Nga arti te shoqëria-Alfred Nini

Alfred Nini

Një reflektim për kalimin nga centralizimi drejt epokës së decentralizimit dhe qytetërimit shqiptar

Kjo faqe është një hapësirë arti, arti për shumëkënd mund të duket si një botë e ndarë nga jeta e përditshme, por në të vërtetë ndodh e kundërta. Arti lind nga vëzhgimi, analiza dhe përjetimi i njeriut, i historisë dhe i mjedisit ku ai jeton. Ai bën të dukshme atë që shpesh mbetet e padukshme, ruan kujtesën e kohës dhe dëshmon se shpirti i njeriut nuk jeton i ndarë nga shoqëria, por në marrëdhënie të pandërprerë me natyrën, komunitetin dhe universin ku bën pjesë. Pikërisht për këtë arsye, artisti nuk krijon vetëm për të soditur botën. Ai krijon për ta kuptuar, për ta interpretuar dhe, nëse është e mundur, për të kontribuar në përmirësimin e saj.

Sot, ndërsa Shqipëria diskuton për të ardhmen e sistemit të saj politik, të lindur pas lëvizjes studentore të viteve 1989–1990, mendoj se debati duhet të ngrihet në një nivel më të thellë. Pyetja nuk është vetëm kush qeveris apo me kë qeveriset vendi. Kjo është vetëm sipërfaqja. Pyetja e vërtetë është:

Si duhet të organizohet jeta e përbashkët e shqiptarëve? Si duhet të ndërtohet marrëdhënia ndërmjet qytetarit, komunitetit dhe shtetit, në mënyrë që liria, përgjegjësia dhe dinjiteti të mos mbeten vetëm fjalë, por të bëhen pjesë e jetës së përditshme?

Besoj se ndryshimi më i madh që i nevojitet Shqipërisë sot nuk është thjesht një rotacion politik. Ai është kalimi nga epoka e Centralizimit në epokën e Decentralizimit.

Decentralizimi nuk është thjesht një ndarje administrative e hartës dhe as një transferim formal kompetencash. Ai është një filozofi e re organizimi, ku pushteti nuk grumbullohet në qendër, por qarkullon në të gjithë organizmin e shoqërisë. Është kalimi nga varësia te përgjegjësia, nga pritja te iniciativa, nga heshtja te pjesëmarrja dhe nga qytetari pasiv te qytetari bashkëkrijues i jetës publike. Për këtë arsye, besoj se organizimi i ri demokratik i Shqipërisë mund të mbështetet mbi katër shtylla që plotësojnë njëra-tjetrën.

Shtylla e parë është Kushtetuta Kombëtare, e cila garanton unitetin e shtetit, sovranitetin, liritë themelore dhe vlerat e përbashkëta të kombit shqiptar.

Shtylla e dytë janë Kushtetutat Vendore, të cilat u japin bashkive identitet institucional, përcaktojnë marrëdhëniet ndërmjet qytetarit, komunitetit dhe shtetit, përgjegjësitë vendore dhe autonominë reale për të organizuar jetën sipas nevojave të secilit territor, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën Kombëtare.

Në të vërtetë edhe organizmi më i përsosur nuk jeton pa zemër. Prandaj, shtylla e tretë është Referendumi Kombëtar. Ai është mekanizmi përmes të cilit populli ushtron drejtpërdrejt sovranitetin mbi çështjet që prekin të gjithë kombin. Ai është rrahja e zemrës së një jete të një qytetërimi demokratik shqiptar.

Shtylla e katërt është Referendumi Lokal Qytetar. Ashtu si zemra dërgon gjakun deri te qeliza më e vogël e trupit, edhe referendumi lokal duhet ta çojë vendimmarrjen deri te komuniteti, aty ku njerëzit jetojnë, punojnë, edukojnë fëmijët dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Nëse Kushtetuta Kombëtare dhe Kushtetutat Vendore përbëjnë trupin institucional të shtetit, atëherë Referendumi Kombëtar dhe Referendumi Lokal janë impulsi i tij jetësor. Ashtu si zemra nuk pushon së rrahuri dhe gjaku nuk pushon së qarkulluari, edhe jeta shqiptare nuk duhet të kufizohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ajo duhet të marrë frymë çdo ditë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve.

Në natyrë, uji qarkullon vazhdimisht dhe sjell jetë. Në trupin e njeriut, gjaku qarkullon pandërprerë dhe ushqen çdo organ. Kur qarkullimi ndërpritet, organizmi sëmuret. Po kështu ndodh me sistemin politik. Kur pushteti, përgjegjësia dhe vendimmarrja përqendrohen në një qendër të vetme, dobësohet organizmi demokratik. Kur ato qarkullojnë deri te qytetari dhe komuniteti, krijohet një shoqëri që merr frymë, zhvillohet dhe rigjenerohet vazhdimisht. Në këtë kuptim, decentralizimi nuk është vetëm një reformë administrative. Ai është një kulturë e re dhe një mënyrë e re të jetuari dhe të menduari. Është kalimi nga një demokraci përfaqësuese drejt një demokracie pjesëmarrëse dhe direkte, ku qytetari nuk është spektator, por bashkautor i jetës publike. Kontributi për një shoqëri më të mirë nuk është detyrë vetëm e sistemeve politike. Është përgjegjësi e çdo qytetari, e çdo profesionisti, e çdo mësuesi, e çdo sipërmarrësi dhe e çdo artisti. Sepse qytetërimet nuk ndërtohen vetëm nga institucionet. Ato ndërtohen nga kultura e lirisë së pjesëmarrjes, nga përgjegjësia personale dhe nga vetëdija kolektive. Një komb nuk ndryshon vetëm kur ndryshojnë njerëzit në pushtet. Një komb ndryshon kur ndryshon mënyra se si organizon jetën e tij. Prandaj besoj se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një qeverisje tjetër. Ajo ka nevojë për një mënyrë të re organizimi të qelizës jetësore.

Decentralizimi, Kushtetuta Kombëtare, Kushtetutat Vendore, Referendumi Kombëtar dhe Referendumi Lokal nuk janë ide të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato janë organet jetësore të të njëjtit organizëm demokratik. Vetëm kur funksionojnë në harmoni, shteti merr frymë, shoqëria zhvillohet dhe qytetërimi shqiptar fiton një themel të ri për të sotmen dhe për brezat që do të vijnë.

Ky është reflektimi im si artist, por mbi të gjitha si qytetar i këtij vendi, që beson se territori ku jetojmë dhe vetë jeta janë dhurata të shenjta nga Zoti, të cilat na janë besuar për t’i ruajtur, zhvilluar dhe përsosur. Besoj se cilësia e jetës, liria dhe dinjiteti njerëzor janë vlera të pacenueshme. Ato nuk janë dhurata të pushtetit dhe nuk varen nga vullneti i asnjë qeverie. Ato burojnë nga vetë qenia njerëzore dhe marrin kuptim përmes përgjegjësisë sonë të përbashkët. Shoqëritë e qytetëruara nuk ndërtohen mbi frikën, por mbi lirinë, jo mbi nënshtrimin, por mbi pjesëmarrjen, jo mbi përqendrimin e pushtetit, por mbi qarkullimin e përgjegjësisë dhe të vendimmarrjes. Kjo është vepra më e madhe që një shoqëri mund të ndërtojë për veten, për fëmijët e saj dhe për brezat që do të vijnë. Dhe pikërisht aty fillon qytetërimi.