqehej në mënyrën më të tmerrshme të mundshme, në mënyrë që të ndihmonte në rritjen e motrave e të vëllezerve të mitur të saj, dhe të mund të kujdeseshin edhe për vëllanë që vuante në burgun e Spaçit.
Ne nuk kishim asnjëherë sheqer në shtëpi, pasi racionin e tollonit tonë ia çonim dajës në burg, siç ndodhte edhe me kafenë dhe me ushqime të tjera.
Çdo darkë ushqeheshim me bukë të thatë dhe çaj mali pa sheqer. Për t’i bërë të ngrënshme koret e bukës, i fusnim në çajin e vakët dhe prisnim që ato të zbuteshin.
Unë isha e vogël dhe çdo mbrëmje pyesja:
— Mam, a do të më blesh nesër një lugë sheqer t’ia hedh çajit?
Ajo, me lot në sy, më përkëdhelte flokët dhe miratonte me kokë, pa nxjerrë zë.
Edhe kur shkonim te gjyshja, ushqimi ishte i njëjtë. Çaji ishte gjithmonë pa sheqer. Por, në ndryshim nga ime më, ajo thoshte:
— Kush e pi çajin pa sheqer shpërblehet me Parrizin, biri i nonës. (me Parriz nënkuptonte Parajsën)
Unë e pija çdo mbrëmje, duke imagjinuar në mendjen time se parajsa ishte një vend i bukur, me lule, me lodra, me ushqim dhe ku çaji ishte gjithmonë me sheqer.
Mbyllja sytë dhe e gëlltisja hidhësirën e tij si të ishte ushqimi më i shijshëm, derisa një ditë vendosa të rebelohem.
Kisha pritur më kot çdo mbrëmje për një lugë sheqer. Një natë isha e sëmurë me temperaturë të lartë. Ime më, me gjithë merakun dhe përkushtimin e saj, rrinte mbi kryet tim dhe më lutej të pija një çaj të ngrohtë.
— Nëse është pa sheqer, nuk do ta pi! — i thashë. — Më ke premtuar se do të ma blije një lugë sheqer dhe asnjëherë s’ma solle!
Asaj filluan t’i rridhnin lotët rrëke nëpër faqe. Më dhembën në shpirt ato lotë.
— Mam, mos u bëj merak, — i thashë. — Unë tani jam e sëmurë dhe kur fëmijët sëmuren, shkojnë te Zoti kur vdesin. Do të shkoj tek Ai dhe do të bërtas me të madhe: “Nuk e dua Parrizin, vetëm një lugë sheqer dua! Pse na le gjithmonë pa një lugë sheqer?” Dhe ti, mam, do ta shohësh që Ai do të të sjellë pastaj të gjithë sheqerin e botës, sepse unë do ta ndërroj sheqerin me vendin tim në Parriz. Por, të lutem, mos u mërzit. Unë të premtoj se nuk do ta pi më kurrë çajin derisa të shkoj te Zoti.
Mami qante dhe lotët e saj binin si pika shiu mbi flokët e mi, ndërsa trupi im digjej nga temperatura dhe ajo nuk kishte asgjë tjetër për t’i ofruar fëmijës së saj katërvjeçar veç një gote çaj pa sheqer.
Mjerimi kishte emër. Dhimbja kishte emër. Dhe ky emër nuk quhej thjesht komunizëm, siç mendojnë shumë të tjerë. Ishte shpirtligësia e një pjese njerëzish që flijuan mijëra shqiptarë të tjerë për dekada me radhë për egon, dëshirat dhe kënaqësitë e tyre.
Ishin një grusht njerëzish që vranë, burgosën, internuan dhe sakatuan një komb të tërë. Ky grusht njerëzish që bënë për vete e mikluan shumë të tjerë që shqiptarët të vrisnin, të torturonin e të masakronin shqiptarë të tjerë. Ishin dikur ata dhe përsëri këta që janë sot.
Asgjë nuk ka ndryshuar. Ndaj unë vazhdoj ta mbaj premtimin tim për të mos e pirë më kurrë çajin derisa të shkoj tek Zoti. Ndoshta atëherë do të kuptoj. Ai do të më tregojë, e unë do të jem në paqe.