NËSE NJË DITË MË HUMBËT
në rrugët e kësaj bote,
mos kujto se jam bërë ajër
që s’arrin ta shohësh.
Mos mendo se kam ikur diku tjetër,
duke të lënë pas
me dhimbjen që lashë
si një peshë mbi zemrën tënde.
·
Ndoshta thjesht jam bërë heshtje
dhe rri pranë shpirtit tënd,
duke dëgjuar rënkimin e tij
si një përqafim
që ende dua ta mbaj mbi vete.
·
Ose jam fshehur brenda një kujtimi,
aty ku mund të më prekësh vetëm me mendje,
ndërsa unë, diku përtej heshtjes,
ndiej ende drithërimat e mallit tënd.
·
Mos më kërko në rrugë pa emër.
Më kërko në ato vende
ku dikur besoje
se mund të merrje frymë pa mua.
·
Ndoshta jam në një këngë
që të prek papritur,
në aromën e një shiu të saporënë,
në vesën që çel agimin,
ose në atë psherëtimë
që të del nga shpirti
pa e thirrur.
·
Sepse unë, edhe nëse nuk jam më pranë,
nuk di të iki plotësisht prej teje.
Do të mbetem diku aty
ku njerëzit nuk humbasin kurrë:
në ëndrrat që i mbajmë vetëm për vete,
në kujtimet që nuk dinë të shuhen,
në ato ndjenja
që koha nuk arrin t’i varrosë.
·
Dhe nëse një ditë
më ndjen pranë pa më parë,
mos u tremb.
Ndoshta nuk jam kthyer…
Ndoshta vetëm zemra jote
më ka gjetur përsëri.
