Në Pyjet e Pukës  tek “Pushimorja Fotosinteza” në Hadroj afër qytetit Fushë -Arrëzit-Inxhinier, Gjon Fierza

NJË “KULT PËR PYJET”

Inxhinier, Gjon Fierza

Të “ngresh në kult” do të thotë të vlerësosh diçka në mënyrë të thellë, të respektosh dhe të mbrosh si një vlerë të pazëvendësueshme. Pyjet janë shumë më tepër sesa një burim për lëndë druri apo hapësirë ​​rekreative. Ato janë “mushkëritë e planetit”, pasi prodhojnë oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe rregullimin e klimës. Përveç kësaj, pyjet janë shtëpia e shuem specieve te flores dhe të faunës duke luajtur një rol kyç në formimin e ekuilibrit natyror.

Sot, ngritja e pyjeve në kult është jo vetëm e mundur, por edhe domosdoshme. Kjo mund të realizohet përmes edukimit të brezave të rinj për pyjet dhe rëndësinë e natyrës, përmes politikave të mjedisit dhe përfshirjes së çdo individi në mbrojtjen e mjedisit. Nisma si mbjellja e drurëve pyjor, ruajtja e sipërfaqeve të gjelbra dhe  burimeve natyrore janë hapa konkretë drejt qëllimit.

Nga ana tjetër, ngritja e pyjeve në kult kërkon edhe një ndryshim në mentalitet. Njeriu duhet të kalojë nga një qasje shfrytëzuese në një qasje bashkëjetese me natyrën. Kjo do të thotë të kuptojmë se mirësia jonë është e lidhur me pyjet dhe vlerat e natyrës në tërësi.

T’i ngremë sot pyjet në kult, kjo nuk është thjesht një vendim, por një detyrë ndaj vetes, brezave të ardhshëm dhe vetë Tokës. Vetëm duke i dhënë pyjeve vlerën që meritojnë, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

E bëmë këtë parashtresë për të arritur tek një shembull i prekshëm dhe një përpjekje serioze që një grumbull pyjor krijuar nga dora e njeriut rreth 50 vite më parë, sot të konsiderohet e vertetë të bëhet “Kult”. Rreth katër dekada me parë, kur përmendej Puka nënkuptoheshin Pyjet. Pra ishte një rreth disi i vçantë me emër dhe mbiemër-Puka e Pyjeve.

Grumbulli pyjor për të cilin do flasim shkurt është rreth 130 km larg nga Tiranë në rrugën kryesore që të lidh me qytetin e Fushë-Arrëzit. Ai mjedis prej rreth një viti është “pagëzuar: me emërin “Pushimore Fotosinteza”.

“Pushimorja Fotosinteza”, është mjedis pyjor tashmë një vëndqendrimi për udhëtarët që mund të kalojnë pak çaste në udhëtim e sipër, është mjedis për vizitorë të ndryshëm, nxënës e student, etj. Ky mjedis i qetë me bredha të gjelbër (dunglaz, pseudosuga) e pisha të zeza që u jep vizitorëve freskinë e relaksin e duhur. Aty janë vendosur; karrige, tavolina, stola të ndryshëm, ujë I pishëm dhe dy tualete ekologjike.

Në këtë pushimore ka disa tabela me shkrime të ndyshme; për fotosintezën e frymëmarrjen drurëve, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të pyjeve në tërësi. Këto japin informacion e zgjojnë interes për udhëtarët e vizitorët e ndryshëm. Aty merr informacion për zonat pyjore duke i nxitur vizitorët të njohin më shumë natyrën dhe shtegtime të tjera në Pukë dhe Fushë-Arrëz.

Bredhat gjelbër (dunglazi) e pishat e zeza, çlirojnë oksigjen dhe thithin gazin karbonik, e bëjnë ajrin e pastër dhe shumë të përshtatshëm sidomos për ata që vuajnë nga lodhja në frymëmarrje. Në këtë mjedis pyjor ka aromë të këndëshme nga vajrat esencial që avullohet nga halat dhe kurorat e drurëve. Qëndrimin në këtë mjedis, përveçse lehtësimit të frymëmërrjes, pakëson alergjitë, stresin, etj. Në këtë mjedis të kënaqet syri nga gjelbërimi dhe efektet që krijon drita në kurorat e drurëve, merr frymë thellë nga ajri i pastër e me aroma të këndëshme, dëgjon me kënaqësi meloditë e zogjëve që jetojnë aty.

Kjo pushimore e ideuar nga Tonin Alia, ish pylltarë në Pukë, sot biznesmen i suksesëshëm në përpunimin e drurit me kompaninë “Ardeno”. Të gjitha punimet i ka realizuar ai i  mbështetur nga bashkohësit e tij “Matura e parë e Shkollës Mesme Pyjore Fushë-Arrez (1971-1975)” dhe disa biznesmen të tjerë të Sofrës pukiane. Pushimorja u përurua në qershor 2025 me rastin e 50 vjetorit të diplomimit të tyre.

