Në vitet e kooperativës – Nga Godo Mehmetaj


Në vitet e kooperativës,
vapa përvelonte flakë,
atëherë nisa poezinë,
të shkruaja të parin varg.

Mora testën e rinisë,
gëzoja si djalë i ri,
për një poezi me bejte,
më dënuan me internim.

U mblodh këshilli e partia,
kryetar e sekretar,
gjykonin vargjet e mia,
shpëtova nga biografia.

Ca vargje për brigadierin,
se më kishte marrë inat,
për të fliste poezia,
fjalët kishin dalë në fshat.

Më kishte bërë denoncim,
për vargjet që kisha shkruar,
e kishin marrë vesh në brigadë,
gojë më gojë, hapur nga gratë.

Bëhej mbledhje ditë për ditë,
si djalë i paedukuar,
të bëja autokritikë,
ndryshe isha i dënuar.

Në brigadën më të largët,
ikë me natë e kthehu me natë,
nëpër punët më të rënda,
veç me kazmë e lopatë.

Këshilli kish marrë vendimin,
mbushur me firma, me vulë,
kalova gjashtë muaj dimri,
në një brigadë në Kocul.