Mes gjuhës së ndjesisë dhe sentencës poetike në gegnishten e Uarda Albunesës-Teuta Sadiku

Teuta Sadiku

Në poezinë shqipe , sidomos në atë që po lëvrohet në gegnisht, vihet re një rikthim i rëndësishëm drejt gjuhës si hapësirë organike e ndjesisë poetike. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një zgjedhje idiomatike apo me një vetëdije identitare, por me një përpjekje për ta rigjetur poezinë përmes një ligjërimi që ruan kujtesën emocionale të fjalës. Pikërisht në këtë truall gjuhësor shfaqet edhe  zëri poetik femëror,i  Uarda Albunesa e cila e përdor gegnishten jo si element dekorativ apo folklorik, por si strukturë të brendshme të mendimit poetik.

“si shpitë  n’katundin  e braktisun

me t’njajtin vrull rrëzohen prrallat

kur kocka then nji gjuhë e krisun!”

Në këtë poetikë , gjuha nuk funksionon vetëm si mjet komunikimi estetik; ajo bëhet vetë atmosferë emocionale, ritëm i brendshëm dhe mekanizëm ndërtimi figurativ. Gegnishtja, me fortësinë e bashkëtingëlloreve, me elasticitetin tingullor dhe me afërsinë që krijon me ligjërimin intim, i jep poezisë një trup akustik të dallueshëm. Vargu nuk ndërtohet mbi artificin retorik, por mbi spontanitetin e një gjuhe që duket sikur rrjedh natyrshëm nga vetë përjetimi. Pikërisht këtu qëndron një nga veçantitë më interesante të kësaj poetike: marrëdhënia organike mes ndjesisë dhe idiomës.

Për ta argumentuar  po hyj  në dialog të drejtpërdrejtë me leximin e këndvështrimit” Rrëfim për vete “ dr. Mujë Buçpapaj në Gazetën Nacional ,për ciklin poetik të Uarda Albunesa.

Për këtë rast, më duket më e frytshme ta vendosim debatin në tri referenca teorike:

***
T. S. Eliot, Roman Jakobson dhe Maurice Blanchot.të cilët  na ndihmojnë ta shohim poezinë e Uarda Albunesa jo vetëm si shprehje ndjenje, por si ndërtim formal.

T. S. Eliot e quante ritmin poetik “muzika e kuptimit”.dhe  lind nga lëvizja e mendimit.

Poezia

“Du me u rrëfy…”

ka një ritëm të qartë përmes anaforës:

“Imzot,
m’lejo me t’u rrëfy…”

dhe më pas:

“Imzot,
pash Zoten, m’len me t’u rrëfy…”

Ky rikthim krijon puls liturgjik.

Këtu do të pajtoheshim me  dr Mujo Buçpapaj i cili evidenton natyrën shpirtërore të poezisë. Pra këtu dr Buçpapaj ndalet te efekti, ndërsa kritika formale duhet të pyesë për funksionin e ritmit.

Por po ta lexojmë me  Eliot-in, lind pyetja:

A përparon mendimi po aq sa përparon ritmi?

Në disa segmente jo plotësisht. Përsëritja ritmike është e fortë, por jo çdo rikthim sjell shtresim të ri semantik.

***

Roman Jakobson na mëson se poezia krijohet kur gjuha kthehet mbi vetveten.

Te Uarda  Albunesa kjo ndodh bukur në këtë çarje:

“t’kam harru e jam zotu si Zot i kontinenteve”

Këtu kemi një përmbysje semantike ku subjekti rrëfyes, që deri atëherë është i përulur, papritur bëhet figurë prometeike.

Ky është një kërcim i fortë ligjërimor që tregon forcë mendimi.

Por nga ana tjetër, sipas Jakobson-it, një çarje duhet të mbështetet në strukturë.

