Mund të blihet biletë për vendlindjen, por nuk ekziston biletë për një pasdite të fëmijërisë-Robert Martiko

MUND TË BLIHET BILETË PËR VENDLINDJEN, POR NUK EKZISTON BILETË PËR NJË PASDITE TË FËMIJËRISË

Rreth shkrimit “Itaka ime…”, të Avis Gjyshjës

Shkrimi i bukur dhe thellësisht njerëzor i Avis Gjyshjës, “Itaka ime…”, të çon përtej historisë personale të një emigranti. Merita e autorit është se, duke u nisur nga gjërat më të zakonshme: një qen i plagosur, një perëndim dielli, prindërit e moshuar, një largim natën nga shtëpia, mbërrin te një pyetje shumë më e madhe: ku është, në të vërtetë, Itaka e njeriut?

Odiseu u kthye pas njëzet vjetësh në Itakën e tij. Emigranti modern mund të kthehet shumë herë dhe, megjithatë, të zbulojë se Itaka e kujtesës së tij nuk ekziston më. Sepse largësinë e kapërcen avioni; Kohën nuk e kapërcen askush. Rrugët ndryshojnë, miqtë shpërndahen, prindërit plaken. Atëherë njeriu kupton se malli nuk ishte vetëm për një vend, por edhe për një kohë. Mund të blihet biletë për vendlindjen, por nuk ekziston biletë për një pasdite të fëmijërisë.

Veçanërisht prekëse është figura e prindërve. Për sa kohë dikush pret pas derës së shtëpisë së vjetër, vendlindja vazhdon të jetë shtëpi. Kur ajo derë nuk hapet më nga të njëjtat duar, njeriu nuk humbet vetëm prindërit; humbet edhe dëshmitarët e fundit të fëmijërisë së vet. Aty nostalgjia pushon së qeni thjesht mall dhe bëhet dramë njerëzore. Sepse, ndërsa emigranti udhëton nëpër hapësirë, Koha udhëton bashkë me të.

Edhe Marko, qeni i autorit, merr në fund një kuptim që shkon përtej vetë rrëfimit. Ai nuk njeh kufij, emigracion, histori apo atdhe. Njeh praninë, zërin dhe trishtimin e njeriut. Putra e tij e plagosur, që ngrihet për ta prekur të zotin, sikur i përgjigjet pa fjalë gjithë filozofisë së mërgimit: Itaka nuk është vetëm toka prej nga vijmë; Itaka janë edhe qeniet që na kanë dashur dhe që kemi dashur.

Këtu qëndron një nga vlerat më të bukura të prozës së Avis Gjyshjës: niset nga kujtesa vetjake, por arrin te përvoja universale e njeriut. Sepse pas çdo Itake qëndron pyetja e vjetër e Odisesë, e cila nuk është vetëm: “A do të kthehem?”, por edhe ajo shumë më e thellë: “Kush jam bërë unë kur të kthehem?