Tonini me shokët e tij të Matures, e zgjodhen këtë mjedis  midis dy rrugëve ato që të çojnë në qytetin e Fushë-Arrezit për të dhënë shumë mesazhe për pyjet dhe kujdesin që duhet shtuar për to. Aty zhvilluan takimin festiv të maturës pas 50 vitesh në qershorin e vitit 2025 kur u promovua ky emer. .

Dunglazi (bredhi gjelbër, pseudosuga) që përbën këtë grumbull pyjor, është një lloj drunor i huaj me shumë cilësi të larta që është përshtatur mirë në vendin tonë. U mboll kjo sipërfaqe si eksperiment këtu i shoqëruar me pishën e zezë nga nxënësit e maturës parë gjatë parktikave mësimore në Ndërmarrjen Pyjore Fushë-Arrëz në periudhën 1971-1975. Ndërmarrja Pyjore Fushë-Arrëz në ato vite mbolli dhe katër sipërfaqe të tjera si: në afërsi të qytetit Pukës tek rezervuari, në Qafë Mali, tek Valanica afër Fushë-Arrëzit dhe në Qafë Bari. Të gjitha këto pyllëzime tashmë rreth 50 vjeçare, sot janë me një zhvillim shumë të mirë, përjashto pyllëzimin në Qafë Bari që e prenë, e shkulën dhe dogjën barbarët e pyjeve dy dekada me parë.

Kjo “Pushimore” tashmë një vjeçare, po vizitohet nga shumë udhëtarë të rastit por edhe vizitorë të tjerë të ardhur enkas për këtë qellim. Eshtë në “Pikat e interesit” në shtegëtimet ekoturistike të Pukës. Përshtypjet janë mjaft të mira për këtë mjedis të përmirësuar të vënë në shërbim të njerëzve. Ish maturantët e parë, pas ndërtimit vazhdojnë të kujdesen e ta mirëmbajnë vazhdimisht grumbullin pyjor kryesor dhe atë përreth. Përvecse një infrastrukture në shërbim për njerëzit, lodra për femijë, ata i kanë bërë shërbime dhe pyllit, një krasitje teknike sipas një projekti të miratuar nga Bashkia Pukë, etj.

Në pushimore përveç se mjdisit pyjor me gjithë elementët e tij, vizitori prek me dorë ose mund të marrë boçe me farë të dunglazit për ta kultivuar vetë, është “Libri i vizitorëve” ku me dhjetëra vizitorë të huaj dhe vendas kanë lënë shënimet e tyre, ka disa tabela me informacion dhe foto që të mbetën në mëndje tek i lexon.

Si vizitorë më të veçantë dhe nga shumë vende të botes të deri tani, kanë qënë vajzat e “Miss Globe 2025”, me stafin e tyre; ku për rreth dy orë sfiluan, bënë shumë foto dhe dhanë shumë intervista për mediat shqiptare dhe jo vetëm. Me dhjetëra nxënës shkollash jo vetem nga Puka e Fushë-Arrëzi por dhe qytet te tjera të vendit  e kanë vizituar këtë pushimore. Aty tashmë organizohen dhe veprimtari artistike nga femijët. Janë mezatarisht 30-50 udhëtarë dhe vizitorë në ditë që kalojnë disa çaste tek ky mjedis.

Eshtë synimi që kjo pushimore të kthehet në një “Mjedis kulti për Pyjet.” Ashtu si institucione kulti fetare ku njerëzit shkojnë  e luten dhe gjejnë rehatinë e shpirtit, ashtu dhe kjo pushimore pyll të sjellë kënaqësinë dhe qetësinë shpirtërore të kalimtarëve por dhe të vizitorëve të tjerë tashmë në një numër të madh. Të zgjojnë dhe të rrisin dashurinë dhe përkujdesjen për pyjet.

Kjo pushimore dhe mjedisi rreth saj synon të kthejnë emrin disa dekadave më parë “Puka e Pyjeve” ku përsëri pyjet të mund të ripërtrihën dhe zhvillohen.

Ata që e ndërtuan dhe strukturat e pushtetit vendore, dëshirojnë dhe urojnë që ky mjedis tashmë me emër: të mbrohet, të mirëmbahet e vizitohet nga sa më shumë njerëz. Ai pyll të mund të kthehet në një rezervat farroë, ku dunglazi të mund të shtohet si lloj pyjor dhe zbukurues gjërësisht në vendin tonë.

Kënaqësinë që të jep ky mjedis pyjor dhe pyjet në tërësi, janë të papërshkrueshme dhe të pallogaritëshme.

T’i mbrojmë  dhe ti duam Pyjet nëse e duam jëtën!.

“Pushimorja Fotosinteza” një “Kult për Pyjet”, një model që duhet zgjeruar në gjithë Shqipërinë.