ESE
Nga Migel Flor

Shpesh themi se u përndoq Çamëria. U përndoq Kosova. U përndoq Liria e Mendimit.Por, në të vërtetë, u përndoqën dhe shqiptarët EMIGRANTË nga vetë vendi i tyre…Mua më duhej të lija vendin tim në një kohë kur jeta sapo kishte nisur të lulëzonte. Kisha një punë të mirë, një shtëpi timen, nënën e babanë pranë, miq të dashur dhe një det të tërë që e ndjeja si pjesë të vetes. Më duhej të lija konakun tim, atdheun tim, buzëqeshjen time, krenarinë time, identitetin tim.
Sot nuk shkruaj si artiste e fjalës. Shkruaj si një shqiptare e ndjekur dhe e përndjekur nga vetë atdheu i saj.
Të gjithë flasin për racizmin. Pak kush flet për dhimbjen e emigrantit. Për mungesën. Për mallin. Për netët pa gjumë. Për shtrydhjen e shpirtit. Për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë si jetimë nëpër “befotrofet” e kohës moderne.
Në kohë zgjedhjesh na kujtojnë. Na telefonojnë. Na dërgojnë autobusë e premtime. Na kërkojnë votën.
Por kur kthehemi për një hall, për një dokument, për një pronë apo thjesht për disa ditë pushimi, na trajtojnë si të huaj. Na shohin me dyshim. Na gjobisin. Na rëndojnë me burokraci. Na trajtojnë si turistë, duke harruar se pas çdo emigranti fshihen vite sakrificash, lotësh dhe pune të rëndë.
Harrojnë se ne kemi jetuar një vit të tërë larg familjes vetëm për të kaluar dhjetë ditë pranë saj.
Po, këtë verë do të vij përsëri.
Do të vij sepse ai është deti im. Ajo është toka ime. Ato janë rrënjët e mia.
Por nuk do të vij si turiste.
Do të vij si bijë.
Nuk mund të më shisni plazhin tim sikur të ishte pronë private. Nuk mund të më shisni një copë hije me çmimin e luksit. Nuk mund të më kërkoni të paguaj për atë që e ndjej si pjesë të qenies sime.Bota është plot me vende më të lira e më të bukura për pushime. Por unë nuk kthehem për luksin. Kthehem për mallin.Dhe pikërisht për këtë më dhemb kur më shfrytëzojnë ata që duhej të më prisnin me krahë hapur.Kam një thirrje për politikën e vendit tim. Për institucionet që e shohin emigrantin si burim të ardhurash dhe jo si pjesë të kombit. Për ata që kujtohen për ne vetëm kur u duhemi.
Mos na trajtoni si bankomatë.
Mos na trajtoni si turistë të huaj.
Mos na trajtoni si njerëz pa rrënjë.
Ne jemi ata që mbajtëm gjallë familje të tëra. Ne jemi ata që dërguam para kur vendi kishte nevojë. Ne jemi ata që mbajtëm gjallë gjuhën dhe identitetin shqiptar larg kufijve të Shqipërisë.
Sot, shumë prej nesh ndihen si jetimë të kombit të vet.
Dhe kjo është tragjedia më e madhe.
Ndoshta një ditë do të vdes larg. Në një vend të huaj. Ndoshta pa e parë për herë të fundit detin që lashë pas.
Por një gjë e di me siguri:
Atdheun tim do ta dua gjithmonë.
Edhe kur më lëndon.
Edhe kur më zhgënjen.
Edhe kur më trajton si “NJERKA E BORËBARDHËS”
Sepse për mua Shqipëria mbetet NËNË
Një nënë që ndonjëherë harron fëmijët e saj.
RROKULLIMË
Rrëpirat qershore
rrokullima lëkunden si shilarës
rrëshqasin drejt luginës…
Sëbashku me to
rreshqiste buzëqeshja ime,
veshur me një mushama të kuqe
të vjetër arnash
thekë’thekë …
Rrokullimë,
sa i ngjason jetës?
vithisje brenda një gremine
ku fundi nuk i dihet
Sipër mali, poshtë humnera
as ngjitesh as bie
Vetëm absurdi ferkon
duart e zeza dhe zgërdhihet
Rrokullimë është kjo palo jetë
lëvizje drejt boshit pa shpresë ..
Rikthimi..
Vetëm adoleshenca
brenda nesh rri zgjuar
dhe na jep ngushëllimin…
*
Migel Flor