Ndiej, ndiej e ndiej, o ballkanas…Amanda Haruni

Ndiej, ndiej e ndiej, o ballkanas, me gjak që vetëm vlon.
Vlon liqeni që s’ka lum të derdhet, rri aty, gërryen veten.
“Më do a s’më do” — mbaj lulen në duar. A ka rëndësi? A ka? Apo është thjesht emocion që do hidhet poshtë.

Vloj, o Zot. Inati, dashuria, përzemërsia.
Rri e shoh si ta kem një pikturë varur në tavan.
A mos u ndez tani shkëndija, apo ka qenë gjithmonë aty duke pritur?

Kam frikë t’i futem kësaj ndjenje, sepse vloj dhe s’dua të digjem.
Ç’të bëj? Të vloj me veten?
Duket a s’duket.
Pse iu futa kësaj?
Jo.
Bobo.

——————– ra ——————–

Rashë, o dreq, me ballkanas. Ngado ta kthejë robi i gurbetit kokën, andej nga Mesdheu i shkon mendja.

Ah, Mesdheu, ujë i shenjtë, ujë i bekuar, që më ndjek dhe më fal ngrohtësi.
Mos je ti vallë, ti bir gurbeti, që më rri rrotull e më qesh — si valët që kërcejnë nën diell, bir Mesdheu.
Si deti, kumbojnë valët e tua në mërzi e në hare.

Inati, ç’armë e paparë. Skifter që po e lë të më hajë përbrenda, të më thithë gjakun e të më mpijë.
Të mpin, s’të lë më dritë në sy, ta merr dhe ta hedh tutje.
Ta merr shpirtin dhe e fut në kafaz, e lë aty të vlojë e të mos gjejë prehje.

E do trupin ta ketë për vete, mos ta ndajë, mos t’ia lërë mendjes që rri e qan e kërkon — kërkon shpresë të shkojë drejt detit, të notojë në lumë e të gjejë dritën.

Çdo inat është veç një dritë fallco. Asgjë më shumë.

Më merr kokën dhe më verdallos sa andej-këtej.
Nga po më gjesdis, o skifter? Në skëterrë? Të mos shoh më? Se pak e verbër isha.

Më lër të shoh, të hap sytë e të vështroj, ta kthej kokën nga deti.
Aman, mos më fut sirenë!