Në mëshirën e natës-Petro L. Sota

Petro L. Sota

NË MËSHIRËN E NATËS
————————————-
Ti ke shkuar shumë larg, detit përtej,
Dhe si pemët me fruta, hijen e ke lënë,
Por kudo që të shkosh, malli do të gjej,
Ai i rrugicave, që dikur këmbën ke vënë.
 
 
S’të harron edhe ai, që i dhe një shkak,
Edhe pse në rrugicat, gjurmët janë tretur,
Flokë kaçurrele, ka akoma në Divjakë,
Por çapkëne si ty, këtu më s’ka mbetur.

 

Nuk e di, se do e kuptosh ndonjë ditë ti,
Atë ditë të largët, kur shpresa ka humbur,
Nga pritja e gjatë, do ketë mbetur pak hi,
Nga zjarri për puthjen, që s’qe e mundur.

 

Por ty s’mund të harroj, as natën kur fle,
Dhe s’mundem të tregoj, se si të shoh ty,
Se gjumi ikën fshehurazi si hëna nëpër re,
Në mëshirën e natës, ne mbetemi të dy.
 
Siç mbeten ujqërit, në një dimër të gjatë,
Në mes të ngricës dhe për natën kanë uri,
S’janë kaçurrelat e tua, vetëm një shkak,
Por diçka tjetër, do e kesh kuptuar edhe ti.