Një historik i shkurtërë i shkollës fillore në Sllatinë të Epërme-Shkruar nga Sami Arifi

Komuna e Vitisë gjatë viteve 1912-1941 e deri në vitin 1999

Shkruar nga Sami ARIFI

Një historik i shkurtërë i shkollës fillore në Sllatinë të Epërme- Komuna e Vitisë gjatë viteve 1912-1941 e deri në vitin 1999

Ndërtimi i shkollës në Sllatinë të Epërme 1922-1923

Për herë të parë u hap shkolla katërkasëshe për këtë rrethinë në vitin 1920, me mësim në gjuhën serbo-kroate në vendin e quajtur “Te Xhamia e Fshatit”  Sllatinë e Epërme, në objektin dydhomësh. Në këtë shkollë mësimin vijonin mbi 70-të nxënës nga fshatrat: Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Trestenik, Sadovinë e Çerkezve, Ramjan, Zllatar, Mirosalë e të tjera.

Pushtimi i Kosovës nga serbo-malazezët në vitin 1912, paraqet periudhë të rëndë për popullin shqiptar, nga se në shumicën e fshatrave ishin vendosur kolonë serbo-malazezë. Në Sllatinë të Epërme-të Komunës së Vitisë, gjatë viteve 1914-1925, ishin vendosur, 17-ë familje me kolonë serbo-malazezë, në shtëpitë e shqiptarëve të cilët ishin shpërngulur me dhunë për në Turqi e Shqipëri. Këto reforma agrare isin për presion, për t’i shpërngulur shqiptarët, po që më vonë vazhduan me ndërprerje gjerë në vitin 1999 nga okupatori serbo-sllav. Prandaj, edhe historiku i arsimit në fshatin Sllatinë e Epërme filloi në gjuhën e okupatorit serbo malazez, që nga pushtimi i Kosovës më 1912, vazhdoi gjerë në vitin 1999 me disa ndërprerje, varësisht nga rrethanat politike të shtetit serbo-sllav.

Arsimi shqip, si në gjithë Kosovën, edhe në këtë hapësirë gjeografike ka qenë i varur dhe i kushtëzuar nga rrethanat politiko-shoqërore të kohës, meqë pushteti serb nuk lejonte hapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Popullsia shqiptare ishte në pozitë të rëndë, politike dhe ekonomike, nuk kishte kurrfarë të drejtash, leje më të shkollohej në gjuhën amtare, por nuk kishte as të drejtën e përdorimit të gjuhës në komunikim zyrtar. Numri i nxënësve shqiptarë ishte i vogël, ata mund të mësonin vetëm në gjuhën serbe. Meqë mësimi fillonte dhe mbaronte me lutjet fetare serbo-ortodokse, ku, nxënësit shqiptarë ishin të detyruar të merrnin pjesë në këto lutje serbo-ortodokse dhe të qëndronin në këmbë gjatë kryerjes së ceremonisë.

Pushteti serb pas vitit 1919, filloi të hapte shkolla fillore, kryesisht në vendbanime ku shumicën e popullsisë e përbënin serbët e malazeztë, derisa në vendbanimet e banuara me shumicë  shqiptare ato ishin mjaft të rralla. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Kishte pakicë nxënës shqiptarë që vijonin mësimet në ato shkolla. Një shkollë e tillë për kolonë serbo-sllav u hap në, fshatin e kolonëve serbo-malazezë, Tankosiq-në fshatin Dardani e sotme.

Shkolla në Sllatinë të Epërme ishte hapur në vitin 1922/1923. Në fillim ishte hapur klasa e parë e pastaj edhe klasët tjera, deri në klasën e katërt. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbo-kroate, shkolla ishte në mes të fshatit “te Xhamia”. Pastaj u ndërtua edhe ndërtesa shtesë e shkollës. Ajo kishte 7 klasa mësimi, 7 paralele, me gjithsejt 192 nxënës dhe 6 arsimtarë. Në shkollë, fillimisht vijuan mësimet 70 nxënës.

Mësues ishin caktuar Vojisllav Momçilloviq dhe mësuesi me prejardhje ruse, Fsellod Frenko. Më vonë, në vitin 1931, mësues vjen, Bora me bashkëshortën e tij, Jelenën, që të dy nga Nishi, të cilët banonin në një lokal afër shkollës. Mësuesit, përveç dy dhomave për fjetje, kishin edhe një dhomë të pritjes, ahrin për kafshë, kotecin e pulave dhe vend e caktuar të rrethuar për derra, për nevoja të veta, mësuesit, mbanin edhe kafshë. Mësuesi Bora mbante kalë ne çejze për nevoja vetjake. Shkollimi ka zgjatur 4 vjet, respektivisht 5 vjet për shqiptarët, nga se viti i parë pa nota dhe është mësuar vetëm gjuha serbe, e që quhej “viti përgatitor” (pripravni).

Shkolla gjendej në oborrin e xhamisë, ku po ashtu gjendej dhe punonte edhe mejtepi. Mejtepi, këtu, ka ekzistonte si shkollë e dytë e mësimi fetar.