Këtu mund ta kundërshtojmë dr Mujo Buçpapajn e cili  e lexon si pohim shpirtëror, ndërsa në fakt kemi një tension formal që mbetet disi i papërpunuar.por jo  dobësi e mendimit poetik, por nevojë për ngjeshje më të madhe.

***

Maurice Blanchot e shihte heshtjen si vendin ku poezia e tejkalon fjalën.

Në poezinë e Albunesës  kjo shihet qartë në vargjet ku tre pikëshi që pason është një heshtje egzistenciale.

“Kam frikë se më ke harru…
Tmerrohem mos m’ke harru…”

Po ashtu:

“M’ka këput malli me e ndie zanin
e tingëllimën e Kambanave karshi”

Midis dy simboleve fetare krijohet një hapësirë e pathënë dhe ajo

që nuk thuhet është po aq e rëndësishme sa ajo që thuhet çka nuk përmendet në këndvështrimin e dr Mujo Buçpapajt.

Kritika bashkëkohore na mëson se krijuesi/ ja  shpesh krijon një fushë magnetike motivesh, ashtu si dhe Albunesa ka krijuar:  rrëfimi, mëshira; feminiteti; mungesa; transcendenca. Por siç do ta vinte në dukje çdo kritik struktural, nëse motivi nuk transformohet, ai shndërrohet në formulë.

Te poezia “7 Minuta” e Uarda  Albunesës kemi transformim , nuk kemi vetëm lutje, as vetëpërsëritje,kemi afirmim egzistencial.

“mu aty n’shpirtin prush,
ku s’më zëvëndëson askush”

 Në analizën e tij dr .Buçpapaj ka analizuar me argumente bindëse   autenticitetin gjuhësor,  ngarkesën shpirtërore dhe  figuracionin.

Ndërsa një kritikë më e thellë duhet të bëjë atë që kërkonte T. S. Eliot:
të masë sa disiplinë formale ka përballë intensitetit emocional,sepse poezia e saj është më e fortë pikërisht aty ku fjala ngurron, çahet, ndalet dhe hesht.

Në planin tematik, kjo poezi lëviz ndërmjet erotikes, mungesës, kujtesës, vetmisë dhe nevojës për vetëmbrojtje shpirtërore. Megjithatë, ajo që e dallon nuk është thjesht tema, por mënyra se si emocionet konceptualizohen. Përjetimi individual nuk mbetet në nivelin e rrëfimit intim, por tenton të shndërrohet në formulim me ngarkesë sentencore. Shpesh vargjet marrin trajtën e një aforizmi lirik, ku ndjenja disiplinon veten përmes mendimit poetik. Kjo prirje e afron poezinë me një formë refleksive të ligjërimit, ku emocioni nuk shpërndahet në rrjedhë spontane, por organizohet në struktura kuptimore me peshë përfundimtare.

“sa ngutja e kalon pragun ,

n’lojë lipset t’hyjë zonjë maturia”

Nga këndvështrimi i teorisë së letërsisë, kemi të bëjmë me një poetikë të tensionit binar. Brenda vargut bashkëjetojnë drita dhe errësira, brishtësia dhe mbrojtja, pasioni dhe vetëpërmbajtja, erotikja dhe sakralja. Këto nuk shfaqen si kontraste dekorative, por si mënyra përmes të cilave ndërtohet drama e brendshme e subjektit lirik. Poezia krijon vazhdimisht hapësira përplasjeje mes impulseve emocionale dhe nevojës për kontroll, mes dorëzimit dhe rezistencës. Pikërisht ky tension i jep vargut densitet emocional dhe e largon atë nga sentimentalizmi i drejtpërdrejtë.

“n’degë të hollë trëndafili,

gonxhe e brishtë na kish çilë,

mos u rrej lule nga dimni,

gjembat ruej për ditë ma t’vështirë !”

