Gezim Baruti

Midis fshatarëve që e “donin aq shumë” regjimin, nxjerrë prej librit tim.
….Së bashku, me Stefan Tashon dhe Fiqon vizitën e parë e bënim në librarinë e qytetit. Më pas shkonim dyqaneve ku, ato sende për të cilat ne kishim shumë nevojë mungonin gjithmonë pothuaj. Në mbrëmje uleshim në restorant e në pritje të porosisë së dhënë merrnim, nëpërmjet radios së banakut, aperitivin e zakonshëm e të përditshëm të markës Dolores Ibaruri, Fosko Dinuçi e Zhoao Amazonas, – kryetarë sankylotë të partive komuniste-terroriste të Spanjës, Italisë dhe Brazilit. Pa marrë këtë lloj aperitivi nuk shtrohej kollaj tavolina e ngrënies!..
Në Naftë kam punuar me njerëz të ndryshëm që edhe pse nuk kishin asgjë të përbashkët me fatin tim shpreheshin me një humor të hollë për kohën “e lumtur” që po jetonin. Ata ishin të parët që trumbetonin me zë të lartë për të mos vënë dorë mbi mallin e shtetit por kjo thirrje gjer në mbrëmje qëndronte se pastaj turreshin e rrëmbenin çfar t`iu zinte dora.
Kur u shkarkua një makinë me argjil për puset e naftës, fshatarët gjatë gjithë natës e ngarkuan nëpër thasë dhe me të filluan të meremetojnë vatrat e dhomave të shtëpisë duke menduar se ishte çimento. E gatuajnë atë lloj balte dhe rregullojnë vatrat dhe ndonjë grazhd që kishin për ta veshur me beton. Kur ngrihen në mëngjes pyesin njëri-tjetrin a të ngriu vatra apo jo duke u ndierë të turpëruar për hynerin që kishin bërë e me të cilin do të tallej fshati, dhe si për të marrë hak për këtë gjë e për të çuar nderin në vend, ja dolën duke marrë nga një thes çimento, të tridhjetë shtëpitë, gjatë një hapësire prej dhjetë ditësh. Pra, për të mos u kuptuar nuk shkonin të merrnin të gjithë njëherësh por tre veta çdo natë. Po sikur t`ju kishin zënë? – e pyetëm njërin prej tyre kur po na tregonin. Po partia për popullin i sjell gjithë ato gjëra! Po të mos i sillte për ne do ti kishte ruajtur me roje! Ato që i ruajnë me roje neve nuk i trazojmë se nuk janë tonat. Krisi e qeshura. Po qeshnin edhe ata vetë, duke i shkelur syrin njëri-tjetrit.
Unë e Stefani punuam edhe si bojaxhinj gjatë asaj kohe. Ishte si një punë gjysmë artistike dhe na pëlqente.
Ishte ora e drekës e po përgatiteshim për të vajtur në mensë. Isha me Stefan Tashon. E kyçëm depon e bojës dhe po ndërronim kominoshet kur një fshatar m`u afrua e më tha: – Dëgjo këtu a vëlla xhani, ju thotë gjë njeri juve po t`ju humbë ndonjë kuti boje nga këto pesëqilloshet?! Unë ktheva sytë nga dera e fjetores: kutia që e kisha lënë fshehur dhe mbështjellë me një letër çimento nuk ishte më atje. Ika pa i kthyer përgjigje. Të nesërmen erdhi me një çantë të rëndë në krahë dhe e la brenda derës së fjetores. Ishte një shalqin i madh. Kokë mora kokë lashë, – tha duke qeshur dhe pasi mori çantën e tij u nis për në punë.
Një herë tjetër punonim në një pikë mes Tepelenës dhe Ballshit; Qesarat më duket se quhej…Po ngrinim qytezën e naftëtarëve siç kishin qejf ta quanin nganjëherë partiakët që nga zyra e tyre e punës. Në ngritjen e barangave shumica e karpentierëve ishin mallakastriotë. Ishin njerëz të mirë e të vuajtur por edhe të zgjuar. E pyeta njërin, një ditë kur po vendosnim fashetat e brëndshme, ku ke punuar më parë ti Riza? Ai nuk dëgjonte mirë nga veshët e pasi ia përsërita pyetjen m`u përgjegj: Do ta tregoj pastaj kur të pushojmë në drekë; ja edhe dhjetë minuta punë kemi deri më dymbëdhjetë.
Punonim në një dhomë të madhe, të dy. U ulëm për pushimin e drekës dhe ai nisi të më rrëfejë: – Prej shumë vitesh punoja si zdruktar në këtë ndërmarrje dhe e ndjeja veten rehat në atë punë. Një ditë patëm një mbledhje të bashkimeve profesionale në këndin e kuq të ndërmarrjes. Pasi mbaroi mbledhja po shikonim fotografitë e udhëheqësve tanë dhe të vendeve të tjera me të cilat shkonin mirë këta tanët. Kisha mbetur vetëm dhe bëra për të dalë kur u ndesha përballë një fotoje të Leninit në të cilën dukej pak i vrejtur. Seç dreqi më ngacmoi e iu drejtova me fjalë sikur të ishte i gjallë:
– E Lenin a i vrarë, pse je kaq i mërzitur? E çfar ke që mendonesh a derëbardhë, a për këtë koprativën tënë si di vejë filli? Me tridhjetë lek për ditëpune është katanisur or baba. S`të kemi faj vëlla! Vetë e ke bënë a vëlla i dashur; piji lëngun nashti! Të gjitha këto fjalë i fola shpejt e shpejt dhe dola të kapja shokët që ishin nja pesëdhjetë metra larg. Në korridorin aty pranë dëgjova përplasjen e një dere që mbyllej. Ktheva kokën andej por nuk më zuri syri njeri. Pas një jave më thirrën në drejtori dhe më bënë për një lek. U trëmba shumë. Sa herë që hapej dera më dukej sikur do të vinin ata të degës të më arrestonin. Pas një ore më lanë të lirë. Të nesërmen erdhën në vendin e punës ku punoja, në zdruktari, dhe më larguan nga ajo punë që më pëlqente aq shumë duke më caktuar tek sharrat jashtë, në diell. Punova shumë kohë duke çarë trupa aq sa u shurdhova nga veshët e pas një vizite te doktori i veshëve më sollën këtu ku punoj edhe sot. Tani, meqë nuk dëgjoj mirë nuk më jepet rasti për të folur shumë. Ai heshti për një çast e pasi drodhi një duhan filloi të flasë e të më tregojë me një zë pak më të ulët: – Kam vrarë mëndjen gjithënjë, kush iu tregoi xhanëm?! Pastaj, e kishin mirë ata që thoshin se edhe muret kanë veshë dhe nga frika nuk flisnin as me veten, unë e thashë pa ndonjë qëllim; po ç`më duhej mua? – përfundoi Rizai.