Në zyrën e këshillit-Gezim Baruti

Gezim Baruti

Në zyrën e këshillit, nxjerrë nga libri im.

Pas ikjes së Nënes (Elmazesë) në Fier, nënën time e thërresin një ditë në zyrën e këshillit në Starje ku, përveç kryetarit, ishte edhe operativi Natyrel Mici.
– Kur ka qënë, për herë të fundit, në shtëpi yt shoq? – e pyeti ai.
– Që atëhere që u largua ai nuk është kthyer më, u përgjegj nëna.
– Mos u mundo të na i fshehësh se ne e dimë, – shtoi pas pak ai. Ime ëmë u mat të fliste por ai e pyeti përsëri:
– Ç`fëmijë ke?
– Një djalë e një çupë.
– Si t`i quajnë?
– Djalin e quajnë Gëzim, çupën Durime…
– Shiko, shiko! Gëzim… që të gëzohet kur të takohet me të atin dhe Durime që të durojë gjersa të kthehet i ati!..
– Djali ka lindur më 1942 dhe e quajtëm kështu se ishte gëzimi parë i familjes ndërsa çupën e quajta Durime sepse m`u sëmur që në ditët e para të lindjes dhe i lutesha zotit përditë të më jepte forcë të duroja dhimbjet e saj që s`pushonin prej dhjetë ditësh – u mbrojt mëma.
– Yt shoq ka ardhur e të ka takuar e ne e kemi parë edhe vetë por duam që të na i thuash ti me gojën tënde, – përsëdyti operativi.
– Kur e paskeni parë që paska ardhur pse e latë të ikte prapë? Pse nuk e zutë? Do vete në degë e t`iu them që e kini parë dhe s`e kini zënë; kini mbyllur sytë dhe ai ka ikur, – ju tha ajo – e bëri për të dalë nga ajo zyrë e mallkuar.
– Prit o Mynever, – tha Lakja, se ay po bën shaka. Më thuaj mua: ka qënë Isufi në shtëpi apo jo?..
Ajo u betua për të dy fëmijët dhe teqenë e Baba Xhaferrit dhe ay i tha:
– Shko në shtëpi se të presin fëmija dhe….na fal!
Ajo doli. Jashtë e priste Sefullau. Pa folur asnjë fjalë, motër e vëlla morën rrugën për në shtëpi. Mjerë ne qysh do të bëjmë këtu! – tha mamaja dhe u kthye në shtëpi. Sefullau u nis për në shtëpinë e tij.
……………………………………………………………………….
I mbaj mend mirë zotërit e atyre tri shtëpive Zihni Kalecin, Mintaz Kalecin dhe Ali Podën apo Aliun e Kamanes siç e thërriste fshati.
Në lidhje me Alinë e Kamanes do të vë në dijeni lexuesin e brezave të ardhshëm se sa “i drejtë e popullor” ishte komunizmi dhe propaganda e tij marrëmendëse.
Në dhjetor të 1956-s e më pas, në Starje u vendos të ngrihej kooperativa. Nuk qe dëshirë e fshatarëve, aspak; qe urdhër i komunistëve!.. Njerëzit ia kishin dëgjuar sherrin dhe nuk pranonin. U futën ca komunistë të parët; pastaj ca të tjerë të cilëve ju thanë që dhëntë e lopët janë tuajat por do të jenë nëpër stalla të reja dhe do t`iu shërbejnë (gjësë së gjallë) njerëz të tjerë nga fshati. Kishin shkuar te Aliu i Kamanes por ai nuk kish pranuar. Herën e tretë e thirrën në mbledhje dhe e pyetën: Ti Ali Poda, pse s`futesh në kooperativë? je pro apo je kundër kooperativës? Plaku i shkretë që kish pasur tre djemtë në burg e në internim shpejtoi të përgjigjej: Ç`thoni kështu, nuk jam kundër kooperativës unë mor djem! Atëhere firmos që nuk je kundër, i thanë dhe ai firmosi. Pas dy javësh vetëm kaçkën e oborrit i lanë pa marrë, dhe ca rosa që laheshin në vijën e ujit që kalonte nën hijen e asaj kaçke! të tjerat ja përlanë duke i treguar firmën që kish hedhur e që vërtetonte se të mos jesh kundër diçkaje do të thotë ta pranosh atë… Çfar sofizmash kanë përdorur këta djallër për të nënshtruar dhe gënjyer këtë popull të mjerë!..Zot na ruaj!……….