Në një plan më antropologjik, kjo krijimtari mbart edhe gjurmë të një kujtese kulturore veriore, ku fjala poetike ruan lidhje të forta me urtinë popullore dhe me kodet tradicionale të mbijetesës shpirtërore. Figura si dimri, gjembi, drita, nata apo heshtja nuk funksionojnë vetëm si simbole lirike, por si elemente të një përvoje kolektive të trashëguar. Poezia e rimerr këtë fond simbolik dhe e transformon në përvojë intime moderne. Kjo e bën ligjërimin e Albunesës të qëndrojë në kufirin ndërmjet modernes dhe arkaikes, ndërmjet poezisë urbane të ndjesisë dhe kujtesës tradicionale të gjuhës.

Edhe nga pikëpamja sociologjike, ky zë poetik është domethënës. , Në krijimtarinë e saj  kemi një subjekt poetik që ndërton vetëdijen e vet përmes forcës së artikulimit. Gruaja lirike nuk është thjesht figurë që pret, vuan apo kujton; ajo është qenie që kontrollon ritmin emocional të tekstit, që vendos kufij, që kërkon, refuzon, urdhëron dhe e transformon dashurinë në raport pushteti shpirtëror. Në këtë kuptim, poezia fiton edhe një dimension të heshtur emancipues, jo përmes deklarimit ideologjik, por përmes mënyrës si ndërtohet vetëdija poetike femërore.

“U ndez flaka prapë n’zemër

Fluturat n’bark rimarrin ngjyr’

I gjithë trupi era femër,

I gjithë trazimi në një frymë”

Një nga aspektet më të rëndësishme të kësaj krijimtarie mbetet raporti me figurën poetike. Autorja  e dy vëllimeve poetike ka intuitë të dukshme metaforike dhe aftësi për ta ndërtuar vargun mbi figura të ngjeshura emocionalisht. Metafora  shfaqet si mënyrë e të menduarit poetik. Shpesh poezia ndërton sisteme të tëra simbolike ku dashuria, mungesa apo kujtesa artikulohen përmes fushave semantike të pazakonta, duke krijuar zhvendosje figurative interesante. Kjo i jep tekstit një energji asociative që e pasuron ndjeshëm leximin.

Në planin strukturor  vihet re një kujdes për ritmin, rimën dhe muzikalitetin e brendshëm të vargut. Megjithatë, poezia bëhet më sugjestive pikërisht në ato momente kur arrin të çlirohet nga skema tepër të dukshme metrike dhe i lejon ndjesisë një frymëmarrje më organike. Aty ku vargu nuk synon të mbyllë menjëherë kuptimin, por krijon hapësira pezullimi dhe aluzioni, poezia fiton më shumë shumëkuptimësi artistike.

Ky zë  poetik dëshmon se zotëron disa prej elementeve themelore për një zhvillim të rëndësishëm krijues:  instinktin figurativ dhe një marrëdhënie autentike me gjuhën. Sfida e mëtejshme estetike mbetet thellimi i ambiguitetit artistik, kalimi gradual nga pohimi i drejtpërdrejtë drejt një hapësire më të gjerë sugjestive, ku lexuesi të ketë më shumë mundësi bashkëkrijimi interpretativ. Pikërisht në këtë pikë poezia mund të fitojë individualitetin e saj më të plotë artistik.

Në fund, ajo që e bën të rëndësishme këtë krijimtari nuk është vetëm fakti se shkruhet në gegnisht, por mënyra se si gegnishtja shndërrohet në energji poetike. Këtu gegnishtja  funksionon si   mekanizëm emocional dhe estetik, përmes të cilit poezia arrin të krijojë identitetin e vet të dallueshëm.

Poezia e Uarda Albunesës nuk vlen vetëm për çfarë thotë, por për mënyrën si e tensionon të pathënën.
Aty ku dr. Buçpapaj evidenton sinqeritetin e zërit, kritika formale duhet të shkojë më thellë , të hetojë arkitekturën e këtij sinqeriteti.

Teuta Sadiku