
N G U J I M I
(Nga CIKLI: “TRIPTIKËT”)
Një hyrje brilante për TRIPTIKUN “NGUJIMI”
nga Prof. Dr. Agim Sallmani :
“Kjo poezi e Juaj Kujtim N.MULLAI është një shpërthim i pastër emocional ,ku dashuria shfaqet si robëri dhe si liri njëkohësisht,
si mallkim dhe si shpëtim.
Në pjesën e parë, “Ngujimi” nuk është vetëm izolim fizik, por një burg i brendshëm i shpirtit që vuan nga moskuptimi dhe tallja e të tjerëve. Revolta
“Ju zëntë halli im!” tingëllon si britmë e një zemre që ka arritur kufirin e durimit, ku dhimbja kthehet në protestë.
Në pjesën e dytë, dashuria shfaqet në formën e mungesës që çrregullon shqisat: pa “TY”, bota humbet shikimin dhe dëgjimin. Këtu poeti e ngre ndjenjën në nivel ekzistencial, njeriu pa dashuri nuk është më i plotë, por i thyer në perceptim
dhe identitet.
Ndërsa në pjesën e tretë, heshtja e tjetrit bëhet një dhunë e padukshme. Është pikërisht kjo heshtje që e shtyn subjektin drejt një lutje të fundit:
jo më pritje, por hyrje e menjëhershme,
jo më dyshim, por dorëzim total ndaj ndjenjës.
Në tërësi, poezia lëviz mes revoltës dhe përulësisë, mes vetmisë dhe etjes për bashkim, duke e bërë dashurinë një fuqi që nuk pyet për kufij logjikë,
por vetëm për zemrën që rreh.
Respekt poet!
Prof. Dr. Agim Sallmani “
_____________________
N G U J I M I
(Nga CIKLI: “TRIPTIKËT”)
– A –
Ngujuem jam
Në kullën e vetmisë:
Rob…i dashnisë!
Askush s’ma qan hallin!
Të gjithë më shohin vëngër,
më tallin!
Po daleni,
o ju që më tallni!
S’mund ta fsheh…
Do ta shpreh
Një revoltë
të fortë,
Si urim
a mallkim:
“Ju zëntë halli im!”
– B –
Kur të kujtoj
Dhe s’të dëgjoj,
Më ngjan se jam shurdhuar!
Kur t’dëshiroj
Dhe s’të shikoj,
Më ngjan se jam verbuar!
Asgjë, pa TY,
S’më hyn në sy;
Më tallin:…I SHKALLUAR!
– C –
Nuk di ç’kërkon nga unë
Me heshtjen dhunë,
Kur gojë ke dhe s’flet
Edhe pse zjen si det;
Kur dorë ke dhe s’shkruan
Edhe pse vuaj e vuan!…
Një gjë duhet ta dish:
Tek unë, po të vish,
Për TY e hap çdo derë:
Mos trokit,
Nxito të hysh,
Mos prit!