Mos harro, bir-Majlinda Pajaj

Majlinda Pajaj

Mos harro, bir

Mos harro, bir…
Gjiri i nënës dikur rridhte qumësht,
sot rrjedh gjak i heshtur kujtimesh,
qumshti u tret si lagështia në tokë,
por dashuria mbeti,
rrënjë nën çdo hap tëndin.

Mos harro, bir…
Netët m’i morën ëndrrat një nga një,
siç era i merr gjethet e fundit të vjeshtës,
lotët nuk i derdha para botës,
i mbylla në sirtarët e kohës,
aty ku nënat fshehin dhimbjet,
që fëmijët të mos i quajnë barrë.

Jeta më ka grisur, bir,
si dimri një degë të vetmuar,
por unë prapë kam lulëzuar…
sepse ti ishe pranvera,
që më mbante gjallë.
Mos harro, bir,
Për ty e kam përtypyr edhe dhimbjen,
e kam kthyer në heshtje,
atë që zemra donte ta bërtiste,
për ty i jam lutur edhe diellit,
që të mos perëndonte,
para se rruga jote të ndriçohej.

Mos harro, bir,
Ju më mbani gjallë,
në dallgët ku jeta më ka përplasur,
kur bota më bëhet det,
dhe era më zhyt në thellësi,
zëri juaj është bregu,
ku shpirti im kthehet.

Pa ju, bir,
jam vetëm një gjethe në erë…
e pema nuk më mban,
prandaj, kur një ditë,
rrugët e jetës të largojnë nga unë,
kur flokët e mi të jenë zbardhur,
dhe hapat e mi të jenë bërë të ngadaltë,
mos harro, bir…
Se para se të bëheshe burrë,
ishe fryma ime,
para se të njihje botën,
ishe bota ime,
dhe në çdo rrahje të zemrës sime,
do të mbetet gjithmonë,
një vend që mban emrin tënd.

Mos harro, bir…
nëna mund të plaket,
mund të heshtë,
mund të largohet një ditë nga kjo botë…
por dashuria e saj për ty,
nuk di të vdesë.


MAJL
NEW YORK