Në Sllatinë të Epërme, në oborrin e Xhamisë, kanë ekzistuar dy ndërtesa për mejtep. Mësimin fetar e mbante Muharrem Azemi, të cilin në popull e quanin Muharrem Efendija nga Sllatina e Epërme, i cili më parë kishte kryer Medresenë Isa Beg në Shkup, gjithashtu mësimin e mbante edhe mulla Xhemajl Arifi që kishte mbaruar Medresën në Isa Beg të Shkupit. Në mejtep kanë punuar mulla Hajra nga Sllatina e Poshtme, mulla Ukshini, mulla Arifi, mulla Ramadani. Më pas, mësimin fetar e mbanin mulla Smaili i Cërnicës, mulla Rushiti dhe mulla Ukshini. Gjatë viteve 1939 (gusht) – 1941 (shtator) shkolla pushoi së punuari për shkak të rrethanave të krijuara, fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë Shkollë përveç mësuesëve serbë, kanë punuar edhe mësuesit shqiptarë, ndër ta ishte mësues i kualifikuar, Halim Orana, nga Gjilani, i cili punoi gjatë viteve 1936/1937, ai u zbulua në vitin 1947 nga OZNA, meqë ishte kryetar i Organizatës politiko-ushtarake i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH-së), Halimi gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) ishte konsull në shtetin e pavarur kroat, ai në ekstraktin e aktgjykimit P. Nr. 293/47, më 30 shtator të vitit 1947, është dënuar me vdekje në burgun Ushtarak të Beogradit, dita e pushkatimit nuk dihet.

Po përmendim disa nga nxënësit e parë në shkollën e Sllatinës së Epërme: Fafiz Ymeri, Sejdi Frangu, Selman Azemi, Shaip Nuredini, Xhemajl Arifi, Ukshin Hoxha, Vehbi Ymeri, Sabit Rexhepi, Aziz Ymeri e të tjerë. Gjerë në vitin 1941 mësimi zhvillohej në gjuhën serbo-kroate, pastaj, nga viti 1941 mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, ku, mësues i parë ishte Muhabi Nuhiu nga fshati Sllatin e Epërme.

Muhabi Nuhiu nga Sllatina e Epërme ishte ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe u ekzekutua me pushkatim pa gjyq nga bashkëpunëtorët e rgjimit serbo-sllav në vitin 1945. Më 22 dhjetor të vitit 1944, u ekzekutua pa gjyq/ me pushkatim, kryetari i Komunës së Sllatinës së Epërme, Xhemajl Arifi, që në popull njihej si Mulla Xhemë Sllatina.

Përpjekjet për të mësuar shqip nuk u ndalën edhe pas pushtimit të trojeve shqiptare nga serbo-komunist në këtë periudhë, ndër nxënësit e parë që mësuan në gjuhën shqipe ishin: Shukri Hoxha, Xhavit Nuredini, Hamza Azemi, Aziz Jakupi, Hilmi Azemi, Haki Qosa, Nexhip Bejta, Ahmet Hasani, Bajram Shefkiu e të tjerë, ku në shkollë mësonin gjithësejt 37 nxënës. Zgjerimi i shkollës u bë në vitin 1951 ku u hap klasa e pestë, pastaj një vit më vonë edhe klasa e gjashtë, e shtatë dhe e tetë.

Me iniciativën e Ali Lubishtanit u rihap shkolla në vitin 1962-1963. Ali Lubishtani ishte drejtor i kësaj shkolle gjatë viteve 1959-1963.

Me vendimin e Këshillit Komunal të Pozheranit nr. 01.3916 të datës 01/ 10/ 1959 paralelet e ndara në Sllatinë të Poshtme, Sadovinë të Çerkezve dhe Zrestenik i bashkohën shkollës fillore në Sllatinë të Epërme, ku formohet një qendër “amë” që edhe tani funksionojnë të tilla. Në vitin 2002 shkollës i ndërrohet emri nga “Liria” emrohet me emrin “Njazi Rexhepi” dëshmor nga fshati Sllatinë e Epërme, i cili ra heroikisht në Luftën e Kosharës si luftëtar i UÇK-së.

Sot në kuadër të kësaj shkolle zhvillohet mësime në nivelin parafillor, ku janë pesë paralele me F 26 nx, M 26 nx. gjithsejt 52 nx. Niveli fillor ku janë gjithsejt 25 paralele me F 144 nx, M 137 nx, gjithsejt 282 nx.

Ndërsa niveli i shkollës së mesme të ulët me 20 paralele me F 126 nx, M 142 nx, gjithsejt 268. Në shkollën e fshatit Sllatinë e Epërme mësimin e vijojnë gjithsej 602 nx, ne 50 paralele, ku punojnë 63 mësimdhënës dhe katër bashkëpunëtorë.

Materjali është marrë nga libri i autorit Muhamet Pirraku, Adem Guta, Egzemplar i partiotizmit të gjeneratës (1916-1945). Prishtinë 2008. Fq, 98,124,155,153. Nga autori Mehmet Gërguri, Ajet Gërgurindhë LNDSH (1945-1947), nga Revista Aromë Dituri 2, Prishtinë, 2024. Fq,3.

Shkruan: Sami ARIFI